Kryetarja e Preshevës tregon se kur pritet ta vizitojë Kosovën

Aktuale

Kryetarja e Preshevës tregon se kur pritet ta vizitojë Kosovën

Më: 13 maj 2021 Në ora: 17:29
Ardita Sinani

Kryetarja e re e Preshevës, Ardita Sinani ka thënë se shumë shpejt pritet që të zhvillojë vizita në Prishtinë e Tiranë.

Kështu ka bërë të ditur ajo, derisa është pyetur për raportet që do të ketë me Kosovën e Shqipërinë.

“Si qeverisje lokale e Preshevës, së pari do ta kthejmë bashkërendimin me drejtuesit e komunës së Bujanocit, Këshillin Kombëtar Shqiptar dhe me deputetët shqiptarë në parlamentin e Serbisë për harmonizimin e qëndrimeve politike brenda nesh, në përputhje me Platformat dhe Deklaratat Politike, ku i kemi të parashtruara problemet dhe kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Pastaj edhe si të zgjedhur institucionalë, edhe si qeveri lokale e Preshevës, ne do ta dinamizojmë bashkëpunimin me autoritetet zyrtare dhe politike në Prishtinë dhe Tiranë.

Ne besojmë së Lugina e Preshevës duhet të ketë trajtim të veçantë institucional në bazë të një strategjie të përbashkët ndërshtetërore nga autoritetet e Prishtinës dhe Tiranës zyrtare, për shkak të gjendjes së rëndë së Luginës së Preshevës, por edhe për shkak të proceseve politike që priten të zhvillohen lidhur me dialogun Kosovë-Serbi. Së shpejti do ta vizitojë edhe personalisht Tiranën dhe Prishtinën”, ka thënë ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat