“Ishte brenda me dy gratë e tij dhe katër vajzat”/ Historia si u vra Tahir Meha, flet nipi i tij

Aktuale

“Ishte brenda me dy gratë e tij dhe katër vajzat”/ Historia si u vra Tahir Meha, flet nipi i tij

Më: 12 maj 2021 Në ora: 18:44
Ilir Meha

Ilir Meha, nipi i Tahir Mehës ka folur për ditën kur është rrethuar kulla e heroit dhe lutjet që i bënte policia për t’u dorëzuar. Ai tha se aksioni i policisë në kullën e Tahir Mehës ka zgjatur rreth katër orë.

“Lutja  e policisë ka vazhduar nga ora 06:00 deri në 10:00 të mëngjesit. E lutshin me çdo lutje për me u dorëzu. Ata u pajshin. Tahiri brenda në kullë e ata jashtë kullës. Ata e drejtojshin automatikun por nuk e vrajshin. Dojshin me e zënë të gjallë. Baba thojke paska mu kall lufta se Tahiri i gjallë nuk dorëzohet”, ka thënë ai.

Nipi i tij tregoi se Meha brenda kullës ishte edhe me familjarë.

“Ai brenda ishte me dy gratë e tij dhe katër vajzat. Atje ishte edhe baba i Tahirit dhe gjyshi. Ai u thoshte policisë mundeni me u kthy ka keni ardh sepse nuk dorëzohem. Atëherë Njësia Speciale e merr shkallën dhe ia qet në dritare. I hodhën gaz lotsjellës. Ballkonin e kullës e ka pas pa dërrasa. Tahiri ka qenë shenjëtar i fortë dhe i ka vrarë 3-4 policë në kullë. Prej tyre në polici kishte edhe shqiptar për shkak që sistemi ishte i tillë. Ka qenë një luftë e rreptë nja 10-15 minuta. Kur u vranë policët e parë u ndalën edhe gjuajtjet. Ata kërkonin forca shtesë”, deklaroi ai.

Ai tregoi më tutje që luftimi mes policisë dhe Tahir Mehës vazhdoi deri në orën 23:00, ku edhe ai ra dëshmorë.

“Erdhën përforcime shtesë. Erdhën tanke. Qaq krisma e frikë. U vendos përballë kullës. Tahiri gjujke po tanku nuk e lajke. Veç fishllojke plumbi. Kulla e ka pas murin e trashë dhe veq pluhni i shkojke në qiell. Sa herë u nalke pluhni ai gjujke dhe ata ja rrehshin me tank kullën. Kjo ka zgjat deri në orën 11 të natës. Kulla më pas filloi të binte dhe ai e pa që nuk ka ku të fshehet ma. Filloi të vraponte arave të poshtë duke gjuajtur qashtu. I kaloi dy rrathë dhe në rrethin e tretë ra dëshmorë”, ka thënë ai.

“Atë ditë Adem Jashari u betua para kufomës së Tahir Mehës se do ta vazhdojnë luftën e familjes Meha deri në çlirim”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat