​Kërkohen hetime të detajuara për të ndriçuar fatin e Ukshin Hotit

Aktuale

​Kërkohen hetime të detajuara për të ndriçuar fatin e Ukshin Hotit

Më: 16 maj 2021 Në ora: 15:29
Ukshin Hoti

Qendra “Gjenocidi në Kosovë - Plagë e Hapur”, në 22 vjetorin e zhdukjes së veprimtarit Ukshin Hoti, ka theksuar se përgjegjësia për zhdukjen e tij bie mbi shtetin serb i cili ato ditë ishte duke zbatuar planin e gjenocidit kundër shqiptarëve.

Kjo qendër rikujton se sot u bënë 22 vjet që kur intelektuali i shquar Ukshin Hoti u liria nga burgu në të cilin po mbahej padrejtësisht nga shteti serb.

“Më 16 maj 1999 Ukshin Hotit i skadon dënimi dhe ai nxirret jashtë burgut ndonëse ishte një ditë e diel, gjë që nuk ishte e zakonshme për burgjet e atëhershme. Ai u shoqërua nga dy roje të burgut drejt daljes dhe nga ai moment nuk dihet asgjë për fatin e tij. Përgjegjësia për zhdukjen e tij bie mbi shtetin serb i cili ato ditë ishte duke zbatuar planin e gjenocidit kundër shqiptarëve. Tre ditë më vonë shumë të burgosur tjerë do të gjenin vdekjen. Pas bombardimit të burgut nga aviacioni ushtarak, forcat serbe qëlluan mbi të burgosurit dhe bënë një nga masakrat më të tmerrshme në Kosovë, duke vrarë mbi njëqind të burgosur shqiptarë e plagosur qindra të tjerë. As sot e kësaj dite, nuk është marrë në përgjegjësi asnjë pjesëtar i forcave serbe për zhdukjen e Ukshin Hotit, ndonëse dihen me emra e mbiemra të gjithë ata që kanë shërbyer në burgun e Dubravës”, thuhet në një komunikatë.

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” kërkon që Prokuroria e Kosovës të zhvillojë hetime të detajuara për të ndriçuar fatin e Ukshin Hotit dhe përgjegjësit për zhdukjen e tij të sillen para drejtësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat