​Hoxhaj: Sot shteti bëri krim ndaj qytetarëve, programi nuk pasqyron as premtimet e VV

Aktuale

​Hoxhaj: Sot shteti bëri krim ndaj qytetarëve, programi nuk pasqyron as premtimet e VV

Më: 14 maj 2021 Në ora: 15:49
Enver Hoxhaj

Pamjet e sotme të qytetarëve të moshuar në qendrën “1 Tetori” për vaksinim dhe programi i qeverisë Kurti 2, janë kritikuar ashpër nga ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj në një paraqitje para mediave.

Hoxhaj duke kritikuar Qeverinë Kurti për dështimin e organizimit të procesit të dhënies së vaksinave anti-COVID, tha se sot secili qytetar i Kosovës është i shqetësuar, i dëshpëruar dhe i zemëruar me pamjet e shëmtuara të mënyrës se si janë trajtuar prindërit e gjyshërit tanë në sallën "1 Tetori", në Prishtinë, ku po zhvillohet procesi i vaksinimit.

Hoxhaj: Sot shteti bëri krim ndaj qytetarëve

“Sot ishim dëshmitarë se mungoi shteti, mungoi kryeministri dhe ministri i Shëndetësisë dhe kjo për neve si PDK është e pa papranueshme dhe pa tolerueshme. Sot shteti bëri krim ndaj qytetarëve dhe për këtë Qeveria duhet të mbaj përgjegjësi. Prej fillimit të pandemisë, kanë humbur jetën mijëra qytetarë dhe qeveria edhe më tutje po e çon vendin drejt katastrofës shëndetësore e njerëzore. Ne si PDK kërkojmë përgjegjësi penale dhe morale për këtë dështim të Qeverisë Kurti”, theksoi Hoxhaj.

Sipas Hoxhajt, pamjet e sotme tregojnë më së miri mjerimin politik të qeverisë Kurti - një qeveri pa plan, pa prioritete dhe pa përgjegjësi dhe janë pasqyrim i sjelljes arbitrare të një kryeministri autoritar i cili do të duhej ta prezantonte programin qeverisës para disa javësh.

I pari i PDK-së kritikoi ftesën e kryeministrit Albin Kurti për të diskutuar të hënën në Kuvend, programin qeverisës, që sipas tij, është thjesht një program seminarik dhe nuk pasqyron asgjë.

Hoxhaj: Programi nuk pasqyron as premtimet e VV

“Edhe ky program që është prezantuar që do ta debatojmë të hënën nuk ka asnjë zotim konkret, nuk ka asnjë afat të zbatimit, nuk ka asnjë masë të matshme se si gjërat do të ndryshojnë në Kosovë, por më shumë është një punim i thjesht seminarik i një studenti. Ai nuk i pasqyron as premtimet e VV me të cilat i fitoi zgjedhjet e 14 shkurtit, por nuk i ngërthen as shqetësimet që i kanë qytetarët e Kosovës. Sot vendi i ka tri probleme të mëdha apo tri kriza të mëdha për shkak të pandemisë, së pari vaksinimin e popullatës, së dyti pasojat e ekonomisë në pandemi dhe së treti menaxhimi i arsimit, për të cilat probleme ky program i Qeverisë nuk merret fare”, theksoi ai.

Sa i përket ftesës për takim të subjekteve politike me kryeministrin Kurti lidhur me dialogun, Hoxhaj tha se nuk e marrin seriozisht, pasi sipas tij, duhet një platformë nga ana e Qeverisë aktuale, pasi që Kuvendi është vend-takimi për të diskutuar për dialogun me Serbinë.

Hoxhaj: Nuk i marrim seriozisht deklaratat e Kurtit për dialog

“Vend takim ku krijohet konsensusi politik, është Kuvendi i Kosovës dhe qeveria Kurti e cila në këtë program qeverisës nuk ofron kurrfarë qartësie se si do të sillet në raport me dialogun. Nuk na bind neve si parti opozitare që ta marrim seriozisht çfarë do deklarate të kryeministrit Kurti në raport me dialogun. Prandaj, ne presim që kryeministri Kurti ta ofron një platformë konkrete në kuvend të Kosovës. Ka marrë mbështetje popullore për të qeverisur dhe për ta udhëheq vendin, edhe për ta drejtuar dialogun me Serbinë. Ka një aktvendim të Gjykatës Kushtetuese që qeveria e drejton dialogun dhe është përgjegjësi e qeverisë. Ne do ta kemi mendimin për dialog, kur ta shohim programin, platformën e qeverisë të sjellë në kuvend të Kosovës. Çfarë është thënë në këtë program qeverisës, mendoj se është një formulim që mund ta bënte çdo nxënës i shkollës së mesme në Kosovë”, theksoi Hoxhaj.

Ish-ministri i Jashtëm, Hoxhaj po ashtu tha se Qeveria nuk ka program të politikës së jashtme, derisa bëri të ditur se si parti parlamentare do të jenë të pranishëm në seancën e së hënës, dhe theksoi se PDK-ja do të shpërfaqë çdo dështim të kësaj qeverie me debat në Kuvend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat