​LDK e konsideron të zbrazët dhe boshe programin ekonomik të Qeverisë Kurti

Aktuale

​LDK e konsideron të zbrazët dhe boshe programin ekonomik të Qeverisë Kurti

Më: 12 maj 2021 Në ora: 10:15

(E plotësuar 12:02) - Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po e konsideron boshe programin ekonomik të Qeverisë Kurti.

Një ditë pas publikimit të tij, anëtari i kryesisë së LDK-së, Besian Mustafa, përmes një konference për medie tha se ky program nuk ka asgjë konkrete, por vetëm fjalë.

Mustafa: Në aspektin ekonomik ky program është i zbrazët me deklarime boshe

“Në aspektin ekonomik ky program është i zbrazët me deklarime boshe, pa caktim të masave dhe objektivave konkrete dhe i pabuxhetuar. E konsiderojmë absurde që programi i qeverisë premton zhvillim ekonomik pa thënë asnjë fjalë se sa do të jetë rritja ekonomike, sa do të jetë buxheti pas katër viteve, sa kosovarë do të jenë pa punë, sa do të jetë deficiti tregtar, sa do të jenë investimet e huaja, sa do të rritet prodhimi vendor”, tha ai.

Ai tha se Qeveria Kurti nuk ka paraparë program për rimëkëmbje ekonomike dhe asnjë planifikim afatgjatë për zhvillim ekonomik.

Mustafa: Përkundër premtimeve për ndryshime të mëdha nuk ka program për rimëkëmbje

“Përkundër premtimeve për ndryshime të mëdha nuk ka program për rimëkëmbje, nuk ka masa, nuk ka buxhet. Shumë fjalë, asnjë masë, asnjë shifër. Zhvillimi ekonomik në kuadër të programit të qeverisë 2021-2025 parasheh shumë ligje, udhëzime, strategji, plane shqyrtime pa përmendur askund masa konkrete se si do të rimëkëmbet ekonomia kosovare pas dëmeve nga Covid 19. Edhe më keq nuk ka asnjë fjalë të vetme për buxhetin që do të planifikojë qeveria drejtë rimëkëmbjes dhe zhvillimit ekonomik afatgjatë. Shumë fjalë, asnjë fjalë, asnjë shifër. Nuk parashihet asnjë projekt i ri kapital për katër vitet e ardhshme, vetëm vazhdim i projekteve ekzistuese. Pra shumë fjalë. Parashihen zero masa të reja për sektorin e teknologjisë informative”, tha ai.

Mustafa kritikoi ekzekutivin edhe për planifikimet lidhur me “Fondin Sovran”.

Mustafa: Fondi Sovran do të mbledh të gjitha pasuritë e shtetit në një vend për t’u menaxhuar nga një ekip i ngushtë i pushtetit

“Në njërën anë flitet për racionalizim të numrit të agjencive të shtetit, ulje të numrit edhe në anën tjetër paralajmërohen agjenci të reja. Fondi Sovran do të mbledh të gjitha pasuritë e shtetit në një vend për t’u menaxhuar nga një ekip i ngushtë i pushtetit. Nuk dihet si do të menaxhohen këto pasuri të qytetarëve, si do të i’u rritet vlera dhe si do të përfitojnë qytetarët nga ky fond. Shumë fjalë asnjë masë asnjë shifër”, u shpreh ai.

Mustafa e vlerësoi shqetësuese edhe planifikimet siç tha për rritjen e borxhit publik dhe shtimin e skemave të reja sociale.

​LDK e konsideron të zbrazët dhe boshe programin ekonomik të Qeverisë Kurti

Lidhja Demokratike e Kosovës po e konsideron boshe programin ekonomik të qeverisë Kurti.

Përmes një konference për medie, anëtari i kryesisë së LDK-së, Besian Mustafa tha se ky program nuk ka asgjë konkrete për rimëkëmbje ekonomike.

“Në këtë program të qeverisë ka shumë fjalë e asnjë masë”, tha ai.

***

Lidhja Demokratike e Kosovës po mban konferencë, shkruan “Bota sot”.

Siç thuhet në njoftimin nga kjo parti në konferencë do paraqitet Departamenti i Ekonomisë dhe Biznesit.

Konferenca po mbahet në selinë qendrore të LDK-së, raporton “Bota sot”.

Ja njoftim i plotë:

Të nderuar,

më datë 12 maj 2021, në orën 10:00, Departamenti i Ekonomisë dhe Biznesit, mban konferencë për medie.

Konferenca mbahet në selinë qendrore.

Ftohen mediet të përcjellin këtë ngjarje!

LDK – Zyra për Informim

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat