Opozita akuzon LVV-në për kapje të shtetit

Aktuale

Opozita akuzon LVV-në për kapje të shtetit

Më: 16 qershor 2021 Në ora: 06:29
Foto ilustrim

Vendimi i fundit i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani për shkarkimin e Valdete Dakës nga posti i kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por edhe vendimet e tjera të Qeverisë së Kosovës për shkarkimin e bordeve, nga opozita në Kosovë po shihen si përpjekje për kontroll total të të gjitha institucioneve të pavarura.

Mirëpo, në Qeverinë e Kosovës thonë se institucionet e kapura janë trashëgimi e keqe e qeverive të kaluara dhe do t’i mbetet të kaluarës, “ndërsa çkapja dhe funksionalizimi i tyre është synim i qeverisë së sotme”.

Deputeti i Kuvendi të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, tha për Radion Evropa e Lirë se veprimet e tilla për shkarkimin e zyrtarëve nga institucionet e pavarura, do të jenë problem për të ardhmen e vendit.

"Kjo është kapja e re. Thënë të drejtën, në Kosovë prej fillimit të ndërtimit të administratës, asnjëherë nuk kanë ndodhur shkarkime masive, siç po ndodhin tash në borde e agjenci të institucione të pavarura".

"Është hera e parë që po vërehet kjo sjellje. Është sjellje e cila po ndërton një metodologji. Kjo metodologji që po ndërtohet është regres për Kosovën edhe do të jetë problem në të ardhmen", tha Gashi.

Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit janë dëshmi e qartë se qytetarët kanë kërkuar dhe presin ndryshim dhe se sipas tij, atë ndryshim e presin nga institucionet dhe qeveria e zgjedhur nga ata.

Kryeziu tha se për të përmbushur pritshmëritë, është e domosdoshme që udhëheqësit e institucioneve tjera vartëse, të jenë në linjë me vizionin e qeverisë së re dhe të ndajnë me të vlera dhe qëllime të përbashkëta.

"Institucionet e kapura janë trashëgimi e keqe e qeverive të kaluara dhe do t’i mbetet të kaluarës, ndërsa çkapja dhe funksionalizimi i tyre është synim i qeverisë së sotme. Kjo disave nuk do t’u pëlqejë sepse përbën fundin e një epoke, prandaj edhe do të ketë kritika të kohëpaskohshme, por vizioni ynë është i qartë dhe në shërbim të qytetarëve", tha Kryeziu.

Morina: Presioni vjen nga militantët e LVV-së

Të hënën, presidentja Osmani përmes një njoftimi bëri të ditur se e ka liruar nga detyra kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka. Në vendimin e saj për shkarkimin e Dakës, presidentja Osmani ka thënë se “kryesuesja e KQZ-së, në shumë raste, nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike”.

Partitë opozitare në Kosovë kanë thënë se vendimi i presidentes Osmani për të shkarkuar Dakën është goditje e rëndë ndaj një institucioni të pavarur dhe shkelje e Kushtetutës. Në Partinë Demokratike të Kosovës, thanë se vendimi i presidentes është sulm ndaj KQZ-së dhe “kapje” e këtij institucioni, vetëm pak muaj para mbajtjes së zgjedhjeve lokale, që janë caktuar të mbahen më 17 tetor.

Edhe në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës konsiderojnë se vendimi i presidentes Osmani për shkarkimin e Dakës "është praktikë e paparë institucionale dhe dëshmon për të satën herë kapjen e shtetit".

Pak ditë më parë, nga detyra e drejtorit ekzekutiv të Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit ka dhënë dorëheqje, Ilir Morina. Ai tha se dorëheqjen e ka ofruar për arsye të ndryshme, por ka përmendur edhe disa veprime të disa militantëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në ministri, ku ai ka punuar për më shumë se dhjetë vjet.

"Kemi pasur raporte të mira me ministrin, unë vet e kam kërkuar dorëheqjen. Zyrtarët e ulët i bëjnë presionet te të gjithë dhe janë duke bërë ende. Janë disa zyrtarë në Ministri të Mjedisit që janë duke bërë presion që do të largohet ky.. është në radhë ai, si dhe ai tjetri... dhe në njëfarë mënyre po ia qëllojnë".

"Militantët më kanë thënë që je në listë. Ata janë kolegë pune që e kanë përkrahur Vetëvendosjen ose të tjerë që kanë pasur miq, do të thotë në njëfarë mënyre, jo që nuk e kemi pritur", tha Morina.

Daka: Shkarkimi im, joligjor

Ariana Qosaj-Mustafa, kryetare e bordit të Rrjetit të Grupit të Grave të Kosovës dhe ligjëruese në një nga kolegjet private në Kosovë, tha për Radion Evropa e Lirë se shkarkimi i Dakës ishte anti-kushtetues dhe ndikon edhe në themelet demokratike, në të cilat synon të ndërtohet Kosova.

"Çdo lloj shkarkimi duhet të jetë proces ligjor, duhet të jetë në përputhje me kërkesat të cilat janë vërejtur nga vetë qytetarët, sepse ka qenë një kërkesë edhe vota tregon. Ka qenë një votë e revoltës ku është kërkuar ky ndryshimi, mirëpo në anën tjetër nëse vazhdohet me tendenca të shkarkimeve, të cilat mund të jenë edhe anti-kushtetuese, kjo nuk do të jetë mirë", tha Qosaj-Mustafa.

Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje tha se asnjë proces apo vendim i marrë nga udhëheqja e re, nuk është bërë në shpërputhje me ligjin apo pa transparencë e pa arsye.

"Proceset edhe po paragjykohen. Besoj se është koha që të ekzistojë një vizion i qartë edhe i atyre që i përcjellin punët edhe të qeverisë edhe të kuvendit, të shohin procedurat, të evidentojnë në rast se ka shkelje ligjore. Natyrisht, askush nuk i mbështet ose nuk është në favor të shkeljeve ligjore, por ndryshimet duhet të ndodhin dhe po ndodhin", tha Kusari-Lila.

Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, në një konferencë për media të martën tha se vendimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shkarkimin e saj nga kjo pozitë, është në kundërshtim me Kushtetutën dhe i pa mbështetur në ligj. Ajo tha se do të ndjekë rrugët ligjore për të mbrojtur të drejtën e saj./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat