Publikimi i “non-paper”, presidenti slloven deklarohet në Kosovë për ndryshimin e kufijve

Aktuale

Publikimi i “non-paper”, presidenti slloven deklarohet në Kosovë për ndryshimin e kufijve

Më: 13 maj 2021 Në ora: 16:29
Osmani takohet me Pahor

(E plotësuar 18:02) - Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor ka thënë se është plotësisht kundër "non paper" të publikuar nga mediat sllovene.

Ai në konferencën e përbashkët me presidenten Vjosa Osmani ka folur edhe nëse do të ofrojë garanci në Gjykatën Speciale.

"Nuk mund të them asgjë sepse këtë gjë nuk e njoh. Me porositë e non paper për ndryshimin e kufijve nuk pajtohem. Qëndrimi im lidhur me këtë është plotësisht i kundërt që të mos bisedohet për alternativa të tilla. Unë dëshiroj të bind bashkëbiseduesit në BE dhe Ballkanin që të vazhdohet me procesin e zgjerimit", ka thënë Pahor.

Image
Borut Pahor

Portali slloven “Necenzurirano.si” publikoi muajin e kaluar një dokument që pretendon se është kopje e dokumentit të dalë nga zyra e kryeministrit slloven Janez Jansha.

Sipas atij dokumenti propozohet ri-përcaktimi i kufirit të Kosovës dhe Serbisë, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, bashkimi i pjesëve me shumicë shqiptare të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë, mundësia e shkëputjes së Republikës Serbe nga Bosnje e Hercegovina, si dhe bashkimi i një pjese të Bosnjës perëndimore me Kroacinë.

Në Bashkimin Evropian thanë disa herë se nuk kanë njohuri për një dokument të tillë.

Kryeministri Janez Jansha, vendi i të cilit do të kryesojë Bashkimin Evropian në pjesën e dytë të këtij viti, ka thënë se pretendimet për një dokument të tillë janë veprime që synojnë “të dëmtojnë Slloveninë në BE”.

Ndërsa non paper i dytë u raportua më 26 prill si njohje e integritetit dhe sovranitetit territorial mes Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, dokumenti “non paper” – i mohuar zyrtarisht – përfshin shumë më shumë se kaq. Thotë se do të krijohet një “distrikt autonom i Kosovës Veriore”, që nga përshkrimi duket me kompetenca gati sa të shtetit. Përdoret termi “Kosovë Veriore”, e jo veriu i Kosovës. Pastaj thuhet se palët, pra Kosova e Serbia, duhet të bëjnë ndryshime kushtetuese që të mund të zbatohet kjo marrëveshje.

Bashkimi Evropian mohon se dokumenti “non paper” i publikuar në media e që flet për një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë është qëndrim i Bashkimit Evropian.

Dokumenti “non paper” është quajtur nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde si lajm i rremë, se ai dokument është hartuar nga gjermanët dhe francezët.

Edhe Ambasada e Francës në Kosovës ka deklaruar se Franca dhe Gjermania nuk janë burimi i atij “non paper” dhe se dy shtetet mbështesin ndërmjetësimin e dialogut nga Bashkimi Evropian.

***

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë në takimin e sotëm me homologun e saj slloven, kanë diskutuar për përgatitjet e nevojshme për procesin e Brdu-Brijuni dhe nevojën për përshpejtimin në integrimin evropian.

"E sigurova presidentin qe Kosova e ka prioritet integrimin evropian. Reformat që duhet të ndërmerren nuk i shohim si të imponuar por për nevojën e qytetarëve tanë. E potencuam qartë që Kosova i ka plotësuar kriteret për liberalizimin të vizave. Jo që ka plotësuar kriteret, por dyfishin e tyre. Është një pritje e gjatë dhe i mbetet BE-së të mbajë premtimin. E njoftova presidentin për faktin që akoma kemi nevojë për mbështetje sa i përket vaksinave. Shpresoj qe Sllovenia që ndihmojë Kosovën, sepse siç thotë edhe populli ynë "miku i mirë gjendet në ditë të vështira"", tha ajo.

Pas më shumë se një orë takim me homologun slloven, Borut Pahor, presidentja Osmani ka thënë se pret nga Sllovenia që të vazhdojë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe arsimit.

"Kufijtë tonë janë përcaktuar në vitin 2008. Kosova do të ulet në tavolinë për të trajtuar tema që janë të rëndësishme për vendin tonë", tha ajo.

Në konferencën e përbashkët për media, presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor ka deklaruar se do të këshillohen mbi vështrimet dhe perspektivën evropiane.

"Do të provojmë të shohim se a mund të themi diçka më optimiste sa i përket perspektivës evropiane të shteteve të Ballkanit. Në aspektin e paqes dhe sigurisë, në zonën e Ballkanit Perëndimor është me rëndësi që të vihet deri në një qëndrim të BE-së se zgjerimi është domosdoshmëri gjeopolitike e karakterit primar. BE duhet të përshpejtojë këtë proces dhe ta shohë këtë hapësirë si tërësi”, tha ai.

"Pushteti i ri në Kosovë duhet të jetë i gatshëm me tërë fuqinë që t'i jep dialogut një nxitje të re... Të hënën para fillimit të samitit do të bëjmë bisedimet e fundit që ky takim të jetë një mesazh i fuqishëm për BE-në", ka shtuar ai.

Pahor vjen për vizitë në Kosovë, pas publikimit të "non-paper" në shtetin e tij slloven muajin e kaluar. Ai po ashtu gjatë ditës së djeshme ka deklaruar se dëshiron të këshillohet para samitit të udhëheqësve në Brdo – Brijuni më 17 maj.

Publikimi i “non-paper”,  Vjosa Osmani deklarohet pas takimit me presidentin slloven 

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka pritur sot në një takim homologun e saj slloven Borut Pahor. Pahor ndodhet për vizitë në vendin tonë pas publikimit të “non-paper” në shtetin e tij slloven muajin e kaluar.Pas takimit që patën Osmani dhe Pahor janë deklaruar edhe para mediave.

“Kisha nderin që sot në këtë ditë të veçantë të pres presidentin e Sllovenisë, shkëlqesinë e tij z.Pahor në Republikën e Kosovës.Si mik i madh i vendit s’është hera e parë që na viziton dhe s’është hera e parë që shprehë përkrahje për Republikën tonë të re. Kësaj radhe ishte vizitë pune që të bëjmë përgatitjet e nevojshme për procesin Brdobrinit, që shënon 10 vjetorin e këtij procesi më 17 maj ku unë do të përfaqësojë Kosovën. Diskutuam për temat që priten të trajtohen aty, me theks nevojën për bashkëpunim rajonal si dhe nevojën për përshpejtim të integrimit evropian të gjithë rajonit tonë.E sigurova atë që Republika e Kosovës e ka prioritet integrimin evropian, sepse është vullnet i popullit tonë dhe reformat që duhet të ndërmerren si pjesë e këtij procesi nuk i shohim si imponim pasi janë në të mirë të qytetarëve dhe kanë të bëjnë me sundim të ligjit, me arsimin e shëndetësinë më të mirë.E ka të bëjë me paqen, për të cilën populli ynë ka kontribuar. E theksuam qartë se Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizim të vizave, madje dyfishin e tyre dhe është në një pritje të gjatë ku qytetarët tanë për fat të keq po mbahen të mbyllur për dallim nga të tjerët që kanë përfituar nga ky proces”, tha Osmani.

Tutje presidentja theksoi se dhënia e liberalizimit të vizave do të ishte iniciativë e mirë, sepse do ta ngriste kredibilitetin e BE-së brenda Kosovës dhe më gjerë.

“Sa i përket pandemisë, e njoftova presidentin slloven se akoma kemi nevojë për vaksina dhe shpresoj shumë se Sllovenia do të ndihmojë Kosovën qoftë edhe në mënyrë simbolike, si afirmim i miqësisë së fortë pasi siç thotë edhe populli ynë “miku i mirë gjendet në ditë të vështira” e Sllovenia ka ditur ta bëjë këtë e shpresoj ta bëjë edhe në përballje me pandeminë. Presim që Sllovenia të vazhdojë me bashkëpunim ekonomik e tregtar, poashtu edhe në fushën e mbrojtjes, arsimit e kulturës. Sllovenia si partner në BE por edhe i rajonit ka mbështetur çdo proces që e shtyn Kosovën përpara”, shtoi ajo.

Në fund presidentja Osmani theksoi se kufijtë e Kosovës janë përcaktuar njëherë e përgjithmonë më 17 shkurt 2008.

“Unë e potencova gatishmërinë që Kosova të jetë pjesë e dialogut në Bruksel gjithnjë duke pasur parasysh se statusi i Kosovës është përcaktuar njëherë e përgjithmonë më 17 shkurt 2008 dhe kufijtë e vendit tonë janë përcaktuar njëherë e përgjithmonë, por Kosova do të ulet në tavolinë për të trajtuar çështje që vërtet kanë rëndësi për njerëzit tanë, siç është ajo e personave të zhdukur’, tha ajo.

***

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka pritur sot në një takim homologun e saj slloven Borut Pahor.

Pahor ndodhet për vizitë në vendin tonë pas publikimit të "non-paper" në shtetin e tij slloven muajin e kaluar.

Ai gjatë ditës së djeshme ka deklaruar se dëshiron të këshillohet para samitit të udhëheqësve në Brdo – Brijuni, më 17 maj.

Ditë më parë, Pahor është takuar edhe me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, ku kishte thënë se qytetarët e Kosovës meritojnë liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian. Veç tjerash, Meta kishte njoftuar se është nënvizuar edhe rëndësia e vijimit të dialogut Kosovë-Serbi.

Pas takimit, homologët Osmani dhe Pahor do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.

Image
Osmani takohet me Pahor
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat