Kryetari i Odës Ekonomike të Britanisë shpalos projektet e shumta që do t’i sjellin në Kosovë

Aktuale

Kryetari i Odës Ekonomike të Britanisë shpalos projektet e shumta që do t’i sjellin në Kosovë

Më: 20 qershor 2021 Në ora: 13:28
Mariano Davies

Oda Ekonomike e Britanisë në Kosovë po ofron përkrahje të vazhdueshme për institucionet dhe bizneset kosovare, duke realizuar projekte të shumta në fusha nga më të ndryshmet. Programi i bursave, fuqizimi i grave në biznes, një samit financiar janë vetëm disa prej fushave ky synon të kontribuojë. Kjo odë, ndër të tjerash, përmes Kosovës synon që të sjellë në Ballkanin Perëndimor praktikat më të mira të të bërit biznes.

Për të mësuar më shumë për projektet që janë realizuar, marrëveshjet që janë nënshkruar me institucione dhe organizata të ndryshme dhe projektet e shumta, të cilat planifikon t’i organizojë në të ardhmen, KosovaPress ka realizuar një intervistë me kryetarin e kësaj ode, Mariano Davies.

Davies ka thënë se misioni i kësaj ode, përmblidhet më së miri në kuadër të parullës “Kosovo going green” (Kosova drejt së gjelbrës), strategji kjo në kuadër të së cilës parashihet të sjellin projekte të shumta. Oda, ndër të tjerash, po arrin t’i lehtësojë edhe lidhjet tregtare mes Britanisë të Madhe dhe Kosovës.

Davies ka treguar se si pandemia nuk e ka stopuar aktivitetin e Odës, meqë gjatë tërë kohës janë ofruar aktivitete virtuale, siç janë ëebinarët dhe trajnimet në internet, në mënyrë që të krijoheshin kapacitete dhe të përçohej mesazh shprese për ndërmarrësit në Kosovë, se së shpejti gjithçka do të kthehet në normalitet. Këto programe virtuale janë pritur mjaft mirë, pasi të njëjtat kanë sjellë ekspertizë ndërkombëtare në Kosovë.

Në mesin e projekteve të shumta, Davies ka bërë të ditur për KosovaPress se do të sjellin një program të bursave për studentë në Kosovë.

Davies: Do të sjellim një program të bursave për studentë

“Ne do të realizojmë një program të bursave, i cili do të na lejojë të punojmë me universitetet dhe kolegjet e Kosovës, jo domosdoshmërisht vetëm në Prishtinë, që të sjellim në Britani disa nga mendjet më të ndritura, që të bëhen pjesë e edukimit te ndonjë nga universitetet në Britani. Dhe nëse e arrijmë këtë, atëherë do të arrijmë të zgjerojmë mundësitë e të nesërmes në Kosovë. Po flasim me një numër të organizatave, përfshirë Qeverinë, e cila po e mbështet shumë këtë. Tashmë për këtë kemi biseduar edhe me Ministrinë e Arsimit dhe atë të Tregtisë, Ekonomisë. Ata e mbështesin atë dhe kjo ka përkrahjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës po ashtu. E përmenda më herët edhe Rrjetin e Biznesit të Diasporës Shqiptare. Edhe ata po e mbështesin një gjë të tillë dhe në agjendën e tyre kanë shumë gjëra për sektorin e edukimit, andaj do të punojmë me ta në këto fusha”, ka thënë ai.

Gjatë intervistës, Davies po ashtu ka bërë të ditur se më 2022 planifikojnë që të organizojnë një samit financiar në Ballkan.

Davies: Më 2022 do të organizojmë një samit financiar në Ballkan

“Një fushë tjetër në të cilën do të punojmë është ajo e financave në përgjithësi, sepse pjesë e agjendës së gjelbër do të jetë tërheqja e investimeve në rajon dhe sigurisht për ne rajoni nënkupton dy gjëra. Për ne, rajoni më i rëndësishëm është Kosova, e përtej saj është Ballkani Perëndimor. Në mënyrë që të ekzekutojmë dhe promovojmë atë mundësi, ne po punojmë afër me organizata udhëheqëse në botë në fushën e financave, përkatësisht banka kombëtare apo siç është edhe OMFIF (Fondi Zyrtar Monetar i Investimeve Financiare) dhe kryetari David Marsh është person me të cilin kam punuar afër në Berlin dhe në Londër dhe ai është shumë entuziast të na bashkohet që të organizojmë një samit financiar në Ballkan më 2022. Do ta bënim këtë vit, por për shkak të pandemisë, nuk e dinim nëse është e mençur të bënim njerëz bashkë. Kjo është një fushë shumë e madhe në të cilën po punojmë”, deklaroi ai tutje.

Ministra të ministrive të ndryshme në Kosovë dhe biznesmenë që përfaqësojnë kompani të ndryshme, falë kësaj ode, do ta kenë mundësinë që të shkojnë në Danimarkë dhe të shohin disa nga praktikat më të mira në sektorin e energjisë.

Davies thotë se të njëjtit më pas këto praktika mund t’i adaptojnë në Kosovë.

Davies: Do të sjellim në Danimarkë ministra dhe biznesmenë nga Kosova

“Po punojmë afër edhe me sektorin e energjisë. Duam të sjellim disa nga praktikat më të mira në energjinë solare dhe shtrirjen e energjisë së erës, por shtrirje shumë më të gjerë për planet e energjisë nga lëndët djegëse fosile. Në këtë aspekt, ajo çka kemi diskutuar me Qeverinë, është që ne po planifikojmë të dërgojmë në mision disa nga ministrat kosovarë dhe biznese të rëndësishme për në Danimarkë, në mënyrë që ministrat t’i shohin praktikat më të mira dhe kompanitë t’i shohin këto praktika në Danimarkë, dhe t’i adaptojnë disa nga këto teknologji në Kosovë. Kjo është një nga ngjarjet më të mëdha që do të organizohet më 2022”, tha tutje Davies.

Kryetari i Odës Ekonomike Britanike në Kosovë nuk ka lënë pa përmendur edhe çështjet e barazisë gjinore, ku tha se synojnë që t’i fuqizojnë gratë e reja që janë të suksesshme në biznes.

Davies: Duam të fuqizojmë gra të reja që janë të suksesshme në biznes

“Një fushë tjetër, për të cilën jam shumë krenar dhe do doja ta përmend është se që nga fillimi, unë kam qenë i përfshirë në çështjet e barazisë gjinore në Danimarkë. Barazia gjinore është diçka për të cilën angazhohemi që nga viti 2000-2001. Që nga atëherë sa shumë gra të kualifikuara keni parë nëpër borde? Jo shumë. Por sot, barazia gjinore është më shumë në fokus dhe që nga fillimi i lëvizjes #metoo edhe të tjera, ajo që ne kemi arritur në Odë është që ngritet një grup këshillues për rolin e gruas në biznes. Ajo për çka do ta përdorim këtë është që të fuqizojmë gra të reja, të mendojmë për ndryshimet që mund t’i bëjnë. Gratë që kanë aftësi të prezantohen si modele se çfarë kanë arritur, sepse arsyeja se pse ne jemi ne të angazhuar në barazi gjinore është që e shohim që gratë dhe burrat kanë aftësi të ndryshme dhe mënyra të ndryshme se si i shohin gjërat dhe rezultati që e sjellin është pozitiv”, tha Davies.

Gjatë intervistës, ai u shpreh mjaft optimist për politikat e qeverisë aktuale në Kosovë. Sipas tij, disa nga ligjet e miratuara në Kosovë, bazohen në praktikat më të mira të BE-së.

Megjithatë, ai thotë se Oda Britanike ndan shqetësimet për sundimin e ligjit në Kosovë dhe shuarjen e korrupsionit. Ai ka përmendur sektorin e IT-së, ku sipas tij në Kosovë ka shumë të rinj të talentuar, të cilët kanë dëshmuar se mund të konkurrojnë në tregun botëror.

Davies madje thotë se Kosova mund të bëhet urë lidhëse mes Britanisë dhe Ballkanit Perëndimor.

Davies: Kosova, urë lidhëse mes Britanisë e Ballkanit Perëndimor, ne kemi politika të njëjta me Qeverinë

“Janë fusha të tjera që po punojmë dhe të gjitha këto do të përfshihen në strategjinë tonë kryesore që është ‘Kosovo going green’. Jemi shumë të entuziazmuar që të përdorim këto mundësi që i kemi sot, të bëjmë ndryshime dhe ta përdorim Kosovën si model i praktikave më të mira, që mund të merren edhe nga vendet e tjera të rajonit, që të përdorin praktikat më të mira që mund t’i sjellim në treg nga Britania. Ne tashmë kemi biseduar për sektorin e lajmeve, ku kemi promovuar artikuj me gjërat që mund të jenë me interes për anëtarët tonë, çdo javë në ueb dhe do të vazhdojmë ta bëjmë atë. Ne mendojmë se Kosova ka potencial që të bëhet një urë lidhëse në mes të Britanisë dhe Ballkanit Perëndimor, në shumë mënyra të ngjashme me atë se si funksionon Danimarka, si urë lidhëse në mes të Evropës Perëndimore dhe asaj Veriore. Ne jemi të entuziazmuar për potencialin e mundësive të të ardhmes dhe neve na ofron siguri fakti që duket se po kemi politika të njëjta me Qeverinë tuaj”, tha ai.

Gjatë intervistës, Davies po ashtu ka thënë se largimi i Britanisë të Madhe nga Bashkimi Evropian, ka ofruar mundësi të mëdha tregtare për kompanitë e Kosovës, të cilat do të trajtohen njëjtë si kompanitë brenda BE-së.

Kujtojmë se këtë vit, Oda Ekonomike e Britanisë në Kosovë, ka nënshkruar memorandume mirëkuptimi me Rrjetin e Biznesit të Diasporës Shqiptare dhe Byronë e Sigurimeve të Kosovës.

Kryetari i Odës krejt në fund bëri të ditur se aktualisht janë në përfundim të procesit të një memorandumi me UNICEF dhe shpreson se të ngjashme do të ketë edhe me organizata të tjera ndërkombëtare. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat