​Qytetarët solidarizohen me popullin palestinez

Aktuale

​Qytetarët solidarizohen me popullin palestinez

Më: 14 maj 2021 Në ora: 14:37
Foto ilustrim

Është mbajtur të premten në kryeqytet marsh protestues në solidarizim me popullin palestinez. Dhjetëra qytetarë kanë dalë në sheshet e Prishtinës në mbështetje të familjeve në Gaza dhe kundër dhunës që po përdoret nga Izraeli, teksa kanë kërkuar nga qeveria që të reagojë karshi spastrimit etnik që po ndodhë mbi popullin palestinez.

“Liri për Palestinën”, “Mos i prekni fëmijët”, “Kundër fashizmit” dhe “Kundër spastrimit etnik”, brohoritnin marshuesit.

Aktivisti i shoqërisë civile, Gazmend Qyqalla, tha se janë mbledhur për të deklaruar kundërshtimin e çfarëdo shtypjeje, kundër çdo populli.

Ai tha se fashizmi e shovinizmi i Izraelit po vazhdon spastrimin etnik shtëpi për shtëpi e lagje për lagje, duke i dëbuar palestinezët e zëvendësuar ata me hebrenj. Teksa shtoi se çlirimi i Palestinës dhe popullit palestinez është e vetmja mënyrë që liria dhe barazia të kenë kuptim.

Qyqalla: Çlirimi i Palestinës dhe popullit palestinez është e vetmja mënyrë që liria dhe barazia të kenë kuptim

“Kjo dhunë sistematike e cila po hasë në vesh të shurdhër të shteteve të shpallura si demokratike e organizatave humanitare, po kundërshtohet fuqishëm nga qytetare e qytetarë, të ndërgjegjshëm për padrejtësitë që po iu bëhen popullatës civile. Ne jemi mbledhur këtu për të thënë se feja po keqpërdoret nga shteti fashist i Izraelit për të arsyetuar spastrimin etnik që po bën në Jerusalem. Jemi këtu për të kundërshtuar krimet e luftës nga bombardimet e vazhdueshme të 2 Milion banorëve të Gazas. Jemi këtu që të të drejtat e popullit palestinez i cili tash e 73 vite po vuan nën okupim, kolonizim, bombardim dhe po jeton nën aparteid nga shteti i Izraelit... Çlirimi i Palestinës dhe popullit palestinez është e vetmja mënyrë që liria dhe barazia të kenë kuptim”, tha ai.

Këtij marshi i është bashkuar edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, i cili në një prononcim për media, tha se kishte dalë për të mbrojtur të drejtën e njerëzve të pafajshëm që po vriten në Palestinë.

Rrahmani që marshit të sotëm i ishte bashkuar në cilësinë e qytetarit dhe atë të deputetit, tha se marshi i sotëm nuk mund të dëmtojë raportet e Kosovës me Izraelin.

Rrahmani: Nuk jemi kundër Izraelit, jemi në mbrojtje të fëmijëve dhe grave që po vriten kudo në botë

“Ishim këtu më iu bashkëngjit një marshi qytetar në shenjë solidariteti me popullin e Palestinës, në mbështetje të tyre... Prezenca ime këtu e jep një mesazh cilin duhej të ishte qëndrimi i gjithsecilit në këtë pikë... Ne këtu nuk jemi as kundër Izraelit as kundër askujt, por jemi në mbrojtje të fëmijëve dhe të grave që po vriten në Palestinë e kudo tjetër në botë”, tha ai.

Kurse, Rita Berisha, aktiviste e shoqërisë civile tha se kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të reagojnë karshi spastrimit etnik që po ndodhë mbi popullin palestinez.

Berisha: Kërkojmë nga Qeveria jonë që të reagojë për spastrimin etnik mbi popullin palestinez

“Kërkojmë nga Qeveria jonë që të ketë reagim për spastrimin etnik, gjenocidin dhe bombardimet e vazhdueshme që po ndodhin mbi popullin palestinez. Numërojmë se deri më tani 119 janë të vdekur në Gaza, prej tyre rreth 39 fëmijë, he kjo është e papranueshme për secilin vend demokratik, i cili flet, mbron dhe promovon të drejtat e njeriut”, tha ajo.

Sot është dita e pestë e konfliktit në Lindjen e Mesme, ndërsa Izraeli ka intensifikuar sulmet në Gaza.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat