Kurti për këngëtarin Ismet Bogujevci: Kënga e tij do të rrojë jo vetëm me brezin tonë, por edhe me ata që do të vijnë

Aktuale

Kurti për këngëtarin Ismet Bogujevci: Kënga e tij do të rrojë jo vetëm me brezin tonë, por edhe me ata që do të vijnë

Më: 14 maj 2021 Në ora: 13:35
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vendosur lule dhe ka bërë homazhe para arkivolit të këngëtarit, Ismet Bogujevci, të vendosur në hollin e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Para mediave pas homazheve, kryeministri Kurti shpalosi dromca kujtimesh nga fëmijëria dhe admirimin që kishte për këngëtarin Bogujevci.

Ai tha se si fëmijë, teksa ndiqnin programin e vitit të ri në televizion, i prisnin me një mosdurim  të gëzueshëm këngët e Ismet Bogujevcit dhe të Riza Bytyqit.

“Në vegjëli, se çka është martesa e mësuam prej prindërve, por edhe prej këngës ‘Martesa jonë’ të Ismet Bogujevcit. Edhe sot e kësaj dite kur e dëgjoj fjalën Kaçanik më ushtojnë veshët për shkak të vargut ‘ushton Gryka e Kaçanikut” të kënduar nga Ismet Bogujevci. E për Tefik Çangën, shumë kohë para se ta marr vesh se është emri i një fabrike të drurit në Ferizaj, dhe i një partizani të Luftës së Dytë Botërore, kam ditur ta këndoj ngapak duke e imituar Ismet Bogujevcin”, rikujtoi kryeministri Kurti.

Ai theksoi se këngëtari Bogujevci ishte njeri tejet i mirë dhe i dashur.

“Ashtu siç do të na mungojë fizikisht dhe do të kemi mall për të shumë kohë të gjatë, njashtu edhe kënga e tij do të rrojë jo vetëm me brezin tonë, por edhe me ata që do të vijnë”, tha kryeministri Kurti.

Këngëtari i njohur i këngës popullore shqipe, Bogujevci, u nda nga jeta një ditë më parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat