​Konjufca i kundërpërgjigjet von Cramon-it: Liberalizimi i vizave s’ka lidhje me dialogun

Aktuale

​Konjufca i kundërpërgjigjet von Cramon-it: Liberalizimi i vizave s’ka lidhje me dialogun

Më: 14 qershor 2021 Në ora: 14:59
Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, iu është kundërpërgjigjur disa prej deklaratave të përfaqësueses për Kosovë në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e cila në një intervistë ekskluzive për KP ka deklaruar se nëse liberalizohen vizat për kosovarët, atëherë të nëjtit do të pranojnë më lehtë kompromiset e dialogut.

Në një konferencë për media, pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Konjufca tha se është lajm i keq nëse vizat vendosen si kusht për dialogun.

Sipas tij, ky është degradim që po i bëhet këtij procesi.

Konjufca: Lajm shumë i keq nëse vizat vendosen kusht për dialogun

“Do të ishte mirë që institucionet tona mos me lidh liberalizimin e vizave me dialogun që ka të bëjë me Serbinë. Kushdo që e pranon që ka një kauzalitet mes sjelljes në dialog dhe liberalizimit të vizave, ia ka bërë një keqpërdorim të madh procesit të liberalizimit të vizave. Pse? Meqenëse procesi i liberalizimit të vizave ka qenë tërësisht i ndarë prej këtij dimensioni politik, që është dialogu me Serbinë dhe Bashkimi Evropian deri tash ka arritur goxha mirë që me mbajt si proces të ndarë liberalizimin e vizave me atë çka ndodh në dialog me Serbinë. Pra, nëse dikush mendon që liberalizimin e vizave duhet me vendos si kusht shtesë për Kosovën në relacion me dialogun me Serbinë, atëherë mendoj se ky do të ishte lajm shumë i keq për Republikën e Kosovës, meqenëse kriteret për plotësimin e të gjitha kushteve për liberalizimin të vizave, Kosova i ka përmbyll më 2017. Prej vitit 2018, çdo zyrtar evropian, edhe nga Komisioni Evropian, kanë thënë se Kosova ka plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave. Tash, pas këtij konkludimi se Kosova i ka plotësuar kushtet, me na zhvendos liberalizimin në avancimin se sa mirë po ec dialogu me Serbinë, është degradim për liberalizimin e vizave”.

Tutje, Konjufca deklaroi se dialogu mund të zgjasë me vite, andaj qytetarët e Kosovës nuk mund të mbesin peng i këtij procesi.

Konjufca: Liberalizimi i vizave s’ka lidhje me dialogun

“Mendoj se Qeveria e Kosovës dhe çdo përfaqësues i përgjegjshëm duhet të mbajë qëndrimin se liberalizimi i vizave s’ka lidhje me dialogun me Serbinë. Ky dialog mund të zgjas me vite. Edhe ne kemi qef me u kry më shpejt, por është vështirë me ndodh kur Vuçiqi mendon se duhet të marrë diçka në Kosovë. Me këto qëndrime të Vuçiqit dhe me këto ambicie të Serbisë, dialogu mund të zgjasë me vite. Liberalizimi s’bon me u lidh me këtë proces, sepse qytetarët mbesin peng. Shihni paradoksin: më 2020, unë kam qenë në një samit, në të cilin vetë shteti i Serbisë është deklaruar se s’ka problem me liberalizimin. Nuk i takon Serbisë të përzihet në këtë proces, sepse është proces i Komisionit Evropian, mirëpo nëse doni me lidh procesin e vizave me Serbinë, ndodh që paradoksalisht, ju i jepni Serbinë në duar liberalizimin e vizave për Kosovën. Serbia bëhet kushtezuese për vizat. Ky do të ishte gabimi pafalshëm. Mendoj se zyrtarët evropianë, edhe të Komisionit Evropian, e kanë gabim dhe nëse ekziston ky version, si qëndrim zyrtar i Komisionit Evropian, mendoj se do të ishte kthim mbrapa për Kosovën në liberalizimin e vizave”.

Në anën tjetër, përfaqësuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, tha se liberalizimi i vizave duhet të jetë hap i parë në procesin e integrimit të Kosovës në BE.

Sipas saj, me viza të liberalizuara, qytetarët në Kosovë pranojnë më lehtë kompromiset që mund të dalin nga marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë.

“Siç e thash, unë nuk jam palë negociuese dhe nuk kam mandat që t’i tregoj askujt se si mund të duket një kompromis. Mendoj se është shumë e vlefshme që të llogaritet çdo gjë që është e rëndësishme për interesin nacional. Të llogaritet se çka është e nevojshme për Kosovën dhe cila është perspektiva afatgjate dhe unë e shoh se perspektiva afatgjate është patjetër integrimi në Bashkimin Evropian. Por, ju keni të drejtë. Për këtë, liberalizimi i vizave duhet të jetë hapi i parë, para fazës së reformave. Mendoj se Evropa duhet të dëshmojë se i ka kryer detyrat e saj, se ata do ta japin dritën e gjelbër për njerëzit në Kosovë dhe atëherë do të thoja se do të ishte më e lehtë për njerëzit në Kosovë që të pranojnë një kompromis, çfarëdo qoftë ai”, shtoi ajo. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat