Borrell rrëfehet për darkën ku ishte edhe Kurti, ja çka thotë për liberalizimin e vizave për Kosovën

Aktuale

Borrell rrëfehet për darkën ku ishte edhe Kurti, ja çka thotë për liberalizimin e vizave për Kosovën

Më: 21 maj 2021 Në ora: 17:55
Josep Borrell

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell, ka rrëfyer mbi takimin që ka pasur me gjashtë liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor këtë të martë në një darkë joformale, ku mori pjesë edhe komisionari për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhalyi.

Ai tha se takimi ishte i mirëseardhur pasi muajve të fundit është parë një zhgënjim nga ana e tyre karshi BE-së dhe një përhapje të retorikës nacionaliste, “shpesh përçarëse”.

“Në takimin tonë të fundit të Këshillit të Punëve të Jashtme, ministrat e Jashtëm të BE-së ranë dakord mbi nevojën për të rritur përpjekjet tona për ta sjellë rajonin më pranë Bashkimit Evropian”, tha Borrelli në blogun e tij personal.

Në këtë shkrim, Borrelli e njohu Albin Kurtin si kryeministër të Kosovës, në mënyrë të barabartë sikurse edhe liderët tjerë të vendeve të Ballkanit që morën pjesë në takim.

Duke folur për Kosovën, Borrelli theksoi se procesi i liberalizimit të vizave është çështje që është vonuar tepër, ndërsa shtoi se do ta mbështesë në tërësi këtë proces.

“Liberalizimi i vizave për Kosovën është vonuar shumë: vendi i ka plotësuar të gjitha kriteret dhe ne tani duhet të përparojmë në këtë çështje. Do ta mbështes në tërësi këtë. Do të lehtësojë edhe një takim tjetër të nivelit të lartë të dialogut Beograd-Prishtinë në qershor. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese mes Serbisë dhe Kosovës është vonuar shumë”, deklaroi Josep Borrell.

Ndër të tjera, ai tha se takimi i së martës ishte shumë i rëndësishëm në kohën kur rajoni edhe një herë ka hyrë në udhëkryq për sa i përket integrimit evropian.

“Desha të bashkëbisedoja me liderët e Ballkanit Perëndimor hapur dhe jozyrtarisht në lidhje me brengat dhe propozimet e tyre për rajonin dhe të ardhmen e tij evropiane, sikurse edhe për një qasje më strategjike ndaj politikës së jashtme evropiane. Jam po ashtu i etur të ndërtoj një marrëdhënie personale me ata liderë që kanë nevojë për hapësirë për të punuar në marrëdhënie të mira fqinjësore, me BE-në dhe mes vete”, tha Borrelli më tej në këtë shkrim.

Shefi i diplomacisë evropiane tha se ishte me rëndësi të demonstrohet në takim angazhimi i BE-së në rajon në nivel politik, përtej çështjes së zgjerimit.

“Megjithatë, diskutimi tregoi hapur se zgjerimi është tema, thuajse temë ekzistenciale, që e bashkon rajonin. Të gjithë liderët deklaruan se kanë vendosur ta vënë integrimin në BE në krye të agjendave të tyre dhe se kanë investuar kapitalin maksimal politik për ta çuar popullatën e rajonit më afër BE-së. Ardhja nga një vend që nisi të lulëzojë në vitet kur po përgatitej për anëtarësim në Bashkimin Evropian, e di se si BE-ja mund të shërbejë si një magnet, dhe t’u ndihmojë vendeve të ngjallen, rriten dhe prosperojnë”, theksoi Borrelli.

“Mjafton të shikohet harta për të kuptuar se sa i përfshirë është Ballkani Perëndimor në BE, siç tha një nga liderët të hënën”, shtoi më tej ai.

Më tej, ai përmendi se BE-ja është partneri kryesor tregtar për të gjitha vendet e BP-së, duke përfshirë pothuajse 70 për qind të tregtisë totale të rajonit.

Në 10 vjetët e fundit, Borrelli tha se tregtia e BE-së me BP-në është rritur për pothuajse 130%, ndërsa ajo e BP-së me BE-në është rritur për 207%.

Megjithatë, ai thotë se nevojitet shumë pak njohuri e historisë evropiane për të kuptuar se përse rajoni mbetet fragjil dhe integrimi i tij në BE kompleks.

“Në Ballkan nisi Lufta e Parë Botërore më 1914, dhe ishte gjithashtu në Ballkan që lufta dhe gjurmët e saj të vdekjes dhe shkatërrimit u kthyen në tokën evropiane në vitet e 1990-ta, pas rënies së Murit të Berlinit dhe shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Këto luftëra lanë plagë të thella që janë ende larg shërimit, pavarësisht nga koha e kaluar që nga Marrëveshja e Dejtonit e 1995 për Bosnjën dhe Hercegovinën dhe armëpushimi i vitit 1999 midis Serbisë dhe luftëtarëve të kosovarë për pavarësi. Përveç kësaj historie të vështirë vjen edhe loja e ‘perandorive të reja’ aspirante, me Rusinë dhe Kinën që përpiqen të rrisin fuqinë e tyre dhe të dobësojnë BE-në. Përkundër një mjedisi më të sigurt dhe më të qëndrueshëm tani, rajoni është ende larg marrjes së vetes”, potencoi Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell.

Ai përmendi edhe ndihmën që BE-ja ka dhënë për rajonin për ta luftuar pandeminë, ndihmë kjo që ka shkruar në 3.3 miliardë euro, ndërsa përmendi se edhe 651,000 vaksina për COVID-19 do të shpërndahen deri në gusht, “me ndihmën në veçanti të Austrisë”.

“Politika e identitetit po lulëzon në rajon dhe me të, ne shohim ide të rrezikshme për rishkrimin e kufijve përgjatë vijave etnike. Narrativa të tilla janë krejt e kundërta e asaj për të cilën qëndron integrimi evropian. Në dritë të këtyre zhvillimeve, unë e vendosa Ballkanin Perëndimor në agjendën e Këshillit të fundit të Punëve të Jashtme. Ishte hera e parë që nga viti 2018 që ndodhi një diskutim i tillë – ishte koha e fundit. Ministrat e Jashtëm shprehën shqetësimet e tyre rreth ‘humbjes së rajonit’ dhe theksuan vendosmërinë e tyre për t’u angazhuar në afrimin e Ballkanit Perëndimor më afër të ardhmes së tij evropiane. Ne ramë dakord që kur Ballkani Perëndimor të tregojë sukses, ne duhet ta njohim atë sukses”, deklaroi Borrelli.

Në lidhje me pozicionet në të cilat gjenden vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre evropiane, Borrelli përmendi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Malin e Zi si vende që po i presin Konferencat e para Ndërqeveritare për anëtarësim në BE në qershor.

Ai tha se Bosnja dhe Hercegovina duhet ta shfrytëzojë këtë vit jozgjedhor për të arritur reforma të thella elektorale, në sundim të ligjit dhe në amendamentimet e nevojshme kushtetuese.

“Vlerësova çiltërsinë e liderëve në të gjitha çështjet. Thirrja e tyre ndaj Shteteve Anëtare ishte e qartë: ‘përpiquni ta lexoni hartën dhe historinë e Ballkanit, mundohuni të na kuptoni më mirë dhe bëni plane për një të ardhme të përbashkët brenda Bashkimit Evropian’”, tha ai.

Në fund, shefi i diplomacisë evropiane tha se angazhimi i BE-së në rajon do të vazhdojë gjatë takimeve të Këshillit në qershor, gjatë Samitit të Procesit të Berlinit në korrik dhe në samitin BE-Ballkani Perëndimor në tetor.

“Për sa më përket mua, unë do të vazhdoj të jem plotësisht i përfshirë në rajon dhe planifikoj ta vizitoj rajonin në korrik nëse na lejon përfundimisht pandemia COVID-19 një gjë të tillë. Na duhet ta bëjmë 2021-ën vit të depërtimit në marrëdhëniet në të gjitha fushat mes BE-së dhe Ballkanit Perënidmor”, potencoi në fund të këtij shkrimi, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat