Cilat projekte infrastrukturore të Komunave i hoqi MMPHI-ja?

Aktuale

Cilat projekte infrastrukturore të Komunave i hoqi MMPHI-ja?

Më: 11 maj 2021 Në ora: 17:56
Foto ilustrim

Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, njoftoi sot se është marrë vendim që të pezullohen të gjitha memorandumet me komunat që janë nënshkruar në vitin 2021 nga ish-ministri Arban Abrashi dhe disa kryetarë të komunave.

Durmishi tha se këto memorandume janë nënshkruar pa u analizuar mirë dhe duke e pasur parasysh pandeminë ka rrezik që të mos ketë mjete për realizimin e tyre.

“Vetëm në janar, shkurt dhe mars janë nënshkruar memorandume me komunat në vlerë 18.5 milionë euro”, ka thënë ai. Këtë vendim e ka arsyetuar edhe me faktin se qeveria paraprake ka lënë shumë borxhe të pa paguara për shpronësime që kapin vlerën 183 milionë euro, shkruan lajmi.net.

Asociacioni i Komunave të Kosovës –AKK, është institucioni që mbron interesat e komunave dhe i paraqet ato para palëve të ndryshme të interesit.

Sazan Ibrahimi, drejtor ekzekutiv i AKK, tha se akoma nuk kanë një qëndrim rreth kësaj çështjeje.

“Nuk i dimë detajet, pasi akoma nuk kemi asgjë zyrtare”, tha shkurt Ibrahimi.

Ish-ministri, Arban Abrashi kishte nënshkruar disa memorandume të bashkëpunim për financimin e disa projekte që kishin të bënin me infrastrukturës rrugore në disa komuna.

Lidhur me pezullimin e tyre, ku pati dhe kritika për këto memorandume nga Durmishi, nuk ka dashur të deklarohet ish-ministri, Abrashi.

Por, cilat janë projektet e nënshkruara me Komunat që u pezulluan sot pa ndonjë datë se kur do t’u hiqet ai pezullim.

Memorandumi parashihte asfaltimin e disa rrugëve në Komunën e Pejës në vlerë prej 1 milion 400 mijë euro.

Arban Abrashi, kishte nënshkruar memorandum për financimin e disa projekteve infrastrukturore në Komunën e Klinës, me nënkryetarin Besim Hoti.

Në memorandum është ndërtimi i rrugës Klinë – Dresnik – Dollc,  në vlerë prej 400 mijë eurove, ndërtimi i rrugës Ranoc – Leskoc – Zllakuqan, në vlerë prej  250 mijë eurove, asfaltimi i rrugëve në fshatrat Jagodë, Budisalc dhe Bërvokë, në vlerë prej  60 mijë eurove dhe asfaltimi i rrugës Aqarevë – Siqevë, faza e dytë në vlerë prej 90 mijë eurove.

Po ashtu, memorandum për financimin e disa projekteve infrastrukturore ishte nënshkruar edhe me Komunën e Vitisë. Projekti i parë kishte të bënte me ndërtimin dhe asfaltimin e rrugës, prej Anton Qeta deri te rruga Sejdiu, fshati Stubëll e Epërme, Viti, faza 2, prej  550 mijë  euro. Ndërsa projekti i dytë ishte asfaltimi i rrugës Mjak – Doboldeh, në vlerë prej  535 mijë euro.

Edhe me Komunën e Lipjanit ishte nënshkruar marrëveshje përsipër financimin e disa projekteve infrastrukturore ku i hapej rrugë rikonstuimit të rrugëve fshatin Llugaxhi dhe asfaltimit të rrugëve në fshatrat Torinë, Banullë, Topliqan, Kraishtë dhe Shalë.

Me Komunën e Istogut ishte nënshkruar marrëveshje për: Rregullimi i rrugës në qendër –Gurrakoc, vlera 207 mijë euro dhe ndërtimi i infrastrukturës rrugore tek Burimi i Istogut, në vlerë prej 290 mijë euro, janë dy projekte që do të realizohen në Istog.

Me komunën e Fushë Kosovës, ministria planifikonte të financojë asfaltimin e rrugës nga ajo nacionale N9, deri tek qendra e panaireve deri në Golesh. Ministria kishte marrë përsipër edhe financimin e rrugëve të lagjeve numër 28 dhe 29 të kësaj komune, që janë të banuara nga komuniteti egjiptian, ashkali dhe romë.

Në Ferizaj ishte planifikuar të bëhej investimi ku mundësohej asfaltimi i rrugës Talinoc i Muhaxherëve – Rahovicë.

Anash nuk ishte lenë as Komuna e Gjakovës, më të cilën ishte lidhur memorandum për ndërtimin e rrugës hyrëse në Gjakovë nga ana veriore, nga drejtimi i Pejës dhe i rrugës transite që lidhë rrugën hyrëse nga Peja me rrugën hyrëse nga Prishtina, bashkë me asfaltimin e shtatë rrugëve të tjera.

Media ka provuar të marrë një qëndrim nga kryetaret e komunave si atij të Istogut Haki Rugova, të Pejës Gazmend Muhaxheri,të Lipjanit Imri Ahmeti,të Vitisë Sokol Haliti, por asnjeri nga ta nuk ka dashur të përgjigjet lidhur më atë nëse paraprakisht kanë pasur biseda me ministrinë për pezullimin e këtyre marrëveshjeve.

Në deklaratën e tij, zv. minsitri Durmishi ka thënë se janë pezulluar memorandumet e bërë në vitin 2021, por më 14 dhjetor 2020 Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi dhe kryetari Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për financimin e disa projekteve të rëndësishme infrastrukturore në kryeqytet. Një nga këto projekte më të rëndësishme ishte veçuar, ndërtimi i rrugës A në Prishtinë.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti i ka thënë se nuk ka informacione nëse vendimi i ministrisë e ka prekur edhe komunën që ai drejton.

“Nuk kemi marr ndonjë informatë nga ministria”, tha Ahmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat