Aliu paralajmëron mbylljen e aplikimeve të reja për hidrocentralet

Aktuale

Aliu paralajmëron mbylljen e aplikimeve të reja për hidrocentralet

Më: 11 maj 2021 Në ora: 21:42
Liburn Aliu

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se deri tani ka pasur shkelje në procedurat e aplikimit për hapje të hidrocentraleve, andaj ministria që ai udhëheq ka vendosur ndërprerjen e aplikimeve të reja.

Aliu në Rubikon, tha se do të krijohet një komision i cili do të merret me shqyrtimin e të gjitha rasteve të hidrocentraleve, për të parë se si janë dhënë lejet, a janë respektuar procedurat dhe kush janë përgjegjësit për këtë situatë.

“Kjo nuk do të thotë që do të mbyllen hidrocentralet, por do të ndërpriten aplikimet e reja për hidrocentralet në mënyrën se si janë bërë deri tash. Pra nuk do të ketë aplikime për hidrocentrale, leje për hidrocentrale pa koncesion siç është bërë deri tash, paralelisht me këtë do të krijohet një komision, mbase të premten më së largu, mund të jetë edhe nesër se jemi duke punuar në atë, ta krijojmë komisionin i cili do t’i shqyrtoj situatat ekzistuese sepse ka ankesa të shumta, ka vizita të shumta në terren dhe në bazë të asaj që kemi parë deri tani në terren shihet që ka shkelje, tash duhet të shihet a kanë ndodhur nga ana e institucionit apo nga ana e operatorëve, mbase edhe të dyjave”, tha Aliu.

Aliu theksoi se ai nuk është kundër hidrocentraleve, por se ato duhet të jenë në përputhje me kërkesat mjedisore dhe standardet e caktuara me ligj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat