Gjykata Speciale: Për ne Kosova nuk është vend i tretë

Aktuale

Gjykata Speciale: Për ne Kosova nuk është vend i tretë

Më: 7 maj 2021 Në ora: 20:14
Gjykata Speciale

Dhoma e Apelit e Gjykatës Speciale në një vendim të mëhershëm të saj la hapësirë për lirimin me kusht të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nëse një vend i tretë ofron garancitë për mbrojtje në liri të Hashim Thaçit dhe të tjerëve.

E në Kosovë u tha se edhe Qeveria mund të ofrojë të tilla garanci, pasiqë Gjykata Speciale Kosovën e njeh si vend të tretë.

Por në një përgjigje, Dhomat e Specializuara kanë thënë se Kosova nuk është vend i tretë.

“Neni 162 i Kushtetutës dhe Ligjit mbi Dhomat e Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar i referohet Kosovës në një anë dhe vendeve të treta në anën tjetër”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Speciale.

Në përgjigjen e tyre, Specialja konfirmon se personaliteti i saj legal e juridik ekziston brenda sistemit të drejtësisë së Kosovës.

Ata thonë se Kosova ka deleguar të gjitha kompetencat e nevojshme për Specialën që të operojë.

“DHSK u themeluan me personalitet të plotë legal dhe juridik në brenda sistemit të drejtësisë së Kosovës me një amandamentim të Kushtetutës dhe një akt të Parlamentit (i cili rezultoi nga një nënshkrim paraprak të një marrëveshjeje ndërkombëtare në Prill 2014 ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës (Shkëmbimi i Letrave). Në përputhje me Shkëbimin e Letrave dhe siç pasqyrohet në Nenin 5 të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Kosova ka deleguar të gjitha mandatet, kompetencat dhe autoritetet ekzekutive të nevojshme për të operuar DHSK. Kështu që DHSK operon në një bazë të pavarur siç konfirmohet nga Gjykata Kushtetuese e Dhomave të Specializuara në vendimin e saj të 26 nëntorit 2020, i cili mund të gjendet në ëebfaqen e DHSK”, tha Gjykata Speciale.

Rreth garancisë së mundshme për mbrojtje në liri të ish-krerëve të UÇK-së ka folur edhe Qeveria Kurti.

Në një përgjigje, Qeveria pati thënë se nuk mund të ofrojë garanci pasiqë Kosova nuk është shtet i tretë.

“Kosova nuk është “shtet i tretë”, sepse Gjykata është ligjërisht e Kosovës. Bazuar në dispozitat ligjore, garancia nuk kërkohet as nga shteti amë (Kosova) e as nga kryeministri i shtetit amë (Qeveria e Republikës së Kosovës), nga i cili vjen i akuzuari dhe të cilit shtet i takon Gjykata Speciale me juridiksion. Pra, Kosova nuk mund të shërbejë si garantues, ashtu siç po raportohet”, thuhej në përgjigjen e Qeverisë.

Në linjë të njëjtë të argumentimit me Qeverinë ishte edhe Presidenca e Kosovës.

“Republika e Kosovës, me asnjë interpretim, nuk mund të konsiderohet shtet i tretë, sepse gjykata funksionon nën juridiksionin e Republikës së Kosovës. E njëjta është themeluar nga vetë Kuvendi i Kosovës si dhe vepron në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës”, thuhej në reagimin e Presidencës së Kosovës.

Por ndryshe nga Specialja, Qeveria e Presidenca, është shprehur ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, i cili deklaroi se Kosova për këtë gjykatë është vend i tretë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat