LDK thotë se Qeveria ka mungesë të strategjisë: S’ka parime të qarta karshi dialogut me Serbinë

Aktuale

LDK thotë se Qeveria ka mungesë të strategjisë: S’ka parime të qarta karshi dialogut me Serbinë

Më: 16 maj 2021 Në ora: 12:39
Foto nga vendi i ngjarjes

Në një konferencë për medie, Lidhja Demokratike e Kosovës tha se Programi i Qeverisë nuk e paraqet kornizën e parimeve në dialogun me Serbinë.

Nënkryetarja e LDK-së dhe njëherësh koordinatorja e departamentit për politikë të Jashtme, Shqipe Mjekiqi, tha se Programi i Qeverisë së re nuk ka as strategji e as plan të njohjes.

E pyetur nëse Lëvizja Vetëvendosje ka hequr dorë nga parimet e dialogut me Serbinë sa i kishte gjatë kohës në opozitë, Mjekiqi tha se kjo parti ka ndryshuar qëndrim ndaj shumë çështjeve me ardhjen në pushtet.

“Ka ndryshuar kurs sa  ishte në opozitë jo vetëm sa i përket dialogut por edhe ne shumë çështje të tjera”, tha Mjekiqi.

“LDK-ja e konsideron të rëndësisë të jashtëzakonshme konsolidimin e politikës së jashtme të Kosovës. Përfaqësimi i interesave të qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioritet për secilen qeveri, por programi i Qeverisë për politikën e jashtme është i natyrës dëshirore. Me një fjalë, s’ka strategji, s’ka plan veprimi. Programi nuk përmban asnjë fjalë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, Interpol e të tjera. Qeveria ka mungesë të strategjisë për njohje të reja. Qeveria nuk e shpjegon se si do të arrihen fondet e IFA-së. Nuk ka strategji as për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ne e konsiderojmë që procesi i heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës është i vonuar. Bashkëpunimi me Shqipërinë përmendet në vetëm një paragraf, ndryshe nga premtimet gjatë zgjedhjeve të cilat nuk po konkretizohen”, ka thënë Mjekiqi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat