Shkarkimi i Valdete Dakës, publikohet vendimi i presidentes Osmani

Aktuale

Shkarkimi i Valdete Dakës, publikohet vendimi i presidentes Osmani

Më: 14 qershor 2021 Në ora: 16:34
Valdete Daka

Valdete Daka është shkarkuar sot nga  kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Në vendimin e Presidentes Vjosa Osmani, thuhet se kryesuesi i KQZ-së duhet të jetë i pavarur.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është organ i pavarur kushtetues, dhe përgjegjësia për ta ruajtur pavarësinë e KQZ-së së pari është përgjegjësi e kryesuesit të Komisionit. Kryesuesi i KQZ-së nuk vjen nga radhët e partive politike, por emërimi i tij bëhet me një proces të veçantë, fakt ky i cili tregon se kryesuesi duhet të jetë i pavarur në veprimet e tij edhe kur brenda KQZ-së mund të ketë presione nga subjektet politike. Në procesin e fundit zgjedhor, KQZ ka qenë e polarizuar dhe mbledhjet e vendimmarrja janë shoqëruar me tensione si kurrë më parë”, thotë vendimi.

Tutje theksohet se Daka nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur e polarizimeve politike dhe duke pamundësuar balancin e nevojshëm në këtë organ, sidomos përgjatë procesit të zgjedhjeve të parakohshme më 14 shkurt 2021, e ka cenuar pavarësinë dhe integritetin e KQZ-së.

“Kryesuesja e KQZ-së, në shumë raste, nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike kështu duke u pamundësuar balancin e nevojshëm në këtë organ. Në fakt, në disa raste, sjelljet e Kryesueses janë të njëjta me ato të disa përfaqësueseve të partive politike në KQZ. Rrjedhimisht, Kryesuesja, qoftë me veprim apo mosveprim, ka kontribuuar në përshkallëzimin e situatës gjatë mbledhjeve të këtij organi”, thuhet në vendim.

Mes tjerash, në këtë vendim është përmendur edhe trajtimi i pabarabartë kur u lejua votimi me dokumente të skaduara.

Gjyqtarja e Gjykatës Supreme, Valdete Daka e udhëheq Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që nga qershori i vitit 2010.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat