Kurti: Simpozium që i hapë rrugë diskursit akademik mbi territorin, planifikimin dhe materializimin e tij

Aktuale

Kurti: Simpozium që i hapë rrugë diskursit akademik mbi territorin, planifikimin dhe materializimin e tij

Më: 25 qershor 2021 Në ora: 12:51
Albin Kurti

Organizuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, në partneritet me UN-Habitat Kosova, sot u mbajt Simpoziumi për të Ardhmen e Planifikimit Territorial në Kosovë.

Në fjalimin e tij, kryeministri Kurti tha se qytetet që tani njerëzit duan, janë qytete aktive, të gjelbra dhe me ajër të pastër, gjithëpërfshirëse, të qasshme e me transport të integruar, me sistem publik shëndetësor e banim të përballueshëm, solidare e me mundësi të barabarta për secilin.

Kryeministri tha se ky simpozium është shumë i rëndësishëm për t’u hapur rrugë: zhvillimit të një diskursi më të thellë e akademik mbi territorin, planifikimin dhe materializimin e tij; angazhimin dhe ndërveprimin e profesionisteve të fushave të ndryshme, të shoqërisë civile, e të qytetarëve në një proces më gjithëpërfshirës të planifikimit, dhe; për t’iu bashkuar lëvizjeve për mbrojtjen e planetit tonë kundrejt sfidave globale që e  rrethojnë.

Forcimi i kapaciteteve institucionale në nivele të ndryshme për të arritur një sistem të planifikimit hapësinor të përshtatshëm për qëllimet e Kosovës, gjetja e zgjidhjeve inovative që mund të rrisin lidhjet rurale-urbane për planifikim më të ekuilibruar të territorit në nivelin kombëtar, janë disa nga temat që u trajtuan në simpozium. 

Për këto dhe tema të tjera që lidhen me të ardhmen e planifikimit të territorit në Kosovë folën ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, z. Liburn Aliu, Koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara, znj. Ulrika Richardson, Shefi i UN-Habitat në Kosovë, z. Omar Siddique, si dhe shume ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Simpoziumin për Planifikimin Hapësinor dhe Urbanizmin

I nderuar Ministër Liburn Aliu,

E nderuara koordinatore për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, znj. Ulrika Richardson,

I nderuari z. Siddique, Shef i Zyrës të UN-Habitat-it në Kosovë,

Të nderuar të pranishëm,

Deri sa vija rrugës për këtu, dhe jo vetëm sot – e këtë më siguri që e shihni edhe ju për çdo ditë, se si hapësira dhe lëvizja e qytetarëve në hapësirë, pra në qytet, në qytezë, në fshat ose në lagje përveç se e kërkon njeriun, e kërkon edhe më shumë planifikimin e tij, e kërkon peizazhin dhe modelin mjedisor, pra thënë ndryshe kërkon zhvillim të qëndrueshëm për të gjithë, në hapësirën tonë të përbashkët.

Qytetet që tani njerëzit duan, janë qytete aktive, të gjelbra dhe me ajër të pastër, gjithëpërfshirëse, të qasshme e me transport të integruar, me sistem publik shëndetësor e banim të përballueshëm, solidare e me mundësi të barabarta për secilin.

Edhe në qytetet më të zhvilluara pandemia COVID-19 vuri në pah mangësitë e planifikimit urban dhe atij rural, mangësitë në sistemet shëndetësore dhe arsimore, në sistemet e transportit dhe hapësirat publike, ekonomitë urbane si dhe pabarazitë sociale. Pandemia ka vënë pikëpyetje atë që ne e dinim për qytetet duke na vendosur para sfidave të mëdha e të vështira e rrjedhimisht ka nxitur ndryshimet e thella që tani po ndodhin anë e mbanë botës, në qytete të mëdha dhe të vogla, në zona urbane dhe periferike.

Kriza pandemike dhe ajo klimatike kanë bërë që politikbërësit dhe urbanistët të rimendojnë konceptin e planifikimit urban. Qytetet tani duhet të dizenjohen në përputhje me nevojat e njerëzve, pra të planifikohen për njerëz e jo për vetura dhe ndërtesa.  Njerëzit tanë dëshirojnë të kenë afër të gjitha shërbimet që u nevojiten - shkollat dhe çerdhet për fëmijë, punën, hapësirat rekreative, qendrat tregtare e të tjera të cilat mund të arrihen në këmbë, me biçikletë apo me mjete të tjera motorike ekologjike.

Qytetet kanë evoluar dhe janë zhvilluar si rezultat i proceseve të ndryshme, pandemive të ndryshme, krizave ekonomike dhe katastrofave natyrore. Viti 1910 ishte viti kur përherë të parë në Evropë në mënyrë publike ishte diskutuar për “qytetet e së ardhmes” nga arkitekti dhe urbanisti Eugene Henard - vizioni i të cilit parashikonte përparimet teknologjike të së ardhmes, përfshirë këtu transportin ajror. Ndërsa në vitin 1970 Henri Lefebvre, menjëherë pas kryengritjes së majit 1968 në Paris, në  veprën e tij të rëndësishme “Revolucioni Urban” propozon hipotezën  se “Shoqëria është plotësisht e urbanizuar, dhe se shoqëria urbane është një shoqëri qe rezulton nga një proces i urbanizimit të plotë. Urbanizimi është procesi i prodhimit të mjedisit tonë të ndërtuar siç janë vendbanimet, rrjetet e ndryshme infrastrukturore, dhe çdo gjë e ndërtuar nga dora e njeriut, bashkë me të gjitha implikimet e tyre shoqërore.”

Pra, Lefevbre diskuton se urbanizimi ka çuar në transformimin e plotë të shoqërisë dhe është historikisht i lidhur ngushtë me procesin e industrializimit.

Strukturat urbane të zhvilluara mbi territor janë rezultat i proceseve të ndryshme të urbanizimit. Prandaj të kuptuarit e manifestimeve të ndryshme të urbanizimit dhe identifikimi i tyre në terren përkon me një sfidë që e hasim ne sot, dhe që duhet të na bëjë ta ndryshojmë pikëvështrimin dhe metodologjinë për ta studiuar, kuptuar dhe planifikuar të gjithë territorin e vendit tonë.

Në një kohë kur ndryshimi i klimës dhe shterimi i burimeve janë bërë sfidat kryesore globale, kur epoka Antropocene po i ndryshon pikëpamjet tona ndaj rezultateve të proceseve të ndryshme të urbanizimit dhe po i jep jetë ekologjive të reja, kur arritjet e Synimeve për Zhvillim të Qëndrueshëm (Sustainable Development Goals) gjithmonë e më shumë duhet të plotësohen, kur lëvizjet dhe aktivizimi shoqëror për t’i mbrojtur pasuritë natyrore si nevojë thelbësore për t’i luftuar ndryshimet klimatike është në rritje, kur propozimet si ‘Marrëveshja e Re e Gjelbër’ (Green New Deal) marrin vëmendjen e shume politikë-bërësve gjithandej nëpër botë, ne sot duhet të mendojmë e diskutojmë për përfytyrime (vizione) të reja urbane, shoqërore e mjedisore, dhe të propozojmë zgjidhje novatore përtej kufijve të qyteteve, përtej hapësirës ku mendohet vetëm komoditeti dhe mirëqenia e qenies njerëzore. Vetëm kështu mund të zhvillojmë mirëqenien tonë dhe territorit ku po jetojmë.

Prandaj sot flasim për planifikimin e territorit, jo si hapësire abstrakte që definon sovranitetin, mbi të cilin ngritën organe të ndryshme politike që ushtrojnë pushtet e kontroll, por si një hapësirë materiale që është prodhuar dhe formësuar nga aktivitetet humane të zhvilluara me punë dhe përparim të vazhdueshëm, nga procese të ndryshme të përvetësimit të hapësirës si dhe nga kuptime të ndryshme simbolike, politike, ekonomike e kulturore.

Andaj, ky simpozium është tejet i rëndësishëm për t’i hapur rrugë:

- zhvillimit të një diskursi më të thellë e akademik mbi territorin, planifikimin dhe materializimin e tij;

- angazhimin dhe ndërveprimin e profesionisteve të fushave të ndryshme, të shoqërisë civile, e të qytetarëve në një proces më gjithëpërfshirës të planifikimit, dhe;

- për t’iu bashkuar lëvizjeve për mbrojtjen e planetit tonë kundrejt sfidave globale që e  rrethojnë.

Juve ju uroj një ditë të mbarë në këtë simpozium sot, dhe besoj që me diskutimet e juaja të frytshme të profesionistëve dhe të ekspertëve, vendor e ndërkombëtar të kësaj fushe, do të arrihen rekomandime të matshme e të aplikueshme për planifikimin hapësinor të vendit tonë.

Ju faleminderit.

Image
Albin Kurti
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat