​PSD këtë javë nis peticionin për faljen e gjobave të shqiptuara gjatë pandemisë

Aktuale

​PSD këtë javë nis peticionin për faljen e gjobave të shqiptuara gjatë pandemisë

Më: 18 maj 2021 Në ora: 14:29
Foto ilustrim

Partia Socialdemokrate (PSD) nga dita e enjte do të fillojë me mbledhjen e nënshkrimeve, me qëllim të faljes së gjobave të shqiptuara gjatë pandemisë COVID-19.

Kështu është përpiluar edhe një projektligj për faljen e gjobave të qytetarëve, meqë sipas kësaj partie, masat nuk kanë qenë të barabarta për të gjithë.

Anëtari i kryesisë së PSD-së, Dren Kukaj tha se po synojnë mbledhjen e 10 mijë nënshkrimeve, duke shtuar se masat ekzistuese anti-COVID duhet të largohen. Peticioni qytetar “Të falen gjobat e pandemisë", përfshin kohën nga marsi i vitit të kaluar (2020)deri në maj të këtij viti (2021).

Kukaj: Kemi përpiluar një projektligj për faljen e masave ndëshkimore

"Ne në kuadër të ligjit për nisma legjislative, e kemi shfrytëzuar mundësinë dhe e kemi njoftuar edhe zyrtarisht sekretarinë e kuvendit që e kemi përpiluar një projektligj e kemi titulluar ‘projektligji për faljen e masave ndëshkimore të vendosura gjatë periudhës së pandemisë COVID-19’. Gjithashtu i kemi përpiluar edhe dokumentacionet tjera përcjellëse të nevojshme për një projektligj. Mirëpo, ajo çfarë është e rëndësishme të dihet për opinionin që subjektet përfituese të këtij ligji janë gjithë qytetarët e Kosovës ndaj të cilëve janë shqiptuar masa në kuadër të ligjeve ekzistuese për menaxhimin e pandemisë. Përkatësisht janë të gjithë personat fizik, por edhe personat juridik, përkatësisht bizneset e mesme dhe të vogla. Ndonëse i kemi përjashtuar nga aplikimi i këtij ligji partitë politike të cilët kanë marrë masa gjatë fushatës zgjedhore”, ka theksuar ai.

Kukaj para gazetarëve ka thënë se karakteri parandalues dhe sanues i këtyre masave tani më ka humbur.

Kukaj: Synojmë që të mbledhim 10 mijë nënshkrime

“Periudha kohore kur ne i kemi paraparë me këtë ligj është prej 15 marsit të vitit të kaluar, deri më 15 maj të këtij viti. Ne synojmë që përmes një peticioni të arrijmë shifrën prej 10 mijë nënshkrimeve të qytetarëve. Asisoj që këtë projektligj ta vendosim në rend dite në kuvendin e Kosovës. Periudha kohore prej 15 marsit të vitit të kaluar deri me 15 maj të këtij viti. Synojmë 10 mijë nënshkrime të qytetarëve dhe të vendoset në rend të ditës në Kuvendin e Kosovës", tha Kukaj.

E, sekretarja e përgjithshme e PSD-së, Teutë Rrusta u shpreh se në Kosovë gjatë pandemisë janë theksuar edhe më tej problemet si dhuna e varfëria. Ajo ka kritikuar partitë politike duke thënë se të njëjtat nuk kanë qenë të përgjegjshme në raport me shëndetin publik.

Rrusta: Do të jemi në secilën komunë për mbledhjen e 10 mijë nënshkrimeve

“Nëse masa nuk i prek të gjithë njësoj, atëherë ajo nuk vendos drejtësi. E kërkesa jonë është për drejtësi. Prandaj prej këtij ligji nuk amnistohen partitë politike të cilat janë fajtore direkte të rritjes së numrit të vdekjeve dhe të infektuarve. Por, janë qytetarët që nuk kanë se si t’i paguajnë borxhet, ndërkohë që kanë mbetur edhe pa punë. Ne ditëve në vijim do të jemi nëpër secilën komunë të Kosovës. Peticioni fillon të enjten dhe do të vazhdon secilën ditë, intensivisht deri në mbledhjen e 10 mijë nënshkrimeve. Aq sa duhen për ta shtyrë këtë çështje përpara”, ka shtuar ajo.

Ajo derisa është pyetur se sa do të gjejnë përkrahje nga partia në pushtet, tha se lufta mund të vendoset mes LVV-së dhe PSD-së.

Deri më tani janë shqiptuar më shumë se 180 mijë gjoba, ndërkohë që vlera më e ulët e gjobave ndëshkimore është 35 euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat