Përjashtohet nga policia Haris Kelmendi

Aktuale

Përjashtohet nga policia Haris Kelmendi

Më: 14 qershor 2021 Në ora: 17:31
Përjashtohet nga policia Haris Kelmendi

Është larguar nga puna, polici Haris Kelmendi, i cili kishte ushtruar dhunë ndaj një të riu brenda stacionit policor.

Komisioni i Brendshëm Disiplinor brenda Policisë së Kosovës, e ka trajtuar rastin disiplinor që ka të bëjë me zyrtarin në fjalë dhe ka marrë vendim që të njëjtit ti shqiptoj masën disiplinore ”Ndërprerje e Marrëdhënies së punës”.

Kështu u tha në një përgjigje nga Policia e Kosovës.

Tutje në përgjigje thuhet se suspendimi është i përkohshëm deri në një vendim tjetër administrativ.

“Lidhur me kërkesën tuaj, ju njoftojmë se Policia e Kosovës, respektivisht Komisioni i Brendshëm Disiplinor i Policisë së Kosovës e ka trajtuar rastin disiplinor që ka të bëjë me zyrtarin në fjalë dhe ka marrë vendim që të njëjtit ti shqiptoj masën disiplinore ”Ndërprerje e Marrëdhënies së punës””.

“Vendimi në fjalë është pranuar nga i apostrofuari dhe ndaj tij është zbatuar edhe suspendimi i përkohshëm nga puna deri në vendimin tjetër administrativ. Në këtë rast, vendimi merr formën e prerë pas kalimit të afatit të së drejtës për ankesë apo pas vendosjes në shkallë të dytë nga ana e Komisionit për Ankesa”.

Po ashtu media ka raportuar edhe se viktima e këtij rasti, Leutrim Rama, para dy javësh nën gjendje të dehur i ka therrur me thikë dy persona.

Rasti është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

“Më datë 01.06.2021, rreth orës 00:05, është raportuar për një përleshje fizike në mes të disa personave të ndodhur në rrugën “Ilir Konushevci” në Prishtinë.Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes me ç’ rast ka arrestuar të dyshuarin; L.R, 22 vjeç, shtetas Kosovar”.

“Nga hetimi preliminar janë ngritur dyshimet se, i dyshuari me një mjet të mprehtë u ka shkaktuar lëndime trupore dy viktimave të cilët janë dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor.Ndërkohë që i dyshuari është arrestuar, ai ka marrë trajtimin e nevojshëm nga mjekët emergjent si dhe ka rezultuar të jetë nën ndikim të alkoolit”.

“Me rekomandimin e prokurorit të shteti i njëjti është dërguar në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh dhe ndaj tij është iniciuar një hetim për rastet vrasje në tentativë si dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Burimet brenda policisë bëjnë të ditur se 22 vjeçari, i ka të regjistruar në polici edhe 23 vepra të tjera, në disa prej të cilave është si i dyshuar.

Gjatë ditës Klankosova.tv ka provuar të kontaktojë edhe me avokatin Naim Rudari, i cili mbron policin Haris Kelmendi, por që deri më tani nuk ka kthyer ndonjë përgjigje lidhur me rastin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat