​Kush i sulmoi alpinistët në veri?

Aktuale

​Kush i sulmoi alpinistët në veri?

Më: 11 maj 2021 Në ora: 14:45
Foto

Pjesëtarët e organizatës së ashtuquajtur “Civilna Zastita” (Mbrojtja Civile), e cila vazhdon të veprojë në veri të Kosovës, por pa uniforma, dyshohet të jenë autorët e sulmit me armë zjarri ndaj grupit të alpinistëve kosovarë, që ndodhi dy ditë më parë në fshatin Bube të Zubin Potokut, bëjnë të ditur burime të medias.

Sipas këtyre burimeve, janë gjithsej rreth 100 pjesëtarë të kësaj organizate që veprojnë aktualisht në veri të vendit, të cilët mbështeten nga Beogradi zyrtar, dhe që nuk kanë dashur të integrohen në institucionet e Kosovës.

Tridhjetë prej tyre kontrollojnë zonën e Zubin Potokut, përkatësisht objektin "Qendra për ekologji dhe zhvillim", disa objekte tjera dhe disa shtëpi-vila nga Zubin Potoku dhe deri në kufirin e Bërnjakut, duke përfshirë këtu edhe zonën ujore të liqenit të Ujmanit.

Në situata të caktuara numri i tyre rritet dhe sipas nevojës edhe armatosen. Ajo që vlen të theksohet, vazhdojnë burimet, është se policia e rajonit të veriut obligohet ta informojë këtë organizatë pothuajse për të gjitha zhvillimet që ndodhin në atë pjesë.

“Alpinistët kosovarë vizitën e tyre në malet e Zubin Potokut e kanë paralajmëruar disa ditë më parë në polici. Kjo ka mjaftuar që pjesëtarët e Civilna Zastita-s të jenë në dijeni për këtë vizitë. Pjesëtarët e kësaj organizate kanë sulmuar me armë zjarri alpinistët të cilët ishin nisur në eksplorim të maleve të Zubin Potokut. Nuk ka qenë qëllimi të vritet askush, përveç të krijohet situatë e tensionuar, e cila gjithmonë me mbështetjen e Beogradit, do të aktualizonte fuqishëm Non-Paper e propozuar si nismë e përbashkët gjermano-franceze për rinisjen e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, e sipas së cilës të dyja palët pajtohen për themelimin e Distriktit Autonom të Kosovës Veriore si njësi e vetme administrative e vetëqeverisjes rajonale në Kosovë që ka të drejtë të miratojë legjislacion në rrafshin lokal në ekonomi, financa, pronë, infrastrukturë, kulturë, arsim, kujdes shëndetësor, mirëqenie sociale, sistemin gjyqësor, shërbim policor, strehim, zhvillim urban dhe bashkëpunim evropian, në linjë me Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionin për qeverisje lokale’, kanë thënë burimet.

Burimet më tej kanë shtuar se shefi i kësaj organizate, Stevo Pavicevic, është në dijeni për gjithçka që ka ndodhur rreth sulmit ndaj alpinistëve të dielën, ndërsa kanë përmendur edhe emrat e Danillo Delibashiq, zëvendësshefin e përgjithshëm, dhe Millosh Millovanoviq, shefin e kësaj organizate për zonën e Zubin Potokut, për të cilët thanë se poashtu janë në dijeni për detajet e ngjarjes së sulmit.

Burimet kanë përmendur edhe Zharko Cvetkovic, Mirosllav Zhivkovic, Millovan Gvozdic, Boban Llaketic, Millosh Smigic dhe Danillo Danillovic, si emra me ndikim në këtë organizatë.

Ndryshe, 1 shtatori i vitit 2015 ka qenë afati i fundit kur organizata paralele serbe në veri të Kosovës ”Civilna Zastita”, është dashur të pushojë së funksionuari, në bazë të një marrëveshje që qeveria e Kosovës e kishte arritur me Beogradin zyrtar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Kjo marrëveshje u arrit me 26 mars 2015, e që ishte konfirmuar edhe nga ministrja e atëhershme e dialogut, Edita Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat