Opozita kritikon planin katërvjeçar të Qeverisë Kurti

Aktuale

Opozita kritikon planin katërvjeçar të Qeverisë Kurti

Më: 17 maj 2021 Në ora: 12:57
Kuvendi i Kosovës, fotografi nga arkivi.

Partitë opozitare kanë kritikuar planin e Qeverisë së Kosovës të prezantuar nga kryeministri, Albin Kurti. Plani i qeverisë për katër vjet e ardhshme, sipas partive opozitare, nuk ka plan veprimi, është sipërfaqësor, jopërmbajtësore dhe nuk ka referencë të mbulueshmërisë financiare.

Partitë opozitare kanë kritikuar planin e qeverisë edhe në aspektin e shëndetit publik. Sipas opozitës, Qeveria e Kosovës është duke dështuar në menaxhimin e pandemisë COVID-19 dhe sigurimin e vaksinave.

Nga partitë opozitare është kërkuar që ekzekutivi të japë një pasqyrë të qartë që Kosova do të ndiqte në dialogun me Serbinë.

Kurti: Jemi të interesuar për debat me opozitën

Kryeministri i Kosovës , Albin Kurti, të hënën prezantoi para deputetëve të kuvendit, programin qeverisës për vitet 2021-2025.

Ky program, sipas tij, synon të fokusohet në dy prioritete më urgjente: menaxhimin e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, duke synuar që të minimizohen pasojat në shëndetin publik, dhe lehtësimin e pasojave ekonomike dhe sociale të shkaktuara nga pandemia, të cilat kërkojnë mobilizimin e potencialit shtetëror.

Sipas kryeministrit Kurti, prioritet i qeverisë është sigurimi i vaksinave.

“Në këto 55 ditë kemi arritur të sigurojmë 74,100 vaksina, ndërsa deri në fund të këtij muaji do të kemi edhe 142, 530 vaksina të reja. Më këto dhe pritjet që kemi në muajin qershor, jemi në rrugë të mirë për të garantuar imunizimin e 60 për qind të popullsisë në grupmoshën e atyre që duhet vaksinuar deri në fund të vitit 2021”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës tha se qeveria është e interesuar për debat me opozitën për shkëmbim të mendimeve dhe ideve rreth fakteve të përbashkëta që përmirësojnë jetën e qytetarëve dhe zhvillojnë demokracinë.

Ai tha se për shumë çështje, pushteti dhe opozita mund të mos pajtohen, por të provojnë të pajtohen karshi politikës ndaj Serbisë.

“Pjesa më e madhe e punës edhe energjisë time në dialog është në zhbërjen e dëmit që keni shkaktuar ju. Marrëveshja për Asociacionin, marrëveshja për fusnotën, marrëveshjet për gjykatat e universitetin paralel në veri të Mitrovicës, hapjen e çështjes së statusit, krijimin e diskursit për shkëmbime territoriale e marrëveshje të tjera të dëmshme që ju na latë trashëgimi. Nëse i keni rënë pishman për këto marrëveshje të dëmshme, e për sa ju kam dëgjuar besoj që po, atëherë ejani të punojmë së bashku që t’i përmirësojmë”, tha Kurti.

Hoxhaj: Planprogrami i qeverisë, pa plan veprimi

Planprogrami i prezantuar nga kryeministri Kurti, sipas Enver Hoxhajt, kryetar i partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, nuk ka plan veprimi, objektivat nuk përkthehen në aktivitete konkrete dhe nuk ka afate kohore.

Hoxhaj ka kritikuar Qeverinë Kurti edhe për mosmenaxhim të duhur të pandemisë me COVID-19 dhe sigurimin e vaksinave.

“Sot qeveria do të duhej me nguti dhe vendosmëri të trajtonte një kryetemë tjetër: vaksinimin e qytetarëve. Pamjet e shëmtuara të trajtimit të prindërve, gjyshërve dhe të moshuarve tanë, ku ata shtyheshin me njëri-tjetrin pa fajin e tyre për të marrë një vaksinë, tregon që vendi po lëvizë drejt një katastrofe shëndetësore”, tha Hoxhaj.

Abdixhiku: Qeveria me mungesë të plotë vizioni

Në anën tjetër, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abndahxiku tha se dokumenti 60-faqesh i përgatitur për 60 ditë nga Qeveria Kurti, nuk ka as argument e as ide të fjalës. Sipas tij, ky planprogram, është një ndër dokumentet më sipërfaqësore e më jopërmbajtësore që ka lexuar ndonjëherë.

Abdixhiku ka kritikuar planin e qeverisë edhe në pjesën ku flitet për politikën e jashtme. Sipas Abdixhikut, qeveria e re po tregon mungesë të plotë vizioni e saktësie.

“Do të ishte shumë më reale dhe e pritshme, që ky program të jepte një pasqyrë që Republika e Kosovës do të ndiqte në dialogun me Serbinë. Në këtë pasqyrë të shtronte qartë e pa hezitim tri parimet themeltare që Kosova duhet t’i ketë në dialog: integritetin territorial, karakterin unitar e frymën kushtetuese që Kosova ka. Meqë parimet s’janë, s’janë as edhe afatet kohore për dialog. E meqë s’ka as parime as afate në program, s’ka, sërish, si në çdo temë tjetër në këtë program, as qartësi mbi rrugën që Qeveria e Kosovës do të ndjekë për katër vjet”, tha Abdixhiku.

Sa i përket padisë për gjenocid kundër Serbisë të paralajmëruar në planin e Qeverisë Kurti, Abdixhiku tha se përgatitja për padi kapërcen kapacitetet e një qeverie sepse, sipas tij para së gjithash, një padi e tillë përfaqëson një popull të tërë.

Seanca e Kuvendit të Kosovës është duke vazhduar dhe në rend ditë është vetëm plani qeverisë për katër vjetet e ardhshme./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat