Ishte zhdukur 22 vite më parë, babai i Shabanit mes lotësh tregon momentin kur u gjetën eshtrat e të birit

Aktuale

Ishte zhdukur 22 vite më parë, babai i Shabanit mes lotësh tregon momentin kur u gjetën eshtrat e të birit

Më: 18 qershor 2021 Në ora: 00:43
Xhevat Shabani

Eshtrat e Nezir Shabanit u gjetën në varrezat e shqiptarëve në Mitrovicë pas 22 viteve që ishte kindapuar dhe më pas vrarë nga policia kriminale serbe.

Fjalët se ku e kishte te birin i vinin ngado.

Madje 75-vjeçari nga Mitrovica, kur shkoi të kërkonte djalin, pa një mbishkrim që për të do të ishte shumë i rëndë.

Sido që të jetë, ai për 22 vjet nuk e gjeti djalin e tij të zhdukur nga serbët në moshën 27-vjeçare.

Por para tre ditësh, Xhevat Shabanit i erdhi lajmi se eshtrat e djalit të tij janë gjetur në varrezat e shqiptarëve ne Mitrovicën e Veriut.

Mes lotëve Shabani tregon për ndarjen e fundit me të birin.

“Me 5 qershor 1999 djali tha ‘babë po shkoj është një ndeshje futbolli me kqyr me një shok’, thashë ‘hajt bre djali jem po…’, jo tha ‘nuk vjen kush’, atë natë i kishin marrë të dytë”, tregon Shabani.

E nga ajo kohë, takimi me djalin mbeti vetëm dëshirë.

Para dy muajsh, familja Shabani u ftua për ta identifikuar një trup të pajetë të gjendur në veri të Mitrovicës.

“I ka pasë do trenerka me do pulla, edhe do xhepa karakteristik, djali i ka mbajt mend. Erdh djali tha babush po më vjen keq po Neziri është, rrobat ja njoha, çka me bë thashë…”, rrëfen tutje Shabani.

Neziri, ish-student i Elektros, kishte vetëm një dëshirë, t’i bashkohet UÇK-së.

Por, para se ai t’i bashkohej luftës, serbët erdhën në këtë vend ku po qëndronte Neziri bashkë më shokun e tij Selajdinin, dhe i morën.

Tash kur eshtrat i janë gjetur, familja ndjehen më të lehtësuar.

Eshtrat e Nezir Shabanit, do të varrosen të premten në varrezat e qytetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat