Kjo është alternativa e re demokratike e Joe Bidenit

Aktuale

Kjo është alternativa e re demokratike e Joe Bidenit

Nga: N.Sh Më: 14 qershor 2021 Në ora: 12:40
Joe Biden

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po bënë udhëtimin e parë jashtë vendit.

Ai këtë udhëtim ka filluara nga Britania e Madhe, me takimin e G7, në selinë e NATO-s dhe me shefat e shteteve anëtare të BE-së, ka për synim t’i bashkojë e ripozicionojë demokracitë perëndimore kundruall Kinës dhe Rusisë.

Në këtë ristrukturim të Perëndimit, alias demokracive liberale, zënë vend gjithsesi edhe India, Australia dhe Koreja e Jugut.

Rimëkëmbja dhe strukturimi i demokracive si e vetmja alternativë, mbetet fuqia objektive dhe alternativa e vetme.

Kështu thotë dr. Sadri Ramabaja, i cili shton se në këto takime Kina formalisht nuk do të jetë prezentë, por gjatë gjithë kohës ajo do të jetë objekt i diskutimeve dhe strategjisë së re të Perëndimit.

“A do të arrijnë sërish demokracitë liberale t’i ofrojnë alternativë më reale botës, siç kishin bërë pas Luftës së Dytë Botërore dhe sidomos në vitet ‘60-ta të shek. të kaluar, mbetet të shihet. Në këtë angazhim të veçantë të tij Biden e ka parasysh mendimin kritik të diplomatit amerikan të karrierës Henry Kissinger, kur kishte pohuar se SHBA dhe Kina, si supershtete “të dyja janë shumë të mëdha për t’u sunduar nga tjetri, shumë të dallueshme për t’u transformuar, shumë të varur nga njëri-tjetri për të toleruar izolimin e tjetrit”. Tek kjo sentencë e mendimit realist politik qëndron ndërkohë debati për formësimin e rendit të ri botëror, brenda të cilit duhet të përfshihet edhe Rusia. Prandaj, i vetëdijshëm për këtë hap historik, presidenti Biden, pohon se ky formësim ka të bëjë me “fitoren në shekullin 21”, në garën që tashmë ka startuar”, thotë Ramabaja.

Sipas tij, në këtë garë të veçantë që historia moderne ua imponon demokracive perëndimore mes Kinës dhe Perëndimit, si gjatë gjithë shekullit 20-të, qëndron Rusia.

Image
Sadri Ramabaja

“Ajo, si kundërshtare e rreptë e rendit të ri botëror, ku do të dominonin SHBA-të, po bën çmos që ta shkëpusë Evropën nga aleanca tradicionale euroatlantike dhe ta tërheqë në sferën e ndikimit të saj, duke ndërmjetësuar edhe tek Kina, si letër lakmuesi për kapitalin evropian. Joe Biden është i vetëdijshëm për gabimin strategjik administratës pararendëse që kishte toleruar përafrimin e tepërt të Rusisë me Kinën. Ky gabim strategjik gjithsesi, gjykojnë ekspertët e fushës, është produkt i trashëgimisë së Luftës së Ftohtë, që nuk janë tejkaluar as sot e kësaj dite në raportet mes SHBA-ve dhe Rusisë. Për rrjedhojë konkurrenca për sfera rajonale të ndikimit vazhdon të ashpërsohet, por edhe kundërshtimi i modelit të demokracisë perëndimore nga ana e Rusisë dhe rikthimi e kultivimi i autoritarizmit tradicional, është jashtëzakonisht prezent dhe reflekton edhe në mosrespektimin e ligjit ndërkombëtar”, pohon ai.

Ramabaja thekson se, qarqe të veçanta evropiane, përfshi edhe opozitën e djathtë në rritje, sidomos në Gjermani dhe Francë, kanë vërejtje serioze për alternativën e Joe Bidenit dhe përgjithësisht për raportet që po kultivon Perëndimi me Rusinë, sidomos kur është në pyetje qëndrimi ndaj çështjeve të nxehta si Ukraina dhe Bjellorusia.

“Pajtimi i ambicies së ligjshme mbi ngritjen e një Alternative të re demokratike që do të garantonte zbatimin e vlerave perëndimore gjithandej në planet në njërën anë, dhe kultivimi i raporteve të mira me qeverinë autoritariste ruse, duket i pamundur. Por edhe ndërtimi i strategjisë dalëse për ristrukturimin e demokracive perëndimore në një bllok unik përballë Kinës pa ndihmën e Rusisë, me të drejtë, nga ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare, konsiderohet si punë Sizifi, diç e pa mundshme. Në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të SHBA të vitit 2017, Rusia (së bashku me Kinën) përshkruhet si një rival strategjik, ndërkaq Strategjia Ruse e Sigurisë e vitit 2015 i karakterizon SHBA-të dhe aleatët e saj (NATO dhe BE), tutje si kërcënim real për Rusinë”, pohon ai.

“Presidenti i SHBA e sheh Kinën si kërcënimin më të rëndësishëm të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara”, tha Ian Bremmer, president i grupit këshillimor të politikës globale Eurasia Group në Nju Jork.

“Në parim, evropianët pajtohen me shumë nga akuzat e Uashingtonit kundër praktikave ekonomike të Pekinit. Izolimi i tregjeve të veta, shtrembërimi i konkurrencës përmes subvencioneve, vjedhja e pronës intelektuale – për t’iu kundërvënë kësaj të fundit, BE po përpiqet gjithashtu të bashkëpunojë ngushtë me amerikanët. E njëjta gjë vlen për sektorin e teknologjisë dhe kështu për çështjen nëse vlerat demokratike apo autokratike formojnë bazën për standardet e botës digjitale”, potencon ai.

Ramabaja pohon se, çështja tashmë është nëse evropianët janë të gatshëm për t’ju bashkuar strategjisë amerikane edhe në raportet me Kinën.

“Volfgang Ishingeri nuk është shumë optimist. “Evropa është ende në gjumë”, ankohet jo pa bazë kreu i Konferencës së Sigurisë në Mynih (MSC). Mungesa e strategjisë evropiane në raport me Kinën po shkakton natyrshëm “rritje të zhgënjimit” në Uashington”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat