Mehmeti kërkon mbështetje për pajisje teknike për Policinë e Kosovës

Aktuale

Mehmeti kërkon mbështetje për pajisje teknike për Policinë e Kosovës

Më: 15 qershor 2021 Në ora: 14:50
Samedin Mehmeti

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka thënë se nuk kanë pasur informacion rreth mbajtjes së liturgjisë në kishën ortodokse serbe pranë Universitetit të Prishtinës, të mbajtur javën e kaluar. Rreth kësaj, aksionit të konfiskimit të 400 kilogramëve drogë dhe sfidave në policinë e Kosovës, ai ka folur para deputetë të Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Liturgjia e serbëve në objektin e papërfunduar të kishës serbe ishte provokim për popullatën kosovare, tha kryetari i Komisionit për çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha, i cili kërkoi sqarime nga drejtori i policisë pse nuk e kanë parandaluar një gjë të tillë.

Berisha: Liturgjia në kishën serbe e ka provokuar popullatën kosovare

“Ju e dini që është mbajtur një meshë në kishën serbe të Millosheviqit në oborrin e UP-së e cila u ndërtu më 1992, kishë politike, dhe kjo ka provokuar shumë dhe ka nervozuar popullatën kosovare, që dihet se ky regjim ka bërë gjenocid në këtë popull. A keni qenë të njoftuar, nëse po, pse nuk e keni parandaluar këtë provokim”, ka pyetur deputeti Berisha.

Por sipas drejtorit të policisë, nuk kishte asnjë informacion paraprak rreth këtij aktiviteti.

Mehmeti: Policia e Kosovës nuk ka pasur njohuri për liturgjinë në kishën serbe

“Ne nuk kemi qenë të njoftuar fare se do të mbahet aktivitet kishtar në objektin të cilin e përmendet. Më lejoni të ju njoftoj se Policia e Kosovës, këtë objekt nuk e ka në listën e objekteve të cilat i siguron 24 orë, në e përmenda numrin e objekteve fetare të cilat ne i sigurojmë 24 orë, ky objekt nuk gjendet në listën e objekteve të cilat ne i sigurojmë 24 orë. Ne nuk kemi pasur asnjë njohuri që në këtë vend do të mbahet një liturgji”, ka thënë Mehmeti.

Gjatë raportimit të tij në komision, ndër të tjera, Mehmeti është pyetur edhe për arrestimin e policëve dhe konfiskimin e 400 kilogramë drogë.

Për arrestimin e policëve, ai a ka thënë se ka informacione të limituara.

Mehmeti: Informacionin rreth kapjes së 400 kilogramë drogë e kam marrë kur është konfiskuar droga

“Informacionin rreth kapjes së drogës e kam marrë në momentin kur është konfiskuar droga, pjesa tjetër e informacionit është pjesë e operacionit që ata e kanë vepru dhe unë e kam ditë që është një pako e kontrolluar por as nuk e kam dita cila pako as çka është, për shkak se nuk është natyrë e punës me i pyet ata çka po hetojnë. Ndërsa unë nuk kam asnjë informacion as në këtë rastin e 400 kilogramëve që ata e kanë përgjuar dikë dhe e kanë liruar, nuk kam informacion, nëse e kisha ditë atë informacion unë po ju tregoj shumë sinqertë që kisha vepru, edhe sot nëse e di atë informacion do të ketë veprime ligjore, pavarësisht kush është ai, e nëse unë jam ai atëherë është mirë ata me ndërmarrë masa ndaj meje”, tha ai.

Ndërsa kur është pyetur për shkarkimin e drejtorëve në departamentet e Policisë së Kosovës, Mehmeti ka thënë se ato nuk janë shkarkime por vetëm ndërrime pozitash, çka sipas tij ka ndodhur për shkak të përformancës.

Mehmeti ka kërkuar mbështetjen e deputetëve për kompletimin e Policisë së Kosovës me pajisje teknike, për çka tha se është e nevojshme të dixhitalizohet trafiku në mënyrë që të ndikojë edhe në uljen e numrit të aksidenteve.

Mehmeti: Policia ka nevojë për radar dhe mjete të tjera teknike

“Vërtetë kemi numër të vogël të radarëve dhe mjeteve teknike përballemi me shumë probleme në këtë aspekt, aktualisht jemi në procedurë të blerjes edhe të radarëve statik, edhe të radarëve mobil, edhe të mjeteve teknike që do të vendosen në automjete, ato që në botën perëndimore quhen smart patrollë që i identifikojnë kundërvajtjet, e në këtë formë mund të adresojmë problemin e trafikut”, tha Mehmeti.

Gjatë raportimit, drejtori i PK-së ka folur edhe për rastet me terrorizëm dhe krim të organizuar, çka sipas tij, për gjashtë muaj është punuar në hetimin e 801 rasteve për krim të organizuar dhe terrorizëm.

Ai ka thënë se në këto raste janë 891 persona të përfshirë dhe 552 të arrestuar.

Rreth problemeve në shkolla, Mehmeti ka thënë se Policia e Kosovës ka të angazhuar polic civil për monitorim të shkollave por që në shkollat e mesme të larta tani patrullojnë edhe polic të informuar dy herë brenda orarit, meqë sipas tij, operacionet me polic civil nuk kanë treguar rezultate të mjaftueshme.

Ndërsa lidhur me rastet e dhunës në familje, Mehmeti ka bërë të ditur se sivjet janë regjistruar 889 raste të reja, që është numër më i madh me vitin e kaluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat