Opozita kritikon programin e Kurtit, Vettingu do të jetë pika më problematike

Aktuale

Opozita kritikon programin e Kurtit, Vettingu do të jetë pika më problematike

Më: 11 maj 2021 Në ora: 16:49
Albin Kurti

Marrëveshja me Serbinë, Vettingu, vaksinimi i 60% të qytetarëve deri në fund të vitit 2021, liberalizimi i vizave, statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE, një mijë bursa studentore për vajzat, paga minimale për një vit për të rinjtë që punësohen për herë të parë, Ligji për Konfiskim të Pasurisë së pajustifikueshme dhe Fondi për Sigurime Shëndetësore, janë 10 pikat kryesore me të cilat do të merret Qeveria Kurti gjatë mandatit të saj.

Por, sa është i realizueshëm ky program dhe se a janë pikërisht këto temat kyçe me të cilat do të duhej të merrej Qeveria Kurti, flasin nga opozita dhe shoqëria civile.

Nga opozita hedhin kritika të shumta, duke thënë se nuk ka asgjë konkrete dhe të qartë në këtë program, deri sa nga shoqëria civile si vështirë të realizueshëm e shohin çështjen e Vetting-ut e për të cilin thonë se duhet më shumë kohë.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala në një prononcim thotë së fjalën e tyre të fundit si PDK do ta japin në Kuvendin e Kosovës, në ditën kur programi qeverisës do të dërgohet në Kuvend për t’u diskutuar.

Por, pavarësisht kësaj, Shala cek disa pika e me të cilat thotë se kjo qeveri nuk është marrë fare.

“Unë jam jashtëzakonisht i zhgënjyer me atë çka shoh të shkruar. Nuk kemi asgjë të re sa i përket planifikimit hapësinor , përveç përsëritje të projekteve të vjetra, nuk kemi asgjë të re në fushën e mjedisi . Në fushën e mjedisit për më keq kemi vetëm përmendje të emrave të punëve dhe projekteve që tashmë janë në implementim e sipër siç është çështja e ajrit, e ujit e shumë probleme të tjera  që janë në zhvillim e sipër. Te projektet e infrastrukturës përsëri kemi vetëm përmendje të projekteve që kanë mbet në gjysmë nga qeveritë e kaluara, korridoret rrugore, ndërkombëtare dhe lokale dh asgjë tjetër”, ka thënë Shala.

Deputeti Shala, përmend edhe arsimin e lartë duke thënë se është për keqardhje që nuk ka asnjë ide se çka do të ndodhë me universitetet publike e çka me ato private.

Sipas tij, ajo që bie në sy është te pjesa e disa skemave sociale e që janë plus në këtë program.

“Pra, nuk kemi asnjë projekt dhe ide të qartë të afatizume çka me industrinë minerare, çka me energjinë dhe me pjesët tjera të ekonomisë. Pra në parim unë nuk shoh asgjë të veçantë sa i përket kësaj përveç te pjesa sociale të disa skemave që parimisht janë plus, paga minimale, dhe asgjë tjetër nuk ka të re dhe nuk shoh ndonjë program qeveritar që do të mund ta përballonte çështjen e ngarkesës ekonomike, veçanërisht në rrethana pandemike”, ka deklaruar Shala.

Program të njëjtë si të qeverive të kaluara, programin e Qeverisë Kurti e sheh deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku.

Duke folur shkurt, thotë se për programin qeverisës më shumë do të deklarohet në Kuvendin e Kosovës.

“Ky program qeverisës është veç në letër, i njëjti si me krejt partitë tjera , nuk ka asgjë dallim. Ishalla e realizon atë që e ka shkru”, është shprehur Bunjaku.

Kurse, analisti Arton Demhasaj, thotë se është problematike që ky program qeverisës nuk ka afate kohore se kur do të fillojë dhe do të mbarojë së zbatuari një pikë, dhe se duke u bazuar në këtë është vështirë të dihet se sa mund të zbatohen pikat.

Por, thotë se duke i parë pikat kryesore që janë bërë publike tashmë nga Qeveria Kurti, të gjitha janë të realizueshme, derisa shton se duhet punë.

“Janë të realizueshme secila prej tyre mundet me qenë e realizueshme, duhet vetëm vullnet edhe punë me pasë edhe nuk ka problem, nuk është që ka diçka ekstra , të jashtëzakonshme. Ndoshta pak çështja e Vetingut mundet me qenë më problematike me përfundu brenda një mandati qeverisës sepse e dimë se si zgjatë ky proces, përgatitja e bazës ligjore  e deri sa fillon me u zbatu dhe për krejt këto kërkohet kohë,  ndërsa pjesët tjera mendoj se janë të zbatueshme, është edhe pika Statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE, e kjo nuk varet vetëm prej neve por varet edhe prej palës tjetër, pra sidoqoftë nëse ka vullnet edhe punë nga ana jonë shumica prej tyre munden me u realizu”, ka thënë Demhasaj.

Media, për këtë çështje ka kërkuar përgjigje edhe ne Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, por deputetët e kësaj partie nuk u janë përgjigjur telefonatave të redaksisë.

Ndryshe, të premten e kaluar Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të rregullt ka miratuar programin qeverisës për vitet 2021-2025 dhe vendime të tjera të përgjegjësive të saja kushtetuese dhe ligjore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat