Memli Krasniqi kryetar i PDK-së, vjen reagimi i Isa Mustafës: E kemi pasur rival, por ...

Aktuale

Memli Krasniqi kryetar i PDK-së, vjen reagimi i Isa Mustafës: E kemi pasur rival, por ...

Më: 3 korrik 2021 Në ora: 20:45
Isa Mustafa

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka uruar Memli Krasniqin për zgjedhjen kryetar të PDK-së, ndërsa vlerëson punën e tij gjatë kohës kur ishte ministër në Qeverinë e tij.

Në Konventën e 10-të të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi u zgjodh në krye të partisë.

Mustafa, uroi Krasniqin për postin e ri, teksa theksoi se është çështje e interesit të PDK-së për t’u ballafaquar me sfidat e brendshme sikurse edhe me opozitarizmin.

“I uroj z. Krasniqi zgjedhjen për kryetar të PDK-së. Është çështje e interesit të kësaj partie për t’u ballafaquar me sfidat e brendshme sikurse edhe me opozitarizmin”, u shpreh Mustafa.

Ai ndër të tjera tha se Memlin e njeh tash e një kohë të gjatë si veprimtar të PDK-së dhe bartës të pozitave të rëndësishme në parti, kurse mendon se Konventa bëri zgjidhjen që e ka vlerësuar.

“Memlin e njoh gjatë si veprimtar të PDK-së, si bartës të pozitave të rëndësishme në këtë parti, prandaj partia vlerësoj se ka bërë zgjidhjen që e ka vlerësuar”, është shprehur Mustafa.

Mustafa tutje theksoi se Krasniqin e kishte rival politik, por lëvdon punën e tij gjatë kohës kur ishte ministër në Qeverinë e tij, duke e vlerësuar për punën korrektësinë dhe sjelljen e tij.

“Si LDK, e kemi pasur Memlin rival politik, por ka qenë edhe ministër në Qeverinë që unë e kam drejtuar. Kam qenë i kënaqur me punën, korrektësinë dhe sjelljen e tij karshi shtetit ligjor. I uroj suksese!”, përfundoi Mustafa.

Kujtojmë se Memli Krasniqi u zgjodh kryetar i PDK-së në Konventën e 10-të të partisë, e cila u mbajt pasi dha dorëheqje ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, i cili këtë pozitë e mori pasi ish-kryetari i kësaj partie, Kadri Veseli po gjykohet në Hagë.

Nga 794 delegatë që morën pjesë në Konventë, 787 prej tyre votuan pro Krasniqit, kurse 7 prej tyre ishin kundër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat