Fitër Bajrami falet duke respektuar masat kundër COVID-19

Aktuale

Fitër Bajrami falet duke respektuar masat kundër COVID-19

Më: 13 maj 2021 Në ora: 05:56
​Muslimanët festojnë Fitër Bajramin

(E plotësuar 10:39) - Mijëra qytetarë të besimit Islam në Kosovë, në mëngjesin e së enjtes ua kanë mësyrë xhamive në mbarë vendin për të falur namazin e Fitër Bajramit, festë kjo të cilin e shënojnë myslimanët në mbarë botën, pas përfundimit të Muajit të Ramazanit.

Ceremonia qendrore e faljes së namazit të Fitër Bajramit është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë dhe është drejtuar nga Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava.

Ai ka thënë se festa e Fitër Bajramit e përcjellë Muajin e Ramazanit, i cili është muaj i kultivimit të vlerave të larta shpirtërore dhe ku theksohet dashuria ndaj Zotit dhe gjatë të cilit besimtarët myslimanë bëhen më të ndjeshëm dhe mirëkuptues.

“Sot kemi festë. Kemi festën e Fitër Bajramit, e cila na bashkon me familje dhe më të dashurit tanë, fqinjët tanë, miqtë dhe farefisin. Festa e Fitër Bajramit kultivon në formën më të mirë ndjesinë e mirëkuptimit, tolerancës, harmonisë, respektit dhe bujarisë, vlera këto që fisnikërojnë individin dhe shoqërinë. Kjo festë madhore paraqet një ndër momentet që shërbejnë për të njohur veten, për të mësuar drejtë misionin tonë dhe për ta ruajtur ekuilibrin e shpirtërores përballë materiales”, theksoi myftiu Tërnava.

Festa e Fitër Bajramit në Kosovë është shënuar nën masat që janë në fuqi për parandalimin dhe luftimin e pandemisë së koronavirusit.

Image
Pamje nga falja në Xhami të Madhe në Prishtinë.

Respektimi i këtyre masave nga besimtarët myslimanë, të cilët festojnë Fitër Bajramin në xhamitë mbarë vendit, është kërkuar që më parë nga Bashkësia Islame e Kosovës.

Myftiu Tërnava, ka theksuar se festa e Fitër Bajramit, ashtu sikurse edhe vitin e kaluar, në Kosovë është pritur duke u përballur me pandeminë COVID-19, e cila ka shkaktuar pasoja të mëdha në të gjitha rrafshet e jetës. Ai ka përkujtuar të gjithë ata që kanë humbur jetën në përballje me sëmundjen COVID-19, ndërkaq që për të infektuarit ka uruar shërim sa më të shpejtë.

Ai i ka ftuar qytetarët e vendit që sot shënojnë festën e Fitër Bajramit, që të jenë të kujdesshëm dhe të vëmendshëm përballë pandemisë së koronavirusit.

“Andaj, apeloj te ju që ta ruani shëndetin tuaj dhe ta ruani njëri-tjetrin. Ju ftoj që të bëni kujdes edhe me vizitat tradicionale të Bajramit. Ne do të festojmë me të afërmit, me të dashurit dhe me miqtë tanë, do të ruajmë karakterin e festës, do të jemi pranë njëri-tjetrit, por do të kemi kujdes maksimal në shëndetin publik, sepse rreziku nga pandemia nuk ka kaluar”, theksoi Tërnava.

Të enjten në mbarë xhamitë në Kosovë, sipas udhëzimeve nga Bashkësia Islame e Kosovës, për t’iu shmangur qëndrimit për kohë të gjatë të besimtarëve në hapësira të mbyllura, është falur vetëm namazi i Fitër Bajramit dhe jo edhe ai i mëngjesit.

Bashkësia Islame e Kosovës ka udhëzuar që xhamitë të hapen vetëm 10 minuta para se të nisë falja e namazit të Fitër Bajramit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një shkrimi në Facebook, ka uruar qytetarët e besimit Islam për Fitër Bajramin, duke thënë që në këtë ditë feste të shumëfishohet lumturia “duke e ndarë me të tjerët, duke uruar më të mirat për njëri-tjetrin dhe duke u kujdesur për shëndetin e njëri-tjetrit”.

“Mbarësia e kësaj dite le të vulos besimin se çdoherë mund të japim më shumë, më shumë sesa që marrim”, ka shkruar Kurti.

Gjatë vitit të kaluar, në ceremoninë e faljes së kësaj feste në Kosovë ishin të pranishëm vetëm pjesëtarë të rrethit të ngushtë të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Pas paraqitjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë, Bashkësia Islame e Kosovës, më 14 mars 2020, pezulloi faljen e organizuar nëpër xhamitë e Kosovës.

Festa e Fitër Bajramit pason Muajin e Ramazanit, gjatë të cilit, sipas besimit Islam, besimtarët agjërojnë për 30 ditë, në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit.

Falet Fitër Bajrami, Tërnava kërkon kujdes maksimal gjatë vizitave

Në Xhaminë e Madhe “Sulltan Mehmet Fati”, në Prishtinë është bërë falja e namazit të Fitër Bajramit.

Numër i madh i qytetarëve kanë kryer këtë ritual fetar, kurse brenda objektit të xhamisë është kërkuar vazhdimisht respkektimi i distancës.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava me këtë rast tha se ka uruat të gjithë besimtarët për festën e Fitër Bajramit.

Sipas tij, feja islame angazhohet në formimin e një shoqëri të shëndoshë e humane, prandaj ëse njeriu lufton drejt këtë do të shërbejë për të mirën e shoqërisë.

Tërnava shtoi se kjo festë kultivon më së miri ndejsinë e besnikërisë e bujarisë. Ai ka uruar që sa më shpejt të përfundojë edhe pandemia që ka kapluar gjithë botë.

Madje ai ka bërë thirrje për kujdes maksimal gjatë vizitave gjatë festës së Fitër Bajramit.

“Falenderojmë Allahut me ndihëm e të cilit arritëm ta kalojmë muajin e Ramazanit. Jemi bashkë në këtë ditë madhëshore për të festuar Fiter Bajramit. Muji i Ramazanit na mbajti të bashkuar në iftare e syfyre, me solidaritet e devotëshmëri”.

Image

 

“Feja islame angazhohet në formimin e një shoqëri të shëndoshë e humane. Nëse njeriu lufton drejt këtë do të shërbejë për të mirën e shoqërisë. Sot kemi festë që na bashkon me miq e farefis”.

“Kjo festë ngrohë familjet e fëmijet tanë, kultivon më së miri ndejsinë e besnikërisë e bujarisë. Kjo festë shërben për ta ruajtur ekilibrin tonë. Edhe këtë Bajram po e presim në pandemi që na ka shkatuar probleme të mëdha”.

“Urojmë që të shërohen sa më shpejt të infekuarit. Ju ftoj të bëni kujdes në vizita sepse rreziku nga pandemia nuk ka kaluar. Urime Festa e Fiter Bajramit, shëndet e mbarësi”.

Kjo festë vjen pas muajit të shenjtë të Ramazanit, gjatë të cilit myslimanë anembanë botës agjerojnë në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit.

***

Në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, ka filluar falja e Fitër Bajramit

Falja e Fitër Bajramit po organizohet nga Bashkësia Islame e Kosovës dhe po mbahet distancë fizike nga besimtarët musliman të pranishëm brenda xhamisë.

***

Muslimanët sot kremtojnë festën e Fitër Bajramit, festë kjo që vjen pas agjërimit të muajit të Ramazanit.

Për shkak të pandemisë të krijuar nga Covid-19 edhe këtë vit festa do të jetë e kufizuar.

Në xhamitë e Kosovës nuk do të ketë ceremoni të zakonshme, por do të falet vetëm Namazi i Bajramit.

​Muslimanët festojnë Fitër Bajramin

Muslimanët sot në mbarë botën kremtojnë festën e Fitër Bajramit, festë kjo që vjen pas agjërimit të muajit të Ramazanit.

Për shkak të pandemisë të krijuar nga Covid-19 edhe këtë vit festa do të jetë e kufizuar.

Në xhamitë e Kosovës nuk do të ketë ceremoni të zakonshme, por do të falet vetëm Namazi i Bajramit.

Bashkësia Islame e Kosovës ka njoftuar se xhamitë do të hapen rreth orës 05:30, diku 15 minuta para faljes së namazit të Bajramit.

Kështu që nuk do të ketë as pritje në BIK.

“Ne, nesër kemi festë dhe bashkërisht do të jemi në xhamitë për ta falur namazin e Fitër-Bajramit, por të kemi kujdes se virusi ende është në mesin tonë, andaj për ta ruajtur vetën e shëndetin publik, ne kemi hequr dorë nga ana ceremoniale e manifestimit tradicional të Bajramit. Në xhami do të jemi duke i respektuar protokollet anti-covid dhe për ta falur vetëm namazin e Fitër-Bajramit”, tha të martën në konferencë për media myftiu Tërnava. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat