Kimete Berisha i kërkoi ministrit Vitia ta vizitojë Çun Lajçin në spital, reagon ashpër aktori

Aktuale

Kimete Berisha i kërkoi ministrit Vitia ta vizitojë Çun Lajçin në spital, reagon ashpër aktori

Nga: A.Zh Më: 8 maj 2021 Në ora: 15:53
Çun Lajçi

Aktori dhe shkrimtari Çun Lajçi, ka reaguar pas deklaratës së opinionistes Kimete Berisha, e cila ka kritikuar ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia. Berisha ka kërkuar nga ministri Vitia, që ta vizitojë Lajçin, i cili po qëndron në spital tash e disa ditë.

E Lajçi ka kërkuar që të mos e vizitojnë, përcjell Bota sot. Në një shkrim në Facebook, aktori ka kritikuar ministrat e deritanishëm të Kulturës, të cilët sipas tij, i kanë ndarë “heronjtë e pensionistët e rroga nacionale u kanë dhënë me t’njofshëm”.

Ai më tej ka thënë se ata gëzohen kur sëmurën artistët ose kur vdesin.

“Po ju shkruej për linçimet, hajnitë, animet, jaranitë, dashamirët tuaj me vila e hotele, që i mbani mbas vetit si strajcat e taxhisë, e jo për mua jo, se ku ju bjen n‘mend juve arti e fjala që prenë ma hollë se zhiletat me t’cilat rruheni!”, ka shkruar ndër tjerash Çun Lajçi.

Postimi i tij i plotë:

Jo mos ejani me m’pa

I pamë kam qenë, që ditën që dola n’pension nga rruga!

Po nga rruga, si qeni zhugan, se Memlia që ishte ministër, s’e donte Çunin me përcjellë me shfaqje si duajenin e 5 dekadave (siç bamë ne me Ragipin, Shaniun, Istrefin...)

E vrante samari i 200-të roleve n’xhepat e skenës!

Tash s’keni pse vini se ka ardh fati im n’dyert e zemrës, e rrokotel po zhdirgjemi livadheve t’blerueme!

Veç a ka me iu vra ndërgjegjja ndonjoherë, që i keni nda kufomat prej kufomave, heronjtë prej heronjve, dëshmorët prej dëshmorëve, invalidët prej invalidëve, e që, edhe pensionistët prej pensionistëve!

Po ish (e kurrë mos qofshin ma) ministra e kryeministra, dy muaj pa dalë n’pension, filanit pa tri vepra, pensionin ia kanë ba Nacional me 600 eu!?

Tash po ua them, se ju e dini, unë kurrë derën s’ua çela as me dorë as me shpinë për interesin tim! Për atdheun po, kam qenë gurrë kangë e vargu, edhe për heronjtë, por jo për xhepin tim jo! Për tuajin s’mund t’them se jo!?

Tash po shkruaj se m’lidhi covidi për shtrat, se prapë do t’isha bjeshkëve t’Rugovës tue vajtua kufirin e falun nga Ju!

Po, ky Çuni me 200 role filmi e teatri e 13 libra (që kurrë s’patet guxim t’i blini) se jeni aty, mes bastardësh që e morravët atdheun e me pa se çka shkruen ky hajvanat artist!

Po ju shkruej për linçimet, hajnitë, animet, jaranitë, dashamirët tuaj me vila e hotele, që i mbani mbas vetit si strajcat e taxhisë, e jo për mua jo, se ku ju bjen n‘mend juve arti e fjala që prenë ma hollë se zhiletat me t’cilat rruheni!

Jo

Mos merrni rrugë kurrë, as te shtrati as te varri im, se korba s’më duhen, e ju dini veç me krrokatë, kur dikush ma i ditun se ju, ua lëshon rrugën. Kësaj i gëzohi ju, kur ne sëmuremi ose vdesim.

Ah jo, pritni.

S’vdesim ne jo. Ju shkoni n’pakthim, se ne mbesim n’letra.

Do libra i lanë do t’meçëm, me iu tregua se edhe n’letra ma të t’mëdhej se ju ishin!

Keni vdekë tue jetua n’dhjamin e veshkëve t’Kosovës, por kanë mbijetua veprat e dietarëve prej të cilave ju u frymzuet kur i morët pushkët, por ja që u çkrepi plumbi e mbetët tue i nda fitimet djathtas e majtas, e prap syni ynë i ngitë e prapë fytyra juaj e zezë!

Jo mos ejani me m’pa, se i keni nda heronjtë e pensionistët e rroga nacionale u keni dhanë me t’njofshëm, se veprat i kanë ble ashtu-kështu!

Sa mirë me qenë i lirë n’shtratin e covidit e mos me tu rrudhë syni as për mbret as për hyqymet!

Rroftë dheu që e shitët pak përtej Çakorrit e do përtej Ibrit bashkë me lirinë e atyre që ikën n’jug!

Spital

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat