VOA: Kosovë, mundësitë për padi ndaj Serbisë për gjenocid

Aktuale

VOA: Kosovë, mundësitë për padi ndaj Serbisë për gjenocid

Më: 8 maj 2021 Në ora: 19:49
Arkiv

Juristi Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha në një bisedë më Zërin e Amerikës se Kosova duke mos qenë anëtare e Kombeve të Bashkuara, nuk mund të ngrejë padi për gjenocid kundër Serbisë dhe se nuk duhet të hyjë në këtë proces pa bashkërendim të plotë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.

Të premten kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se qeveria e tij ka filluar punën për përgatitjen e padisë kundër Serbisë për gjenocid.

“Ne jemi të bindur që Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë në luftën e fundit tek ne dhe kjo e meriton një padi dhe qeveria e Republikës së Kosovës e ka përgatitjen e saj obligim ndaj historisë tonë, ndaj qytetarëve që kanë plagët e hapura dhe qe besa edhe ndaj ardhmërisë tonë, që kërkon një shtet demokratik, një shtet të drejtë në të cilën dihet qartë se kush është agresori e kush është viktima”, tha kryeministri Kurti.

Por, zoti Miftaraj tha se Kosova nuk mund të ushtrojë një padi të tillë, meqë nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe as ratifikuese e statutit të Gjykatës Ndërkombëtare për Drejtësi.

“Në anën tjetër shtetet të cilat do të mund të padisnin Serbinë, shtetet e treta, lidhur me atë që ka ndodhur në Kosovë, pra respektivisht për të bërë padi në emër të Kosovës mund të jenë kryesisht shtetet si Shqipëria apo shtetet mike për të cilat padia ndaj Serbisë do të nënkuptonte edhe prishje të raporteve me këtë shtet”, tha ai.

Mundësia për ushtrimin e një padie të tillë është përmendur edhe në të klauarën nga udhëheqës politik të Kosovës duke nxitur reagimin e Beogradit. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, tha se Kosova nuk mund ta bëjë një gjë të tillë, duke bërë thirrje që të heqë dorë nga kjo nismë. Zyrtarë të Beogradit thanë se paralajmërimi i Kryeministrit Kurti është goditje ndaj bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve.

Shqiptarët e Kosovës e cilësojnë gjenocid fushatën e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999, gjatë së cilës u vranë mbi 10 mijë veta, mijëra llogariteshin të zhdukur, ndërsa mbi 800 mijë shqiptarë u dëbuan. Lufta mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Kryeministri Kurti tha të premten se “përgatitjet janë gjigante sepse një rast i tillë as nuk guxon, as nuk duhet e as nuk mund të humbet”. Zoti Miftaraj thotë se një proces i tillë është shumë i ndërlikuar.

“Me vet faktin që Kosova në këto 20 vjetet e fundit fatkeqësisht nuk është se ka përgatitur dokumentacionin dhe strategjinë për ta bërë një gjë të tillë, në këtë fazë e shoh thuajse si mision të pamundur, gjithmonë në funksion të asaj që padia për gjenocid të ketë sukses”, tha ai.

Në rast të dështimit të një padie të tillë, dëmet për Kosovën do të ishin të pariparueshme thotë zoti Miftaraj derisa përfitime të mëdha do të kishte shteti serb.

“Së paku në aspektin ndërkombëtar Serbia do të pastrohej si të themi nga një njollë duke vërtetuar në njëfarë forme se ai shtet nuk ka kryer gjenocid në Kosovë”, tha zoti Miftaraj.

Ai shtoi se Kosova nuk duhet të hyjë në këtë proces pa bashkërendim të plotë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vërtetoi në vitin 2007 se gjenocid është kryer në Srebrenicë të Bosnjës ku forcat serbe vranë mbi tetë mijë burra në korrik të vitit 1995. Gjykata tha atëbotë se Serbia nuk e kishte parandaluar gjenocidin, por nuk kishte prova të mjaftueshme që Serbia kishte përgjegjësi të drejtpërdrejtë për të.

Kroacia po ashtu kishte ushtruar padi ndaj Serbinë për gjenocid gjatë luftës së viteve 1991-1995, ndërsa Serbia kishte paraqitur më pas një kundër-padi, me pretendimin se rreth 200 mijë serbë etnikë janë detyruar të zhvendosen në verën e vitit 1995.

Në vitin 2015, Gjykata hodhi poshtë të dyja paditë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat