​Rikthehen përplasjet në KQZ, Daka thotë se anëtarët e LVV-së dëshirojnë që ajo të mendojë si ata

Aktuale

​Rikthehen përplasjet në KQZ, Daka thotë se anëtarët e LVV-së dëshirojnë që ajo të mendojë si ata

Më: 26 maj 2021 Në ora: 17:24
KQZ

Formimi i Këshillave të Komisionit Qendror të Kosovës ka rikthyer përplasjet në mes kryetares së KQZ-së, Valdete Daka dhe përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje në këtë institucion.

Derisa anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë kërkuar që formimi i Këshillave të KQZ-së të bëhet vetëm atëherë kur përbërja e KQZ-së të jetë e plotë, por që nuk është përkrahur nga anëtarët e tjerë të KQZ-së.

Anëtarët e LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi e Alim Rama, kanë qenë kundër që kryetarja e KQZ-së Valdete Daka të vazhdojë kryesimin e Këshillit për marrëdhënie me jashtë, pasi sipas tyre nën kryesimin e saj ky Këshill nuk ka mbajtur asnjë mbledhje.

Kurteshi tha se ai ka qenë anëtar i këtij Këshilli dhe asnjëherë nuk kanë mbajtur takim, derisa tha se është kundër që kryetarja e KQZ-së Valdete Daka të jetë anëtare dhe të udhëheqë me këtë këshill.

Kurteshi: Jam kundër që z.Valdete Daka të udhëheq Këshillin për marrëdhënie me jashtë

“Unë jam anëtar i këtij Këshilli dhe për një vit e tepër nuk e kemi mbajtur asnjë mbledhje, asnjë takim. Këshilli për marrëdhënie me jashtë nënkupton gjithë personat që janë jashtë KQZ-së dhe ka pasur takime. Jo veç me jashtë sepse nëse këtë jashtin e definojmë jashtë Kosovës dikush mundet me thanë edhe ajo nuk është po është diçka tjetër. Ka pasur takime, ju z.kryesuese keni pasur takime, keni mbajtur takime me persona nga jashtë edhe ky institucion, ky Komision kurrë nuk është njoftuar me to. Nëse ju e kuptoni me jashtë, jashtë Kosovës unë mund të them jashtëtokësor, po unë pajtohem me z.Rama dhe jo vetëm pajtohem, po unë mendoj dhe jam kundër që z.Valdete Daka të udhëheq Këshillin për marrëdhënie me jashtë”, tha ai.

Atij i ka reaguar kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, e cila tha se nuk ka pasur mbledhje për shkak se gjatë vitit 2020 nuk është mbajtur asnjë konferencë ndërkombëtare apo ndonjë takim ndërkombëtar.

Daka: Ky Këshill nuk ka rol me ju njoftua për takimet e mia si përfaqësuese e KQZ-së

“Së pari duhet ta dish çfarë roli ka ky Këshill, ky Këshill nuk ka rol me ju njoftua për takimet e mia si përfaqësuese e KQZ-së, ashtu siç e the ti ftesat të cilat më bëhen mua si kryetare e këtij institucioni janë ftesa që më drejtohen mua si kreu i këtij institucioni, ndërsa ky Këshill ka ekzistuar dhe ekziston për çështje tjera jo për t’iu njoftuar juve për takimet e mia, të cilat unë nuk i mbajë fshehtë. Ajo që ju nuk keni dëshirë me qenë kryesuese e këtij është dëshirë e juaja personale, unë për vete e shprehi interesin për me qenë edhe pjesë e këtij Këshilli po edhe me kryesu këtë Këshill qysh e kam kryesuar më herët”, tha ajo.

Anëtari tjetër i LVV-së në KQZ, Alim Rama, duke iu drejtuar kryetares së KQZ-së tha se ajo e ka humbur kredibilitetin të jetë kryesuese e këtij institucioni.

Rama: Ti ke humbur kredibilitetin me qenë edhe anëtare e KQZ-së jo kryesuese

“Ti ke humbur kredibilitetin me qenë edhe anëtare e KQZ-së jo kryesuese. Kështu që, në anën tjetër ne nuk kemi raport nga Këshilli për marrëdhënie me jashtë dhe përbërja e njëjtë nga një Këshill që nuk ka dorëzuar asnjë raport”, tha ai.

Përplasja ka vazhduar edhe në momentin kur kryetarja e KQZ-së Valdete Daka ka nisur të qes në votim emrat e anëtarëve për Këshillat e KQZ-së.

Anëtari i LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi, tha se anëtarët e këtyre Këshillave vendosen vetëm atëherë kur është përbërja e plotë e KQZ-së.

Kurteshi: Këto vendosen vetëm kur të jetë përbërja e plotë e KQZ-së

“Unë jam duke folur, unë isha duke folur nuk e kam fikur mikrofonin, ju e morët të dy, po ‘kceni si biberi në pasul’. Por, leni këtë punë, ky votim është politik, përpjekje për të mbrojtur atë që ka qenë, nuk mbrohet. Këshillat e KQZ-së janë vendime internet të brendshme të KQZ-së për përbërjen edhe për punën gjatë gjithë vitit dhe këto vendosen vetëm kur të jetë përbërja e plotë e KQZ-së. Është nxitim për me ia vnu themelet e një strukture që nuk ka me shkua në KQZ gjatë tërë vitit”, tha ai.

Atij i ka reaguar kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, duke i thënë se e falënderon për kërcënimet që po i bën vazhdimisht, e që ka reaguar sërish anëtari i LVV-së Sami Kurteshi, duke thënë se ajo është aq e pakuptueshme sa nuk e kupton çka është kërcënimi.

Daka: Ju pengon një person i cili nuk mendon sikur ju

“A bon me ditë çka keni, moti e keni humbur me sjelljen që i keni këtu. Këtu kemi me i mbajte mbledhjet ashtu siç është rregulli. Ju e keni personale, ju e keni personale, se ju pengon një person i cili nuk mendon sikur ju edhe tentoni me shti me mëndu sikur ju”, tha ajo.

Sërish ka reaguar anëtari i LVV-së Sami Kurteshi, duke thënë se Daka ka treguar preferenca të hapura politike.

Kurteshi: Ju keni treguar preferenca të hapura politike

“Ju keni treguar preferenca të hapura politike, ju e keni dëmtuar institucionin, ju keni marrë vendime, ju keni falsifikuar z.Daka, ju keni falsifikuar dokumente zyrtare edhe për këtë z.Daka shkohet në burg. Ky është kërcënim. Daka: Ju keni problem së pari që ekzistoj unë”, vazhdoi përplasja mes tyre.

Daka reagoi sërish duke thënë se sjellja e tyre është e tepërt dhe se është injorancë totale nga ta.

Në këtë mbledhje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim edhe për aprovimin e tri partive politike. Miratimin e anëtarëve të KQZ-së e ka marrë partia politike Iniciativa Balli, Bošnjačka Stranka dhe Kosova Adalet Türk Partisi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat