Dardan Molliqaj flet për aksionin e sotëm të PSD-së

Aktuale

Dardan Molliqaj flet për aksionin e sotëm të PSD-së

Më: 15 qershor 2021 Në ora: 19:27
Dardan Molliqaj

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka treguar se cili është kuptimi pas aksionit të sotëm të subjektit të tij në sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë.

Partia Socialdemokrate ka realizuar një aksion simbolik pas takimit të kryeministrit Albin Kurti me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, duke ia kujtuar Kurtit fjalët kur thonte se nuk e takon përfaqësuesin serb pa kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë. Aksioni është zhvilluar në përkujdesje të Policisë së Kosovës, teksa në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë është vendosur pankarta e fotografisë së takimit, me mbishkrimin “Kjo është montazhe, ky takim nuk ka ndodhur”.

“Fake News, Albini nuk e takon Vuçiqin pa kërkuar falje Serbia”, thuhet ndër të tjera në pankartën e realizuar nga PSD’ja. E Molliqaj ka treguar pse është marrë ky aksion.

“Jemi këtu për ta luftuar dezinformimin. Fotoja që po e shihni këtu është montazh. Një takim i tillë nuk ka ndodhur kurrë. Një takim i tillë nuk do të ndodhë pa e njohur Serbia Republikën tonë; një takim i tillë nuk bëhet pa ardhur kërkim- falja nga Serbia, e pa u zbardhur fati i të pagjeturve. Kryeministri ynë ka thënë kështu, s’ka si të jetë ndryshe.  Eksponentë dashakëqinj nga mediat e partitë politike po duan ta njollosin figurën kristal të kryeministrin tonë. Ata duan t’i pengojnë e t’i fshehin të arriturat tona kolosale”, ka thënë ai.

“Qytetarë të dashur, ju duhet të keni kujdes. Bota është e mbushur plot kurthe, gënjeshtra dhe armiq. Gjërat që i shihni, nuk i shihni në tërësinë e tyre; ato që i dëgjoni nuk u’a kuptoni prapaskenat. Prandaj duhet ta ndjekim linjën: të shohim me syrin e Partisë e ta dëgjojmë fjalën e saj. Ekziston çfarë thotë Partia: dëgjoj Partinë, prandaj jam. Sy e veshë i kemi vigjilencë për Partinë. Ne tregojmë, ajo na udhëzon. Ajo i sheh të gjitha falë  besnikërisë tonë”, shtoi Molliqaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat