“Kosova e ka detyrim të formojë Asociacionin” / Ben Meir me thirrje urgjente për Kurtin: Ja si duhet të veproj kryeministri i Kosovës

Aktuale

“Kosova e ka detyrim të formojë Asociacionin” / Ben Meir me thirrje urgjente për Kurtin: Ja si duhet të veproj kryeministri i Kosovës

Më: 19 qershor 2021 Në ora: 10:37
Profesori në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben Meir

Profesori në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben Meir, në një intervistë, thotë se Asociacioni i komunave serbe me kompetenca ekzekutive është në dëm të Kosovës, prandaj sugjeron Kurtit që të rezistojë dhe të mos e pranojë të njëjtin. Gjithashtu, ai thotë se Serbia duhet të ndjek shembullin e Gjermanisë dhe të pranojë krimet kundër njerëzimit, pasi gjenocidi i Serbisë në Kosovës është i pamohueshëm. Në këtë linjë, Ben Meir thotë se ashtu si e vendosi, Vuçiq duhet të largojë edhe pllakatën me emrin e Ratko Mlladiqit në një rrugë në Beograd.

Profesori Ben Meir deklaroi brenda territorit të Kosovës nuk mund të ketë Asociacion të komunave me pushtet ekzekutiv pasi një gjë e tillë do t’ia lejonte Serbisë të ketë fuqi ekzekutive mbi këto komuna.

Sipas tij, kjo do të nënkuptonte dhënie e një territorit të Kosovës Serbisë. Ben Meir shton se Kurti duhet t’i rezistojë Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nëse i njëjti synon të fitojë fuqi ekzekutive, e ku Serbia do ta mbikëqyrte atë lloj fuqie.

Ben Meir: Kurti nuk duhet ta pranojë Asociacionin me kompetenca ekzekutive

“Mendoj se Kurti ka plotësisht të drejtë. Nuk mund të kemi Asociacion të komunave me pushtet ekzekutiv, sepse një gjë e tillë do t’ia lejonte Serbisë të ketë fuqi ekzekutive mbi këto komuna. Kjo do të nënkuptonte dhënie të këtij territori Serbisë. Ne nuk duam të kemi ndryshime territoriale. Prandaj, në pikëpamjen time, Kurti duhet t’i rezistojë Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nëse i njëjti synon të fitojë fuqi ekzekutive, ku Serbia do ta mbikëqyrte atë lloj fuqie. Që do të nënkuptonte se ata do ta kontrollonin atë territor për qëllimet e veta. Por, çdo Asociacion normal mes dy vendeve, mund të sjell normalizim të marrëdhënieve mes dy palëve, edhe pa fuqinë ekzekutive që do t’i jepej Serbisë mbi këto komuna. Kjo është e mundshme. Nuk do të thotë se duhet të jetë e tëra ose asgjë, por mund të jetë një lloj marrëdhënie e tillë, e cila do të siguronte se Serbia nuk do të ketë fuqi ekzekutive në këto komuna”, ka thënë ai.

Profesori i njohur amerikan, ka komentuar edhe paralajmërimet e Qeverisë së Kosovës lidhur me padinë për gjenocid ndaj Serbisë.

Ai propozoi që Serbia të ndjek shembullin e Gjermanisë për krimet ndaj njerëzimit, së pari të pranojë këto krime, e pastaj t’i dënojë përgjegjësit.

Ben Meir: Serbia ta ndjek shembullin e Gjermanisë për pranimin e krimeve ndaj njerëzimit

“Nuk mendoj se mund të ketë marrëveshje brenda këtij viti, sepse siç e thash, janë shumë çështje komplekse. Ka një llogari historike dhe dëm psikologjik nga konflikti. Për shembull, nëse Serbia do të ishte në gjendje t’i pranonte krimet kundër njerëzimit, siç bëri Gjermania dhe ta lirojë vetën nga ajo barrë historike, ajo do të ishte shumë e rëndësishme dhe ndihmëse. Shihni Gjermaninë. Vendi pranoi krimet që bëri gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe sot është shndërruar në liderin drejtues në BE, sepse e ka të qartë historinë. Serbia duhet të mendojë në këto terme. Fakti se Serbia ka bërë gjenocid në Kosovë është i pamohueshëm. Nëse ata vazhdojnë ta mohojnë siç po bëjnë, atëherë ajo histori kurrë nuk do të gjurmohet. Çdo Qeveri, qoftë ajo e Vuçiqit apo qeveria e ardhshme, duhet të pranojë këtë realitet”, deklaroi ai.

Profesori Ben Meir, në këtë intervistë ka kujtuar edhe takimet që janë mbajtur në Shtëpinë e Bardhë në shtator të vitit të kaluar, në prani të ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Ai tha se këto takime u bënë për ta glorifikuar Trumpin, e jo për të ndihmuar normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ben Meir: Takimet në Uashington u bënë për ta glorifikuar Trumpin

“Pa diskutim që Kurti ka përkrahje të madhe nga publiku dhe ai nuk është fajtor për atë që ka ndodhur në të kaluarën. Kështu që çdo diskutim, çdo negociatë mes dy vendeve që ka ndodhur më parë, veçanërisht kur erdhën në Uashington me arsyetimin për normalizim të marrëdhënieve që ishte plotësisht i pakuptimtë dhe nuk kishte domethënie. Ato takime ishin vetëm për të glorifikuar Trumpin, por jo për të arritur progres mes dy vendeve. Kështu që Kurti sot është në pozitë të fortë, andaj duhet t’i demonstrojë BE-së dhe SHBA-së se Kosova ka vullnet dhe është gati, si dhe po ndërmerr hapat e nevojshëm. Kjo do të bënte presion mbi Serbinë, andaj Bashkimi Evropian do të ishte në gjendje të pranonte dhe të niste procesin e integrimit me Kosovën, pa parakushte se njohja duhet të ndodh së pari. Mendoj se duke bërë kështu, ShBA dhe BE do të ishin në gjendje ta ushtronin atë presion mbi Serbinë. Një gjë më shumë që dua të shtoj. Serbia, në parim dëshiron të anëtarësohet në BE. Presioni mbi Serbinë po vjen nga Rusia. Dhe në ditët kur kemi administratë të re këtu dhe presidenti Biden ka vullnet ta konfrontojë Rusinë, kjo duhet të çojë sinjal te Serbia se kjo nuk është si zakonisht, se ata nuk duhet ta ndjejnë presionin nga Rusia, se ShBA do të qëndrojnë pranë tyre dhe se si shtesë për këtë, BE do duhet të vazhdojë të mbajë dhe të ruajë raportet me Serbinë, por gjithmonë duke pasur parasysh qëllimin përfundimtar, që është njohje reciproke dhe çdo gjë të bëhet me parakushte”, shtoi ai.

Më 8 qershor, në ditën kur iu konfirmua dënimi me burgim të përjetshëm “Kasapit të Bosnjës”, Ratko Mlladiq, profesori amerikan, Ben Meir, pati një reagim në llogarinë e tij në Tëitter.

Ai kishte publikuar një fotografi të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, i cili shihet duke e vendosur emrin e Mladiqit në pllakatën e një rruge. Sipas tij, Vuçiq duhet të kërkojë falje për këtë veprim të tij dhe të heq atë menjëherë.

Ben Meir: Serbia dhe Vuçiq ta largojnë pllakatën në rrugë me emër të Mladiqit

“Unë mendoj se ky është një gjest i rëndësishëm që mund të bëjnë. Pas të gjithave, ai ka qenë në Gjykatë, është dënuar, është ridënuar nga shkalla e dytë dhe kjo është në fakt se historia është shumë e qartë ndaj atyre që ju po deklaroheni të përkushtuar. Serbia mund ta bëjë këtë gjest. Të thotë në rregull, ne mund ta zhvendosim emrin e tij nga këtu, sepse gjykata ndërkombëtare ka vendosur se ai ka kryer krime. Serbia duhet ta kuptojë dhe herë pas here e pranojnë, se shumë nga gjeneralët dhe ushtarët e tyre kanë kryer krime. Nuk mund ta mohojnë atë, nuk e mohojnë totalisht një gjë të tillë, çka ata mohojnë është gjenocidi. Andaj, ata e kanë një mundësi të pranojnë dhe të thonë se po disa ushtarë kanë kryer krime dhe ky është një nga ta dhe tani meqë Gjykata nuk e ka hedhur poshtë atë vendim, atëherë do ta largojmë emrin e tij. Ky është një lloj veprimi që mund të bëjnë dhe mendoj se ky është një rast i mirë për Serbinë që të demonstrojë se është e hapur dhe se ka vullnet për konsension dhe ky është një lloj konsensioni që nuk do t’ju kushtojë asgjë, nuk do të ketë implikime sepse po bazohen në dy vendime të gjykatave ndërkombëtare që e kanë bërë atë gjykim dhe mund të tregojnë se kanë vullnet për ta bërë këtë hap. Do t’ju rekomandoja fuqishëm që të heqin atë emër qysh nesër, nëse është e mundur”, përfundoi Meir.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat