Haradinaj për masat antiCOVID: Në shpërputhje me realitetin e jetës dhe ekonomisë

Aktuale

Haradinaj për masat antiCOVID: Në shpërputhje me realitetin e jetës dhe ekonomisë

Më: 11 maj 2021 Në ora: 21:40
Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka thënë se ekzistojnë disa momente që Qeverinë Kurti 2 e bëjnë jo të duhur, sidomos në rrethanat nëpër të cilat po kalon Kosova.

Haradinaj në “Contex” tha se është e pakuptueshme që të merr aq shumë kohë hartimi i programit qeverisës.

“Qeveria në punën e saj, është në ritme shumë të ngadalshme. Po flas për periudhën kohore, pra nuk përputhet puna e tyre me kohën shumë emergjente që është për shkak të situatës pandemike dhe gjendjes ekonomike që kemi në vend. Për mua është e pakuptueshme që të merr kaq shumë kohë për një program qeverisës, për një qeveri që e ka ditur që është aty që nga 14 shkurti. Unë kam kërkuar që këtë program ta sjellin edhe në Kuvend”, tha Haradinaj.

Haradinaj ka përmendur disa nga mangësitë e Qeverisë Kurti për sigurimin e vaksinave antiCOVID-19.

“Janë disa momente që këtë Qeveri e bëjnë jo të duhur, për momentet në të cilat po kalon Kosova. Nuk shohim plan konkret për vaksina, se kur do t’i sjellin në Kosovë. Pra, të jepet një afat kohor. Një situatë tjetër e padrejtë për mua është mbyllja e ekonomisë dhe oraret e kufizimeve. E kanë mbyllur gastronominë pas orës 22:00, kanë vënë orën policore dhe kanë mbyllur sallat e dasmave. Të gjitha këto janë në shpërputhje me realitetin e jetës dhe atë ekonomik, dhe janë të pa duhura”, tha Haradinaj.

“Qeveria nuk është duke jetuar me aktualiteti ekonomik, as atë politik dhe gjendjen e tanishme. Nuk ka pako financiare për mbështetjen e bizneseve. Pra nuk ka asgjë. Ka vetëm disiplinë dhe sanksione’, shtoi ai.

Një rast tjetër që i ka bërë përshtypje nga kjo Qeveri ka qenë heqja e shtesave për pensionistët.

“Është e pakuptimtë që pensionistëve u janë hequr shtesat prej 20 euro. Të njëjtën gjë e kanë bërë edhe për stafin shëndetësor dhe policët, me arsyetimin që nuk kanë të holla. Po tani i gjetën 11 mijë euro për rrymën në veri. Pagesa e rrymës po bëhet pas pavarësimit të rrjetit energjetikë. Kjo për mua është e habitshme dhe një qasje jo e duhur”, tha Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat