Familja Rukolli pret pjesët tjera të trupit të babait të masakruar nga forcat serbe në Rezallë

Aktuale

Familja Rukolli pret pjesët tjera të trupit të babait të masakruar nga forcat serbe në Rezallë

Më: 26 maj 2021 Në ora: 23:59
Rrustem Rukolli

Gërmimet në Kizhevak të Serbisë kanë përfunduar, e aty u gjetën mbetjet mortore të 10 personave, mes tyre edhe mbetjet mortore të pjesëve të një trupi, i cili dyshohet se i takon një kosovari i cili nga forcat serbe ishte masakruar në fshatin Rezallë.

Njëri prej familjarëve, Rrustem Rukolli, ka thënë se këto zhvillime të fundit, i kanë përcjellë me vëmendje dhe se rivarrimi i babait të tij pas kaq shumë kohësh, është mëse i vështirë.

”Jemi të prekur vazhdimisht kur marrim lajme të tilla. Shpresojmë që kësaj radhe të bëhet kompletimi i eshtrave të babait tim”.

Ai tregoi se cilët pjesë të trupit i ishin gjetur dikur babait të tij, të cilin më 2015, e kishin varrosur.

”Neve na është dorëzuar edhe një dëshmi, që është nënshkruar nga një anëtar i familjes, që është bërë edhe numërimi i eshtrave, ku ka rezultuar të mos jenë as 1/3 e eshtrave”.

”Ka qenë një pjesë e kafkës, eshtra të këmbëve e ku ta di, por as 1/3 s’ka qenë. Ne jemi gëzuar që kemi gjetur eshtrat në fillim, dhe kemi shpresuar që janë të gjitha. Por, kur kemi marrë vesh që nuk janë të gjitha, kjo ishte edhe një goditje tjetër për ne”.

Ai tha se kur ka ndodhur masakra e Rezallës, forcat serbe kanë hyrë i kanë mbledhur burra e gra, në një pikë, ndërkohë i kanë ndarë, dhe i kanë pushkatuar.

Si familjar ai pati edhe kërkesë për institucionet kosovare por dhe bashkësinë ndërkombëtare për çështjen e të pagjeturve nga lufta në Kosovë.

”Unë kisha kërkuar nga institucionet tona që me ngulm, të kërkojnë gjetjen e të zhdukurve gjatë luftës”.

”Por, njëkohësisht të kërkohet edhe nga bashkësia ndërkombëtare që kriminelët të sillen para drejtësisë pasi siç po shihet, para 22 vitesh ka ndodhur masakra dhe sot e kësaj dite askush nuk është sjellë para drejtësie”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat