Vrau dy persona në Deçan, ky është raporti i ekspertizës

Aktuale

Vrau dy persona në Deçan, ky është raporti i ekspertizës

Më: 19 qershor 2021 Në ora: 07:20
Seanca

Eksperti i psikiatrisë forenzikë, Arsim Gashi ka rrëfyer para trupit gjykues, se nuk kishte gjetur ndonjë çrregullim mendor tek i akuzuari Durim Lushaj për vrasje të dyfishtë që kishte ndodhur në Shaptej të Deçanit në gusht të vitit 2016.

Në këtë çështje penale janë caktuar dy ekspertiza psikiatrike, të cilat kanë konstatuar gjendjen e afektit mendor tek i pandehuri Lushaj, ndërsa njëra prej tyre është shpallur si provë e papranueshme, pasi ishte përpiluar në kundërshtim me ligjin.  Ndërsa një ekspertizë e re psikiatrike ishte caktuar të bëhet nga gjykata.

Në seancën që u mbajt të premten, eksperti pranë Insitutit të Forenzikës, Arsim Gashi,sqaroi se pas ekzaminimit hospitalor, komisoni vlerësues nuk kishte konstatuar ndonjë çrregullim psikotik, prapambetje mendore apo dëmtim kognitiv traumatik tek i pandehurit Durim Lushaj.

“Nuk është gjetur çrregullim i përkohshëm apo i përhershëm psikik që kishte me ndikuar në aftësinë e tij mendore për të kuptuar dhe kontrolluar veprimet e tij për veprën për të cilën ngarkohet. Aftësia mendore dhe kontrollit në momentin e kryerjes së veprës ka qenë e ruajtur”, tha eksperti Gashi.

Më këtë përfundim nuk u pajtua mbrojtja e të pandehurit Durim, avokati Gëzim Kollqaku, i cili pretendonte se eksperti nuk e kishte vlerësuar faktin se deri te vrasja kishte ardhur pasi Durim Lushaj kishte parë babain e tij, Sali Lushaj të përgjakur nga veprimet e të ndjerit Burim Ramaj.

Sipas avokatit Kollqaku, në ekspertizë nuk shihej se ishte përfshirë edhe vlerësimi i këtyre rrethanave.

Në lidhje më këtë, eksperti Gashi sqaroi se në dhënien e konstatimit përfundimtar, kishin marrë për bazë edhe foton e të pandehurit Salih Lushaj dhe të gjitha deklaratat që gjenden në shkresat e lëndës.

“Është parë fotografia dhe është analizuar mirëpo nuk ka pas relevancën e saj që të shënohen në ekspertizë”, tha Gashi.

Kollqaku pyeti ekspertin nëse sulmin dhe përgjakja ndaj prindit, mund të përbënte rrethanë që personi të bie në afekt në kryerjen e veprës.

“Është pyetje hipotetike, mirëpo ky fakt vetëm është një faktor, mirëpo duhet të ketë edhe shumë faktor tjerë dhe smund të them se mund të jetë apo të mos jetë”, tha eksperti Gashi.

Në lidhje me gjendjen e afektit, avokati Kollqaku parashtroi edhe një pyetje në drejtim të ekspertit, për të sqaruar se nëse gjendja e afektit mendor mund të krijohet edhe nëse personi është në gjendje të rregullt mendore.

Mirëpo kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova e ndaloi parashtrimin e kësaj pyetje, me arsyetimin se pyetjet nuk mund të bëhen jashtë konstatimeve të ekspertizës.

“Ftohet mbrojtësi të parashtroj pyetje lidhur me ekspertizën dhe jo të kërkoj sqarime për të cilat ska fol në ekspertizë”, tha gjykatësja.

Në këtë gjykim, eksperti u ballafaqua edhe me pyetjet e mbrojtës së të pandehurit Sali Lushaj, avokate Kosovare Kelmendi, pasi eksperti deklaroi se ishte hera e parë nga praktika e tij profesionale që ekspertizën e cakton gjykata.

Lidhur me këtë deklarim, avokatja Kelmendi kërkoi arsye të dijë se pse qenka bërë caktimi i ekspertëve ndryshe prej herëve të tjera.

Mirëpo ,këtë pyetje e ndaloi gjykatësja Husaj-Rugova.

Avokatja Kelmendi kërkoi të eksperti të dijë nëse kishin bërë vlerësim të mjaftueshëm të shkresave të lëndës për të arrit tek kolaudimin e ekspertizës psikiatrike.

Eksperti deklaroi se komisioni mjekësor në mënyrë të mjaftueshme kishte vlerësuar të gjitha shkresat e lëndës.

Në këtë proces gjyqësor është dëgjuar edhe anëtarja tjetër e komisionit mjekësor, Arife Veselaj, e cila kishte marrë pjesë në ekzaminimit psikologjik të pandehurit Durim Lushaj.

Ekspertja e psikologjisë klinike tha në ekzaminimin mjekësor të pandehurit Durim, kishte patur kompetencë të përcaktojë shkallën e zhvillimit intelektual dhe emocional të tij.

Ekspertja sqaroi 1se tek i njëjti nuk kishte gjetur ndonjë pengesë të zhvillimit intelektual dhe se aftësia e tij intelektuale është i ruajtur.

“Nuk është gjetur ndonjë pengesë të zhvillimit intelektual dhe në këtë rast përjashtohet mendore, të gjitha proceset njohëse për testimin e realitetit janë të ruajtura dhe nuk ka problem në formë e as në përmbajtje të mundurit”, tha ekspertja.

Në anën tjetër, mbrojtësi i dytë i të pandehurit Durim, avokati Salih Mekaj tha se mbrojtja asnjëherë nuk e kishte kontestuar gjendjen e rregullt mendore para ngjarjes kritike.

Mirëpo, Mekaj tha se i mbrojturi i tij kishte qenë në afekt mendor.

“Në pretendojmë se Durimi ka qenë në afekt mendor dhe nuk ka shkuar tek komisioni mjekësor për të vërtetuar gjendjen mendore të tij sepse gjendja e tij mendore ka qenë në rregull mirëpo në pretendojmë se ka patur afekt që ekspertja s’po jep përgjigje”, tha avokati Mekaj.

Në drejtim të kësaj, Mekaj pyeti eksperten nëse fakti se babai i të pandehurit Durim ishte i përgjakur dhe i sulmuar, a mund të përbënte faktor për shkaktimin e tronditjes së fortë mendore.

“S’kemi gjetur elemente që flasim për afekt mendor. Sikur do të kishim gjetur me siguri do të ceknim në ekspertizë”, tha ekspertja.

Seanca e radhës u caktua më 22 korrik 2021, ora 10:00

Për këtë vrasje, Gjykata Themelore në Pejë, më 14 prill 2018, e kishte shpallur fajtor Durim Lushajn dhe ndaj tij kishte shqiptuar dënim unik me 25 viteve burgim për vrasje të rëndë e armëmbajtje pa leje. Fajtor ishte shpallur edhe Sali Lushaj, ku ndaj tij ishte shqiptuar dënimi unik me 18 vite burgim për vrasje të rëndë në bashkëkryerje e armëmbajtje pa leje.

Gjykata e Apelit, më 3 korrik 2018, kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve si të bazuara dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim, për shkak të shkeljeve esenciale të procedurës penale dhe vërtetimit jo të plotë të gjendjes faktike.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Pejës, Durim Lushaj akuzohet se me 25 gusht 2016, rreth orës 18:30, në fshatin Shaptej të Komunës së Deçanit, pas një mosmarrëveshjeje paraprake, me armë zjarri ka privuar nga jeta Rexhep Ramajn.

Sipas aktakuzës, i njëjti pasi kishte privuar nga jeta Rexhep Ramajn, bashkë me Sali Lushajn akuzohet edhe për vrasjen e Burim Ramajt, po ashtu me armë zjarri.

Sipas aktakuzës, ata me këto veprime kanë vënë në rrezik edhe jetën e të miturit A.R dhe Gani Ramajt e Mustafë Ramajt.

Që të dy akuzohen nga prokuroria për kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe veprës penale të armëmbajtjes pa leje. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat