​Rreth 900 votuesve nga diaspora nuk i’u është pranuar vota në zgjedhjet e 14 shkurtit

Aktuale

​Rreth 900 votuesve nga diaspora nuk i’u është pranuar vota në zgjedhjet e 14 shkurtit

Më: 12 maj 2021 Në ora: 12:08
Pamje nga vendi i ngjarjes

Një votues nga jashtë, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) i ka kushtuar 6,1 euro. Ndërsa, në zgjedhjet e vitit 2021, votuesit nga jashtë vendit kanë harxhuar 1,3 milionë euro për dërgimin e zarfeve. Në anën tjetër, rreth 900 votuesve nga diaspora nuk është pranuar vota e tyre, meqë nuk kanë pasur dokumente valide.

Shumica e këtyre votave vijnë nga Gjermania e Zvicra. Shqetësuese mbetet numri i madh i pakove të refuzuara, që sipas organizatës "Germin", për disa nuk dihet as arsyeja.

Kështu u tha në tryezën e organizuar me temën “Votimi nga jashtë vendit”.

Lirim Krasniqi nga organizata "Germin", tha se votimi nga jashtë është një mekanizëm për trajtimin e barabartë të qytetarëve që jetojnë jashtë vendit.

"Votimi nga jashtë nuk ka pasur një vëmendje të duhur deri më tani nga institucionet. Për dallim nga qytetarët që jetojnë në Kosovë, janë disa kritere që duhet të dëshmohen para KQZ-së", është shprehur ai.

"Është një numër i lartë i fletëvotimeve të refuzuara. Kjo është një shifër shqetësuese që duhet të konsiderohet nga KQZ. Në rastin më të mirë votuesit nga jashtë nuk dinë se si duhet të votohet. Nga këto arsyeje të refuzimit të pakova, disa prej tyre nuk kanë qenë të njohura fare", ka shtuar Krasniqi.

Ai ka shtuar se votimi në misione diplomatike ka mangësitë e tij, meqë vështirë mund të përgatiten në rast të zgjedhjeve të parakohshme.

Por, Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka kërkuar ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje, duke shtuar se ka pasur shumë ankesa të cilat janë adresuar nga votuesit jashtë vendit.

"Shteti duhet të garantojë jashtë dhe ka obligim ligjor dhe detyrim që të organizojë dhe mundësojë te gjithë atyre që të votojnë. Gjatë tërë proceseve zgjedhore është parë që ka pasur probleme. Duhet të ndryshojë Ligji për Zgjedhje që të mundësohet evitimi i këtyre mangësive", ka shtuar ai.

Reformën zgjedhore e ka mbështetur edhe Arianit Elshani nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Madje ai ka kërkuar që të mbështetet nga “Germin” një gjë e tillë.

Deputetja e Lëvizjes Vetwvendosje (LVV), Fitore Pacolli ka thënë se përmes ligjit mund të vendoset se si të votohet në qendrat jashtë vendit.

Kryeshefi i sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj ka përmendur sfidat gjatë procesit zgjedhor.

"175 mijë aplikacione te cilat janë dërguar me e-mail. 102 mijë votues kanë qenë votues të regjistruar si te suksesshëm. Të gjitha këto është dashur të trajtohen, dhe kjo ka qenë edhe një prej sfidave. I kemi më shumë se 1 milion fleta të printuara, kjo merr kohë dhe resurse njerëzore por e ka edhe koston e vet. Të gjitha këto është dashur të trajtohen në kohë të shkurt", u shpreh Ahmetaj.

Avokati Taulant Hodaj tha s eja pasur kufizime për votim të qytetarëve të Kosovës që jetojmë jashtë.

"Shumë shpejt do të dërgojmë te Avokati i Popullit, dhe do të merret një konstatim nëse ka pasur shkelje potenciale të garantuar me Kushtetutën e Kosovës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat