Ramush ​Haradinaj kujton Ukshin Hotin, kërkon drejtësi për rastin e tij

Aktuale

Ramush ​Haradinaj kujton Ukshin Hotin, kërkon drejtësi për rastin e tij

Më: 16 maj 2021 Në ora: 09:38
Ukshin Hoti

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kujtuar veprimtarin Ukshin Hotin në 22 vjetorin e zhdukjes së tij në burgjet e Serbisë.

Haradinaj ka shkruar në Facebook se asnjëherë nuk duhet të ndalemi së kërkuari drejtësi për të gjitha krimet që pushtuesi serb i kreu në vendin tonë, në respekt të veprës e sakrificës jetësore të Ukshin Hotit dhe mijëra bashkëkombasve tanë, që pësuan nga gjenocidi.

Postimi i plotë i Haradinajt:

Zëri moral i shoqërisë shqiptare, intelektual kryengritës, trim e guximtar që nuk u thye kurrë. I tillë ishte Ukshin Hoti.

Rrezatues mbi injorancën, që asnjëherë nuk e lejoi korruptimin e dijes, ai ishte ndër intelektualët dhe diplomatët e parë të Kosovës, i cili e arsyetoi dhe zbërtheu në teori e praktikë, kërkesën e shqiptarëve të Kosovës për lirinë, barazinë dhe Republikën.

Ai formësoi mendimin politik shqiptar në dy dekadat e fundshekullit njëzet, frymëzoi kryengritjen të cilën e jetësoi brezi i UÇK-së. Ai promovoi etikën politike, sepse politika pa etikë nuk nxit ndjenjën e përgjegjësisë shoqërore, duke u bërë shembull që duhet ndjekur nga elitat politike të shqiptarëve gjithandej.

Për shkak të këndvështrimit të tij të veçantë politik, ai shfaqte rrezik të përhershëm për regjimin. Ai u përndjek dhe u burgos nga organet e pushtuesit, e më pas u zhduk fizikisht, e ne ende nuk kemi përgjigje për fatin e tij. Por, ata kurrë nuk arritën të shuajnë idetë, të cilat me krenari vazhdojmë t’i ndjekim.

Ne asnjëherë nuk duhet të ndalemi së kërkuari drejtësi për të gjitha krimet që pushtuesi serb i kreu në vendin tonë, në respekt të veprës e sakrificës jetësore të Ukshin Hotit dhe mijëra bashkëkombasve tanë, që pësuan nga gjenocidi.

RH

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat