Ministrja Haxhiu dhe të tjerët thonë se ndihen të fyer që prokurori e krahasoi gazin lotsjellës të hedhur në Kuvend me atë të regjimit të Millosheviqit

Aktuale

Ministrja Haxhiu dhe të tjerët thonë se ndihen të fyer që prokurori e krahasoi gazin lotsjellës të hedhur në Kuvend me atë të regjimit të Millosheviqit

Më: 18 maj 2021 Në ora: 15:47
Pamje nga seanca

Prishtinë – Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, deputeti Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Haxhiu, kanë reaguar në lidhje me pretendimin e prokurorit Ilaz Beqiri, se pasojat e gazit lotsjellës që ata kishin hedhur në Kuvend, dihen që nga viti 1981. 

Katër të akuzuarit po dyshohen për hedhjen e gazit lotsjellës në vitin 2016, në hapësirat e Kuvendit të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së martës, derisa prokurori Ilaz Beqiri ka prezantuar provat me të cila e mbështet këtë aktakuzë, ka pasur reagime nga ana e të akuzuarve, pasi sipas tij, nuk ka pasur ekspertizë për të vërtetuar nëse kishin qenë bombola të gazit.

Por prokurori Beqiri ka thënë se në këtë rast nuk është bërë ekspertizë për shkak se ishin ditur pasojat e gazit lotsjellës.

“Nuk ka pasur nevojë të bëhet ekspertizë pasi që e kemi pa gjithë, disa që jemi pak më të vjetër në moshë prej 81-tës shumë herë i kemi provuar pasojat e atij gazi”, ka deklaruar prokurori.

Lidhur me këtë pretendim të tij kanë reaguar të akuzuarit, pasi sipas tyre, prokurori i kishte ofenduar duke i krahasuar veprimet e tyre politike me veprimet e regjimit të Millosheviqit.

“Prokurori po na akuzon për veprimet tona si deputet, të cilat kanë qenë në mbrojtje të interesave të vendit, duke i krahasuar me veprimet kriminale të regjimit të Millosheviqi. Kjo për ne është fyerje e papranueshme”, ka thënë e akuzuara Kadaj-Bujupi.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe e akuzuara Haxhiu.

“Unë nuk kam si të mos shpreh shqetësimin tim me fjalën e prokurorit, madje as nuk prita që nga një prokuror të bëhen krahasime të tilla me deputetet dhe ish-deputet të Kuvendit të Kosovës me qëllimin që ka pasur opozita në atë kohë për ta shpëtuar vendin nga dy projekte të rrezikshme, madje besoj që prokuroria është dashur të veprojë kundër atyre që e rrezikonin vendin e jo ndaj neve që e kemi mbrojtur vendin”, ka thënë Haxhiu.

Sipas saj, prokuroria për shkak të mungesës së provave provon të tërheq vëmendjen me disa periudha të vështira për popullin shqiptar.

Edhe deputeti Lekaj ka reaguar ndaj krahasimit të prokurorit Beqiri.

“E kundërshtoj sikurse koleget e mia që prokurori bën krahasimin me veprimin tonë me veprimin e një regjimi të Millosheviqit që dihen pasojat që i ka pësuar Kosova dhe qytetarët e saj”, ka thënë Lekaj.

Lidhur deklarimin e prokurorit, ka reaguar edhe e akuzuara Baftiu.

“Unë e ndjeva veten të fyer me krahasimin e prokurorit kur tha se veprimet tona që i kemi bërë ne i ka përjetuar ai në ish-regjimin jugosllav. Këtë nuk e prita nga prokurori ndonëse e dijmë që puna e tij është që të ofrojë prova rreth aktakuzës së ngritur por jo edhe të bëjë krahasime të tilla”, ka thënë e akuzuara Haxhiu.

Por prokurori Beqiri ka thënë se thënë se të akuzuarit e kishin keqkuptuar krahasimin.

“Lidhur me pretendimin e të akuzuarve për 1981-tën, gjoja se unë i krahasova veprimet e tyre me veprimet e një regjimi të kaluar, nuk është e vërtetë, unë thash për pasojat që i shkaktohen nga hedhja e gazit lotsjellës, për shkak se shkakton pasoja në shëndet, e nuk kam bërë krahasime me regjimin e Millosheviqit dhe me veprimet e të akuzuarve”, ka thënë prokurori Beqiri.

Ndryshe, fillimisht, gjykatëse e këtij rasti ka qenë gjykatësja Naime Krasniqi – Jashanica, por pas kalimit të saj nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Departament të Përgjithshëm, ky rast do të gjykohet nga gjykatësja Fatime Dermaku.

Ndryshe, për këtë rast gjashtë seanca ishin shtyrë, si ajo e 10 dhe 30 korrik, 2 dhe 15 shtator 2020, si dhe 16 mars e 1 prill 2021.

Sipas aktakuzës së ngritur me 8 prill 2016, Lekaj, Baftiu, Kadaj-Bujupi dhe Haxhiu akuzohen se pa autorizim kishin poseduar bombola të gazit lotsjellës.

Në aktakuzë thuhet se më 19 shkurt 2016, rreth orës 12:20, në hollin e Kuvendit e Kosovës, pas pauzës së punimeve të Kuvendit, derisa të akuzuarit ishin duke u kthyer në sallë, gjatë kontrollit nga ana e punëtorëve të sigurimit të Kuvendit, tek të akuzuarit ishin gjetur dhe sekuestruar nga një bombole e gazit lotsjellës, të cilën e mbanin pa autorizim.

Për këto veprime, katër të akuzuarit po dyshohet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1, të KPRK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat