​Ministria e Bujqësisë i reagon “Vreshtarit”: S’ka asnjë vendim për ulje ose ngritje të subvencioneve për vreshtari

Aktuale

​Ministria e Bujqësisë i reagon “Vreshtarit”: S’ka asnjë vendim për ulje ose ngritje të subvencioneve për vreshtari

Më: 18 qershor 2021 Në ora: 16:00
Foto ilustrim

Ministria e Bujqësisë ka reaguar ndaj Shoqatës së Vreshtarëve “Vreshtari” me seli në Rahovec të cilët gjatë ditës kanë thënë se kjo ministri ka marrë vendim për uljen e subvencioneve për këtë sektor.

Nga ministria thonë se asgjë rreth kësaj nuk është e vërtetë.

“Sot pasdite në media qarkulloi një lajm i cili bazohet në një reagim të lëshuar gjatë ditës nga Shoqata e Vreshtarëve “Vreshtari” me seli në Rahovec. Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural me këtë rast njofton të gjithë fermerët e Republikës së Kosovës, me theks të veçantë vreshtarët se nuk ka asgjë të vërtetë në këtë reagim/lajm dhe se MBPZhR deri më tani nuk ka marrë kurrfarë vendimi për uljen ose ngritjen e kësaj kategorie apo të çdo kategorie tjetër të mbështetjes përmes Programit të Pagesave Direkte – Subvencioneve”, thuhet në reagimin e ministrisë.

Ndërkohë që nga Shoqata e Vreshtarëve “Vreshtari” kanë thënë se “Bazuar në takimin informues të mbajtur me datën 11.06.2021 të ftuar në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural lidhur me pagesat direkte-subvencione për vitin 2021, zyrtarët përgjegjës për këtë sektor njoftuan me propozimin e ri i cili ka ardhur nga Drejtoria e Pagesave-AZHB ku shoqata nuk është ftuar as informuar më herët për uljen e subvencioneve për sektorin e vreshtarisë nga shuma 1000 euro për Ha në 400 euro/Ha. Në bazë të këtij njoftimi ne si shoqatë dhe përfaqësues të bujqve vreshtarë, kemi reaguar ashpër në takim dhe kemi kundërshtuar këtë propozim i cili ka pasoja për gjithë sektorin e Vreshtarisë që konsiderohet si i vetmi sektor që sjell punësime dhe të hyra në ekonomitë familjare në mbi 4760 fermerë në gjithë territorin”, thuhet në reagimin që bën sot kjo shoqatë.

Ndërsa ata kanë paralajmëruar protesta nëse ministria nuk tërhiqet nga siç e quajnë ata vendim.

“Shoqata e Vreshtarëve ‘Vreshtari’ kundërshton fuqishëm çdo veprim dhe çdo tendencë për të ulur subvencionimin e këtij sektori me rëndësi të veçantë për ekonominë e vendit. Ky reagim është hap i parë për reflektim nga udhëheqës të MBPZHRsë që të mos marrin vendime pa konsultime dhe në dëm të sektorit të vreshtarisë ku po ashtu kundërshtojmë mosftesën e përfaqësuesit të shoqatës së vreshtarë në grupet punuese për planifikimin dhe organizimin e masave dhe nën masave për programin”, ishte njëra nga deklarata e shoqatës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat