Juristi: Qeveria Kurti 2 i ka kapacitetet për ta bërë ç’kapjen e shtetit

Aktuale

Juristi: Qeveria Kurti 2 i ka kapacitetet për ta bërë ç’kapjen e shtetit

Nga: N. H Më: 18 maj 2021 Në ora: 22:08
Albin Kurti

Njohësi i çështjeve juridike, Skënder Musliu, është i mendimit se ndërrimi i qeverive nuk ndryshon qenësisht në politikat dhe strategjitë afatgjate të zhvillimit, pasi konsideron se qeverisjet kanë një koherencë dhe konsistencë në qeverisjen e shtetit.

“Para disa ditëve, u bënë 50 ditë nga ardhja në pushtet e Qeverisë Kurti 2. Disa media, analist dhe gazetarë, vetëm pas 20 ditë qeverisje, nëpër studio të ndryshme organizuan debate duke ftuar politikan të opozitës, për t’a vlerësuar punën Qeverisë. Me këtë rast, duhet theksuar se në mentalitetin politik të Qeverive në ardhje është instaluar një rregull, që fillimisht, puna e saj të vlerësohet pas 100 ditë qeverisje. Ky parim i vlerësimit është shumë normal nëpër shtetet e zhvilluara, sepse ndërrimi i qeverive nuk ndryshon qenësisht në politikat dhe strategjitë afatgjate të zhvillimit, sepse qeverisjet kanë një koherencë dhe konsistencë në qeverisjen e shtetit”, ka thënë juristi Musliu.

Musliu ka thënë se në bazë të veprimeve të para dhe paralajmërimeve të bëra për hapat e ardhshëm ka sinjale pozitive nga qeveria aktuale.

Image
Skënder Musliu

“Në rastin e Kosovës, nuk mund të themi se afati për vlerësimin e Qeverisë duhet të jetë 100 ditë, sepse qeverisjet tona suksesive, njëra nga tjetra, kanë aq shumë dallime në (keq)qeverisje, saqë për shumë procese duhet të fillohet nga e para. Madje, Qeveria Kurti 2, në gjysmën e parë të mandatit, duhet të merret me sanimin e gjendjes së vështirë që ka trashëguar nga qeverisjet e papërgjegjshme për 20 vite me radhë. Duke pasur parasysh kushtet në të cilat vepron kjo Qeveri, mendoj se është shumë herët të bëhet vlerësimi i punës së saj, edhe pse pritshmëritë janë shumë të mëdha”, u shpreh me tej ai.

Madje, ai shprehet se nuk duhet të harrohet lehtë se gjatë 20 viteve qeverisje, në Kosovë ka lulëzuar korrupsioni endemik, nepotizmi, krimi i organizuar i profilit të lartë politik.

“Këtë e vërtetojnë edhe raportet vjetore të Departamentit Amerikan të Shtetit, Këshillit të Evropës dhe shumë OJQ vendore dhe ndërkombëtare, në të cilat Kosova cilësohet si shtet i kapur nga politika, ku ka korrupsion dhe krim të organizuar. Institucionet shtetërore ende janë të stërmbushura me militant partiak, e jo me profesionist të profileve të ndryshme, shëndetësia është gjunjëzuar, arsimi, me formimin e universiteteve private ku janë punësuar njerëz partiak, ka rënë në nivelin më të ulët e tij”, ka thënë ai.

Mirëpo, ai thekson se për t’u zgjidhur të gjitha problemet në vendin tonë duhet shumë punë dhe kohë.

“Të gjitha këto probleme nuk mund të zgjidhen brenda natës, por duhet shumë punë dhe kohë. Meqenëse se në LVV dhe Listën “Guxo”, respektivisht në Qeveri dhe në Parlament, ka një elitë të re politikanësh, intelektual të rinj të pashantazhuar dhe të pakorruptuar, mendoj se kjo Qeveri gjatë mandatit të parë do të mund t’i realizojë disa nga objektivat, sikurse luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, menaxhimin e pandemisë si dhe fillimin e rimëkëmbjes ekonomike duke krijuar vende të punës”, u shpreh Musliu.

Në fund, ai shprehet se duke krijuar infrastrukturën e përshtatshme dhe të nevojshme juridike ekzekutivi aktual gradualisht do të mund të fillojë zbatimin e procesit të ç’kapjes së shtetit.

“Besoj se duke krijuar infrastrukturën e nevojshme juridike, ndër të cilat, Ligjin mbi Vettingun, Ligjin mbi konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, etj. gradualisht do të mund të fillojë zbatimi i procesit të ç’kapjes së shtetit. Dhe kur flasim për ç’kapjen e shtetit, lirisht mund të them se Qeveria Kurti 2, i ka të gjitha kapacitetet dhe premisat për ta bërë këtë. Sigurisht se nuk do të jetë lehtë, sepse se do të ketë opstrukcione nga strukturat e vjetra të instaluara në sistemin e drejtësisë, që vet kapësit e shtetit i kanë vendosur prokurorët dhe gjyqtarët për t’ua mbrojtur interesat”, ka përfunduar juristi Skënder Musliu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat