Kosova shënon 22 vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s

Aktuale

Kosova shënon 22 vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s

Më: 12 qershor 2021 Në ora: 11:38
Një ushtar i KFOR-it para flamurit të NATO-s.

Krerët e institucioneve të Kosovës kanë bërë homazhe në Prishtinë te Pllaka Përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s, në 22 vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë.

Ndërhyrja e NATO-s, përkatësisht dislokimi i trupave paqeruajtëse të KFOR-it më 12 qershor, 1999, pasoi fushatën e sulmeve ajrore të Aleancës Veri-Atlantike kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi, që zgjati 78 ditë.

Kjo ditë, shënohet edhe si Dita e Lirisë apo Çlirimit të Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu tha se hyrja e forcave të NATO-s së bashku me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i sollën vendit, pas një sakrifice mbinjerëzore lirinë, çlirimin dhe paqen.

“Kjo pllakë përkujtimore shënon historinë e re te Kosovës dhe bashkëpunimin tonë të fuqishëm me aleatët perëndimorë”, tha Osmani.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se liria ishte pasojë e kontributit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmorëve dhe martirëve, por po ashtu edhe i “bashkimit të kontributit të përpjekjes tonë çlirimtare me faktorët ndërkombëtar”.

“Me vete faktin që aleanca me e madhe ushtarake i doli në ndihmë popullit të Kosovës dhe u mobilizua struktura me e madhe ushtarake demokratike në botë dhe e bombardoi Serbinë për shkak të gjenocidit që ajo ushtroi mbi popullin e Kosovës, kjo flet se kauza jone ishte e drejtë, që liria jone ishte shumë e shenjtë, prandaj duhet ta mbrojmë e ta ruajme atë me çdo kusht”, tha Konjufca.

Ndërsa kryeministri, Albin Kurti tha se në qershorin e vitit 1999 këmbësoria e NATO-s iu bashkua ndërhyrjes ajrore “kundër Jugosllavisë së Millosheviqit për ta ndaluar, gjenocidin kundë popullit shqiptar”

“Më 12 qershor kremtojmë paqen, çlirimin dhe lirinë dhe ia përkujtojmë vetes për çdo dite sepse të gjithë ato gra e burra që u sakrifikuan dhe dhanë jetën, ndodhen në themelet e institucioneve tona, të shtetit tonë, pavarësisë sonë, të cilën duhet ta shpiejmë më tej me zhvillim drejtësi dhe demokraci”, tha Kurti.

Sulmet ajrore, filluan më 24 mars, 1999, pas dështimit të bisedimeve në Rambuje të Francës, ku me ndërmjetësimin ndërkombëtar ishte zhvilluar konferenca paqësore atë kohë ndërmjet autoriteteve të atëhershme të Serbisë dhe përfaqësuesve të shqiptarëve të Kosovës. Marrëveshjen e kompromisit e kishte pranuar pala nga Kosova, por jo edhe delegacioni nga Serbia, çka edhe solli më pas vendimin e shteteve perëndimore dhe NATO-s, për nisjen e fushatës ajrore kundër caqeve ushtarake serbe. Këto sulme, u ndërmorrën për të ndalë krimet dhe spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës nga ana e forcave serbe nën komandën e Sllobodan Millosheviqit.

Pas 78 ditësh të sulmeve, bombardimet janë ndërprerë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kjo Rezolutë, ishte një kompromis i pesë vendeve të përhershme anëtare të Këshillit të Sigurimit në bazë të së cilës, në Kosovë vendosej një administratë e Kombeve të Bashkuara – UNMIK, e cila administronte fazën tranzitore deri në ngritjen e institucioneve vendore dhe zgjidhjen e përhershme të statusit të Kosovës.

Një ditë më herët, ishte nënshkruar edhe Marrëveshja Teknike e Kumanovës, e cila parashihte tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të NATO-s në Kosovë.

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, më 12 qershor 1999, kishte mundësuar edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800 mijë refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.

Më 12 qershor 1999 filloi vendosja e rreth 50,000 ushtarëve nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30,000 ishin nga vendet e NATO-s.

Sot, 22 vjet pas kësaj ndërhyrjeje, trupat e paqeruajtëse të KFOR-it (NATO-s) janë në numër më të vogël, gjithsej 3.600, në pjesë të ndryshme të Kosovës me mision paqeruajtës.

Zëvëndëskomandanti i KFOR-it, Gunter Schopf, tha se KFOR-it do të qëndrojë aq sa do të jetë e nevojshme për të ruajtur paqen për të gjitha grupet etnike në Kosovë./Rel/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat