​Opozita e ndarë rreth dërgimit të Osmanit në Kushtetuese, LVV thotë se çdo gjë ishte ligjore

Aktuale

​Opozita e ndarë rreth dërgimit të Osmanit në Kushtetuese, LVV thotë se çdo gjë ishte ligjore

Më: 18 qershor 2021 Në ora: 16:35
Vjosa Osmani dhe Valdete Daka

Partitë opozitare kanë shfaqur qëndrime të ndryshme rreth dërgimit në Gjykatën Kushtetuese shkarkimin e ish kryesueses së KQZ-së, Valdete Daka nga presidentja Vjosa Osmani. Derisa në LDK thonë se do të presin veprimet ligjore të Dakës, në AAK u shprehën në mbështetje të PDK-së për inicimin në kushtetuese të shkarkimit të ish të parës së KQZ-së. Ndërkohë, në Lëvizjen Vetëvendosje theksojnë se veprimi i presidentes Osmani ka qenë në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe normat ligjore.

Ishte shefi i grupit parlamentar të AK-së, Besnik Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit që tha së përkrahin një nismë të tillë, por LDK ka hezitime në këtë temë.

Tahiri: LDK ka hezitim në këtë temë

“Në këtë rast është iniciuar nga PDK mbledhja e nënshkrimeve, nuk jam informuar deri ku ka arritur, sikurse e di që ka një hezitim të LDK-së në këtë temë. Ne si AAK do t’i japim nënshkrimet për trajtimin e kësaj teme në Gjykatën Kushtetuese”, tha ai.

Këtë e konfirmoi edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi i cili sqaroi pse kanë pikëpamje të ndryshme me dy partitë tjera opozitare.

Gashi: Kemi mendimi të ndryshme sa i përket kësaj çështje

“Kemi mendimi të ndryshme sa i përket kësaj çështje, ne e përkrahim mendimin e zonjës Daka se ajo do t’i ndjek vetëm rrugët ligjore. Pastaj presim nga institucionet e pavarura kushtetuese që të bëjnë punën e tyre dhe të shohim se a është shkel kategoria e të drejtave të njeriut, pavarësia kushtetuese e të tjerë. Avokati i Popullit duhet të merret me këtë çështje dhe t’i drejtohet institucioneve kushtetuese. Nëse asnjëra prej këtyre nuk funksionon atëherë do të shohim në aspektin politik”, tha ai.

Ndërsa, u.d e shefes së grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila tha se vendimi i presidentes Osmani ka qenë në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe normat ligjore.

Kusari-Lila: Çdo gjë është në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe normat ligjore

“Çdo gjë është në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe normat ligjore. Secili është i lirë të dërgojë organeve tjera për interpretim të vendimeve të instancave të ndryshme”, tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat