“Trego ku është Ukshini”/ Çun Lajçi godet Ramushin: I thotë vetës Gjeneral lufte, pyet Albinin, por Hashimin kurrë s’guxoi...

Aktuale

“Trego ku është Ukshini”/ Çun Lajçi godet Ramushin: I thotë vetës Gjeneral lufte, pyet Albinin, por Hashimin kurrë s’guxoi...

Nga: N.Sh Më: 10 qershor 2021 Në ora: 16:56
Ramush Haradinaj dhe Çun Lajçi

Aktori dhe shkrimtari Çun Lajçi përsëri ka reaguar ndaj liderit të AAK-së, Ramush Haradinajt.

Përmes një shkrimi të gjatë Lajçi ka folur përsëri për pyetjen që Haradinaj ia kishte bërë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit për Ukshin Hotin.

Duke e komentuar këtë deklaratë të Ramushit, Lajçi thotë se Haradinaj i thotë vetëm gjeneral lufte dhe objektiva e tij ishte Rrafshi i Dukagjinit e deri në Pashtrik.

“I thotë vetës Gjeneral lufte, e prej Albinit kërkon me i tregua për Ukshin Hotin?! Operativa e tij ishte rrafshi i Dukagjinit deri n'Pashtrik, e Albinit, i thotë: Trego ku asht Ukshini, cimeri yt, tue harrua se ditën kur doli Ukshini, Albini ishte n’shtab me Demaçin!”, shkruan aktori.

Ai shton se më mirë vetën le ta pyet: “Ku isha unë që s'e mbrojta kur duel jasht rrethojave të burgut?”.

“Ai tjetri, që thotë ne jemi fara e UÇK-së, kërkon të di çka ka me i thanë Vuçiqit, e si ka me iu përgjigj ai këtij, ende pa shkua n'Bruksel!  Unë vetëm nji gja e di, se kurrë Hashimin s'guxofti me pyet, e kurrë Hashimi s'kallxoi se çka i tha Vuçiqi!”, shkruan tutje Lajçi.

Postimi i plotë:

Sorra nanë e korbi që ia ruen zogjët

Ju kam shkrua për shumëçka e shumëherë e kam teprua tue folë për hallet e mia, e për do njerëz, që s'shohin kend pos vetvetës. Jetojnë mes tokës e qiellit e pinë ujë vetëm n'gurrat e lavdisë së tyne!

Ma s'iu shkruej, se namit tyne i doli boja, siç m'i duel edhe virusit tim tash e tre muej! Ata s'i deshti plumbi, mua s'me deshti virusi dhe çfaj keni ju që duhet t'merreni me renkimet e mia e lavdet e tyne?

Veprat flasin për autorin, thojshin do t’meçëm që vdiqën, e statujat për herojin. Ata s'harrohen, por as përmendoret s'rritën sa do që thurim vargje apo rrimë t'heshtun.

Ata e kanë ba historinë e kanë mbetë histori!

Ju kam shkrua për shumëçka, e teprua e kam me do qen, me vathët e verdhë, t'mahallës sime, e me do t'humbun që flasin me hijet e veta e kokat i kërkojnë n'kanta plehu!

Për vetën s'do t'iu flas kurrë ma. S'dua t'keni shkas e t'me queni: Ankuesi i rrugëve të zbrazëta, me libra bastardësh e kopilanash!

Edhe për macjën shkrua iu kam. Për trimneshën e terracava që hajnisht i nxen pëllumbat e lagjës. Por kam harrua t'iu shkruej për sorrën e korbin, që çerdhën e kanë n'majen e plepit përballë ballkonit tim. Korbin, që ia ruen zogjët me krrokama, e sorrën nanë, që iu vërsul atë ditë macjës me ia marrë pëllumbin.

Ishte luftë mes dy shpendëve e nji gjitari. Pëllumbit që shpurdhte m'u çkapë nga dhambët e macjës, e sorra që donte me mbushë sepin mish, për zogjët që e prisnin gojë hapun!

Për ket s'iu shkrova atë ditë, se s'lan ata që e njohin vetëm vetvetën, e pinë ujë n'gurrat e trimnisë tyne. Deshta sot, por ja që u futën prap shtigjeve t'mia! Si lakuriqët e natës u katërrisën n'tregimin tim, e ia thyen vargjet, si macëja krahët e pëllumbit, e sorra iku të zogjët e vet, pa e mbushë sqepin mish.

I thotë vetës Gjeneral lufte, e prej Albinit kërkon me i tregua për Ukshin Hotin?!

Operativa e tij ishte rrafshi i Dukagjinit deri n'Pashtrik, e Albinit, i thotë: Trego ku asht Ukshini, cimeri yt, tue harrua se ditën kur doli Ukshini, Albini ishte n’shtab me Demaçin!

Ma mirë vetën le ta pyet: Ku isha unë që s'e mbrojta kur duel jasht rrethojave të burgut?

Ja, kjo asht opozita që ban pyetje budallica!

Ai tjetri, që thotë ne jemi fara e UÇK-së, kërkon të di çka ka me i thanë Vuçiqit, e si ka me iu përgjigjë ai këtij, ende pa shkua n'Bruksel! 

Unë vetëm nji gja e di, se kurrë Hashimin s'guxofti me pyet, e kurrë Hashimi s'kallxoi se çka i tha Vuçiqi!

S'po iu shkruej ma, as për macjën, as për sorrën, por as për këta që kanë nisë mos me pa as vetvetën ma!

As për liturgjinë e Peshkopit Theodosius, n’kishën fantazëm, që u mbajt sot për herë t’parë, që nga viti 1998, kur u ndertua me dhunë, n’zemrën e Univerzitetit t’Prishtinës, s’po shkruej, se iu prishet rehatia trimave t’lagjës Marigona e Albinit n’Shqipni. Për Vjosën s’po mërzitna, se thanë asht shkua afër Karpateve n’vizitë!

Liturgji n’kishën e Sllobodanit e Molliqaj me kompani, proteston çdo ditë kundër Albinit!

Po mendoj me i ra sharkisë, se fort jam mërzitë, e mendët me i kullotë bjeshkëve t'mia, (mbasi kambët s'po m'çojnë ma), atyne kodrina që gjeneralët ia falën Malit Zi!

Dardani, 10.06.2021

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat