Dikur e mbështetën fuqishëm, Kimete Berisha dhe Çun Lajçi zhgënjehen keq me Albin Kurtin

Aktuale

Dikur e mbështetën fuqishëm, Kimete Berisha dhe Çun Lajçi zhgënjehen keq me Albin Kurtin

Nga: P.R Më: 15 maj 2021 Në ora: 21:23
Albin Kurti

Të dy ishin ndër mbështetësit me të mëdhenj të Albin Kurtit para dhe gjatë fushatës zgjedhore. Njëri artist, e tjetra opinioniste. Të dy, përmes shkrimeve të tyre bënin thirrje që të votohej Albin Kurti për kryeministër.

Artisti Çun Lajçi dje opinionistja Kimete Berisha, kanë filluar të ndjehen të zhgënjyer me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Ish fillimisht Kimete Berisha, ajo e cila paralajmëroi se megalomania do ta rrëzojë Albin Kurtin nga pushteti.

“Megalomania do ta rrëzojë Albin Kurtin nga pushteti! Pasi e 'çliruan' Kosovën nga UÇK-ja, shkuan për ta çliruar Shqipërinë nga populli i saj. Pasi e humbën betejën por jo edhe luftën në Shqipëri, e shtrinë 'pushtetin' e tyre deri në Palestinë! Aman! Kjo është prepotencë e pabesueshme.  Është pushtet i imagjinuar që ia jep njeriu i çmendur vetvetes!  Ndjekësit e Albin Kurtit nuk janë 'ushtria' paralele e Kosovës, qysh kujton Vetëvendosja. Nëse Kryeministri hesht kur e citojnë ekstremistët dhe në emrin e tij bëjnë gjeste antikombëtare, që e rrezikojnë sigurinë e Kosovës, pa u bë gjashtë muaj shkon te shpija!”, shkroi opinionistja Kimete Berisha, përcjellë “Bota sot”.

Sipas Berishës, kryeministri Kurti duhet të distancohet nga ekstremistet dhe grupet e instrumentalizuara që thirren në emrin e tij.

“Kryeministri duhet të distancohet nga ata ekstremistë dhe nga ato grupe të instrumentalizuara që kushedi se si i frymëzon, që e citojnë 'për mbrapshtë', e thirren në emrin e tij. Ti shtet nuk ke për vete. Tregoju djemëve t'u se ti nuk ke shtet që veten e ushqen me bukë, e ruan me armë dhe e shëron me ilaçe, e po ia mban gajlen e shteteve tjera! Kosova ka vetëm pushtet, të rremë, sa për ta 'vjedhur' atë buxhet që vjen nga dogana! Dhe jeton prej ndihmave dhe vitrave! Është shteti më i varfër në Evropë, ama më i pasuri me budallenjë! Kaq për megalomaninë!  'Njeriu i kotë dhe me krenari eksesive është si piktori që e pikturon veç veten'! Kosova nuk është 'ushtria' e Albin Kurtit“, shkroi ndër tjerash Kimete Berisha në shkrimin e saj.

Kurse artisti Çun Lajçi shkroi se kryeministri Kurti ka rënë në gjumë.

“Po e ndrroj mbiemnin Albin. Emnin jo! Pra Unë jam Drel. Mbas asaj, që pashë dje n’qendrën e qytetit, m’shkoi mendja me nxirrë alltinë e me i ra vetit! Kur i pashë tue u përqyrrë (qysh tha Kimetja) e shtina dorën n’brez, po çka me nxjerrë Albin. Veç uçkurin e klinave. E ty ku me t’gjetë? Ti ke ra n’gjumë, se mehesape vakcina t’ka ra n’krye e kurgja ma s’po sheh, e mbasi edhe goja t’asht marrë, s’po qes allti, por po e ndrroj mbiemnin. Emnin jo, se e kam t’Bajraktarit t’Hotit! Për ty isha Lajçi deri sot, veç për kacamitë tu, që s’dinë ku hanë e ku pjerdhin, kurrë ma!“, shkroi Lajçi në reagimin e tij. 

“Ata, kur shkuem n’Bjelluhë me protestu për Çakorrin, s’erdhën. As n’Stankaj, e sot e përkrahin her Palestinën her Izraelin! Për Ty e kastravecat tu t’verdhë, deri n’vdekje do t’jem Çuni i Nik Drelit. Po, unë jam Çun Dreli, (ai Lajçi që t’votoi dy herë), e ti hala nuk zbrite n’tokë, e unë plak me u ngjitë të ti, atje të retë n’qiell! Kur t’a përkrahni lirinë e tjetrit, protestoni se kosovarë, me flamurin e shtetit e t’kombit, jo si izraelit e filistin n’Prishtinë! Thmi e parti e mjekrra cjapi me flamuj t’huej, që s’dinë ku janë, tybe n’shpëton pa u lagë o Kryeministër!”, shkroi artisti Çun Lajçi, përcjellë “Bota sot”.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat