Kërkohet që procesi i zgjedhjes së Komisionerit për Informim dhe Privatësi të kthehet në pikën zero

Aktuale

Kërkohet që procesi i zgjedhjes së Komisionerit për Informim dhe Privatësi të kthehet në pikën zero

Më: 16 qershor 2021 Në ora: 13:14
Kuvendi i Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nesër do të mblidhen në seancë plenare. Pikë e rendit të ditës është edhe zgjedhja e Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi. Për votim deputetët kanë tri emra: Enver Bujari, Krenare Sogojeva Dermaku dhe Edon Myftari. Mirëpo, shoqëria civile e PDK po kërkojnë që kjo pikë të dështojë e madje edhe konkursi si proces të kthehet në pikën zero. Të njëjtit deklarojnë se Lëvizja Vetëvendosje po tenton që në këtë pozitë të emërojë një person joadekuat dhe të afërt me të.

Komisioni për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes miratoi raportin me rekomandime dhe kandidati më i votuar është Enver Bujari i cili ka marrë 69 pikë, pastaj kandidatja Krenare Sogojeva Dermaku me 63 pikë dhe kandidati Edon Myftari me 61.5 pikë.

Kritika për procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për këtë pozitë kanë pasur shoqëria civile e opozita, ku një nga arsyet ishte edhe fakti që kandidati më i votuar për pozitën e komisionarit, në proceset e kaluara rekrutuese, nuk ishte vlerësuar me pikë kaluese dhe nuk ishte rekomanduar për këtë pozitë nga ekspertët britanikë.

Përzgjedhjen e Komisionerit për Informim dhe Privatësi, që nga fillimi e ka monitoruar Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë e organizatës FOL, e cila kërkon që procesi i përzgjedhjes të kthehet në pikën zero dhe që në seancë të dështojë përzgjedhja e të njëjtit.

Sipas saj, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje duke vlerësuar me pikë maksimale një person që në konkurset e mëhershme ishte diskualifikuar po duan ta “kapin” këtë pozitë, të cilën e quan si shumë të rëndësishme.

Demoll: Të kërkosh votën për çkapjen e shtetit dhe të fillosh kapjen nuk është etike

“Është njëfarë mashtrimi ta quaj ashtu ndaj qytetarëve sepse t’iu kërkosh votën me idenë se do ta bësh ç’kapjen e shtetit dhe të fillosh kapjen brenda 100 ditëshit të parë vërtetë nuk është etike. Fatkeqësia qëndron aty tash se partia në pushtet i ka 61 vota, shpresojmë në një deputet që beson se në këtë vend mund të ketë demokraci dhe mund të ketë persona meritor nëpër pozita të ndryshme të reflektojë dhe të mos vendosin ashtu edhe siç mund t’i kenë urdhrat nga partia, po të vendosin vet me mendjen e tyre. Të jenë shumë të sigurt se kjo pozitë vërtetë ka një rëndësi të veçantë dhe mund të shohim ndoshta një degradim të gjitha atyre proceseve të mira të punës në hapjen e të dhënave dhe në publikim të dokumenteve të ndryshme që është bërë për vite me një person i cili mund të diktohet ndoshta në të ardhmen nga partia dhe mund të kemi një mbyllje totale të shumë dokumenteve që të mos shohin kurrë dritë”, thotë ajo.

Një nga arsyet se pse ky proces duhet të dështojë, ajo thotë se është edhe për shkak se gjatë analizimit të biografive të kandidatëve kanë vërejtur se ka ndryshime nga biografitë e dorëzuara më herët nga kandidati që është vlerësuar me pikët maksimale.

Dështimin e këtij procesi dhe rishpallje të konkursit po e kërkon edhe deputeti i PDK-së, njëherësh anëtari i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Elmi Reçica, i cili thotë se ky proces duhet të dështojë në seancë plenare dhe të mos vazhdohet me “kapjen” e kësaj pozite tejet të rëndësishme.

Ai tregon edhe arsyen se pse partitë opozitare në Komision e kishin bojkotuar procesin e intervistimit të kandidatëve.

Reçica: Kërkoj që në seancë plenare procesi të dështojë dhe të kthehet mbrapa

“Kërkoj që në seancë plenare procesi të dështojë dhe të kthehet mbrapa dhe në aplikimin e ardhshëm të zbatohen ato rregulla dhe ato qëndrime të cilat kanë qenë në vazhdimësi dhe të cilat kanë qenë dominuese. Duhet të them që edhe organizatat e shoqërisë civile...Ne në momentin që jemi mbivotuar, kryetari i Komisionit z.Berisha dhe unë kemi qenë kundër që komisioni të jetë si tërësi panel intervistues. Jemi tërhequr dhe kanë mbetur deputetët e LVV-së dhe Listës Serbe, që na kanë mbivotuar që ta udhëheqin procesin. Në kuadër të kësaj besoj që është shumë e qartë ata duhet të reflektojnë, ata të cilët i kanë nxitur që përmes formave të tilla t’i kapin institucionet vitale të shtetit dhe...kjo është një tendencë tipike për ta heshtur opozitën, ne si opozitë që të tri partitë politike shqiptare, edhe AKK, LDK dhe PDK e kanë kundërshtuar dhe e kundërshtojnë”, thotë ai.

Por të gjitha akuzat e opozitës e të shoqërisë civile i kundërshton deputeti i LVV-së Enver Dugolli, i cili thotë se i gjithë procesi ka qenë transparent dhe thotë se është i habitur me kërkesën që konkursi të përsëritet.

Ai mohon edhe akuzat që LVV po dëshiron që në këtë pozitë të emërojë një person të afërt me ta, derisa thekson se janë deputetët e Kuvendit të Kosovës që në seancë plenare vendosin për përzgjedhjen e komisionarit.

Dugolli: Seanca është ajo që do të vendos për përzgjedhjen e kandidatit për komisioner

“Më së pari nuk qëndron kjo, për shkak se ne kemi qenë shtatë anëtarë të komisionit ne panelin përzgjedhës dhe mënyra e votimit apo e vlerësimit ka qenë tërësisht anonime dhe nuk e kemi ditur kush sa e ka vlerësuar kandidatin. Ta them të drejtën për mua të tre kanë qenë shumë të mirë dhe po e shfaqi këtë preferencën time që në start për mua kanë qenë të tre dhe i kam notuar me notat maksimale që të tre. Kështu që nuk qëndron konstatimi i shoqërisë civile se dikush qenka i Vetëvendosjes apo i ndonjë partie tjetër, për shkak se kjo fazë është përmbyllur në bazë të vlerësimit të secilit anëtarë dhe dikush me siguri që del ndoshta me shumë i poentuar, por nuk ka përfunduar asgjë për shkak se seanca është ajo që do të vendos përfundimisht për përzgjedhjen e kandidatit për komisioner”, thotë ai.

Ky është konkursi i katërt që është duke u zhvilluar për përzgjedhjen e Komisionerit për Informim dhe Privatësi, pasi i njëjti ka dështuar tri herë radhazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat