Rrëfimi prekës i infermieres që shërbeu gjatë pandemisë dhe nuk iu vazhdua kontrata: Më vjen keq “nanë”, lutjet tua nuk u pranuan!

Aktuale

Rrëfimi prekës i infermieres që shërbeu gjatë pandemisë dhe nuk iu vazhdua kontrata: Më vjen keq “nanë”, lutjet tua nuk u pranuan!

Më: 19 qershor 2021 Në ora: 20:41
Foto ilustrim

Mbi 300 infermierëve të cilët ishin angazhuar për të shërbyer gjatë kohës së pandemisë COVID-19 në Kosovë nuk i janë vazhduar kontratat e punës, të cilat sipas Ministrisë së Shëndetësisë nuk mund të zgjaten për shkak se në Projektin e Shëndetësisë Kosovare nuk është alokuar buxhet për këtë qëllim.

Kjo ka nxitur reagimin e infermierëve të cilët edhe kanë protestuar, duke shprehur pakënaqësinë e tyre.

Edhe Mirjeta Gashi, është njëra ndër infermieret e cila ka shërbyer kryesisht në repartet e pacientëve me COVID-19, e cila përmes një postimi në Facebook, ka treguar se për shkak se iu dha mundësia të punësohej në Kosovë, kishte hequr dorë nga puna jashtë vendit.

Më poshtë gjeni postimin e saj të plotë:

Ishte pikërisht data 21.10.2020, kur pasi kisha vendosur të largohem nga vendi im për punësim jashtë vendit më mbajti përsëri të lidhur këtu.

Vendosa t’i shërbej vendit tim, me dijen që unë e fitova këtu që t’u shërbej popullit tim në një kohë kur shumë nga ju u izoluat në shtëpi, e kishit frikë të dilnin edhe për blerje ushqimore, e unë në atë kohë me vullnet e përkushtim të madh, shkoja çdo ditë në punë.

Vendosa të rrezikoj veten dhe familjen time, për t’i dalur në ndihmë shumë prej atyre që i preku një armik i padukshëm. E për të mbrojtur prindërit e mi, gjyshërit dhe të tjerët sakrifikova. Unë ndjeva mall për ta, u bëra e huaj dhe komunikoja me ta vetëm në telefon, por s’ka gjë ishin kohë të vështira për të gjithë.

Duke mos mjaftuar vetëm kjo, kaluan 8 muaj e nuk jemi ankuar as edhe njëherë, as kur u diskriminuam nga mospagesa e kujdestarive të natës, e as nga mosdhënia e shtesave.

Nuk e refuzuam as një punë. Madje nuk u ndjem as lakmitar kur kolegët tanë paguheshin dyfish më shumë se ne, për punën e njëjtë. E këtë unë e quajë dashuri për profesionin.

Dua ta dini një gjë, puna dhe mundi jonë dhe i shumë të tjerëve aty, nuk do të mund të paguhet kurrë me para.

Nuk paguhen me para lotët e nënës që lutej që i madhi Zot të më ruante çdo ditë që shkoja në punë.

Por, një gjë nuk e kam ditur, nuk e kam ditë që qenka kaq e vështirë ta fitosh një punë, nuk e kam menduar se interesat politike do më pengonin edhe mua në rrugën time dhe  as edhe nuk e kisha paramenduar këtë, që mundi dhe sakrifica do më shpërblehej me largim nga puna.

Mirëpo, prapë s’ka gjë…, ne do t’i lirojmë vendet tona të punës, madje shumë prej nesh do të largohemi edhe shumë shpejtë nga ky vend.

Të dashur prindër, dua të ju falënderojë që me të gjitha vështirësitë e jetës më rritët, më edukuat, më shkolluat në mënyrën më të mirë për të më pasur pranë vetës, më falni mirëpo unë duhet të largohem, mos u ndjeni keq sepse nuk jam vetëm, kam dhe shumë të tjerë me vete.

Më vjen keq nanë, por lutjet tua nuk u pranuan!

Uroj që ta keni shëndetin!

NE E PROVUAM, U MUNDUAN POR NUK JA DOLËM! 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat