“Festa më e madhe në jetë”, 22 vjetori i hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë

Aktuale

“Festa më e madhe në jetë”, 22 vjetori i hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë

Më: 12 qershor 2021 Në ora: 21:29
12 qershor, 1999

Kosova shënon sot 12 qershorin që njihet si dita e çlirimit. Në këtë ditë, 22 vjet më parë trupat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja, hynë në Kosovë ndersa trupat serbe po largoheshin, duke i dhënë fund luftës gati dy vjeçare që u mori jetën mijëra njerëzve.

Më 12 qershor të vitit 1999, NATO-ja filloi operacionin e vendosjes së mbi 50 mijë trupave paqerujatëse në Kosovë, pas një fushate 78 ditëshe të bombardimeve ndaj forcave serbe, që po atë ditë filluan largimin nga Kosova.

“Erdhi koha e çlirimit kur hyri KFOR-i dhe ne shikonim nga ballkonet se si tërhiqeshin, gëzim i madh - forcat serbe po tërhiqeshin”, thotë një qytetare.

“Ishte një ndjenjë që me të vërtetë nuk e di as si të shprehem, sepse ishte një tmerr i hatashëm për më shumë se 90 ditë që ne ishim të okupuar dhe çdo moment prisnim situata të paimagjinueshme. Kështu që ajo ditë kur erdhi dita e çlirimit ishte një ditë me plot emocione, gëzim, ishte e jashtëzakonshme, ishte sikur të rilindnim për së dyti”, thotë një qytetar.

“Festa më e madhe në jetë - dita e çlirimit. Kemi qenë shumë të okupuar nga okupatori serb, tash ditën e çlirimit e festojmë çdo vit”, thotë një tjetër.

Udhëhqesit politik të Kosovës e vlerësuan si ditë historike 12 qershorin ndërsa vunë kurora lulesh në pllakën përkujtimore kushtuar pjesëtarëve të KFOR-it që humbën jetën gjatë shërbimit të tyre në Kosovë.

“Jemi po ashtu këtu për të nderuar vazhdimin e këtij kontributi i cili nuk është ndalur në vitin 1999, atëherë kur forcat e NATO-s hynë në Kosovë duke u shndërruar kështu në shpëtimtarët e popullit të Kosovës, por kontribut i cili ka vazhduar edhe më tej e vazhdon edhe sot për paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe në gjithë rajonin tonë”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Të gjithë ato gra e burra të cilët u sakrifikuan e dhanë jetën, ndodhen në themelet e institucioneve tona, të shtetit tonë, të pavarësisë sonë të cilën duhet ta shpiejmë më tej me zhvillim, drejtësi dhe demokraci”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Liria jonë ka ardhur si kontribut i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmorëve tanë të cilët e dhanë jetën për liri, i rreth 14 martirëve të cilët e dhanë jetën që ne të jemi të lirë e ta gëzojmë shtetin e pavarësinë tonë por po ashtu edhe i bashkimit të kontributit të përpjekjes tonë çlirimtare me faktorët ndërkombëtarë të cilët e ndihmuan luftën tonë”, tha kryetari i parlamentit, Glauk Konjufca.

Aktualisht rreth 3 mijë e 600 trupa shërbejnë në kuadër të misionit të drejtuar nga NATO-ja, roli i së cilës në Kosovë vlerësohet si i jashtëzakonshëm jo vetëm për çlirimin e krijimin e një mjedisi të sigurt, por edhe rindërtimin e vendit që doli nga lufta me mbi dhjetë mijë të vrarë e rreth pesë mijë të zhdukur.

Organizatat humanitare tërheqin vërejtjen se edhe më tej ka pak perosna të dnëuar për mizoritë e frocave serbe në Kosovë, ndërsa Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirmitare të Kosovës, u hodh të shtunën në një protestë për të shprehur pakënaqësinë me siç thanë, ‘njollosjen e luftës çlirimtare”.

“UNMIK-u kishte mandat që të gjykonte krimet e kryera në Kosovë, por akuzoi e gjykoi vetëm shqiptarët. EULEX-i kishte mandat gjykimin e krimeve të kryera në Kosovë, por akuzoi e gjykoi vetëm shqiptarët. Gjykata Speciale gjykon vetëm shqiptarët, por jo krimet e kryera në Kosovë, jo krimet e masakrat që i ka shkaktuar pushtuesi serb ndaj civilëve, por do të gjykojë luftën tonë çlirimtare. Në këtë përvjetor të ditës së çlirimit, themeluesit e udhëheqësit e UÇK-së gjenden prapa grilave në Hagë”, ushtruesi i detyrës së Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Faton Klinaku.

Nëntë vjet pas hyrjes së trupave të NATO-s, Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008 që njihet nga mbi 100 vende të botës por vazhdon të kundërshtohet nga Serbia.

Të dyja vendet pritet që javën e ardhshme të rifillojnë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve që është kusht për integrimet evropiane./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat