​Rezoluta për gjenocidin serb në Srebrenicë, vjen reagimi i Osmanit

Aktuale

​Rezoluta për gjenocidin serb në Srebrenicë, vjen reagimi i Osmanit

Më: 7 korrik 2021 Në ora: 15:28
Vjosa Osmani

Presidentja Vjosa Osmani ka mirëpritur sot miratimin e rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë, me të cilën Kosova e dënon gjenocidin e organizuar dhe të kryer nga forcat gjenocidale të regjimit serb të Sllobodan Millosheviq.

Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se me këtë rezolutë Kuvendi i Kosovës e zyrtarizoi qëndrimin e institucioneve dhe të popullit të Kosovës karshi gjenocidit serb ndaj qytetarëve boshnjakë të Srebrenicës, dhe për më tepër, nëpërmjet kësaj Rezolute, dënohet mohimi i qëllimshëm e publik i krimit të gjenocidit.

“Tmerri që ka përjetuar një popull i tërë në Bosnje dhe Hercegovinë, e më pas edhe në Kosovë, të dyja viktima të regjimit gjenocidal serb, duhet t'i thërrasë ndërgjegjes njerëzore që synime të tilla shfarosëse të mos lejohen më në të ardhmen, e mbi të gjitha që të ketë drejtësi për krimet e regjimit të Millosheviqit”, shkruan Osmani.

Kohë më parë Kuvendi kishte miratuar rezolutë edhe për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë dhe Osmani kërkon që tani të ketë një angazhim të përbashkët që të binden shtetet në përkrahje të Kosovës që të miratojnë rezoluta të ngjashme.

“Duke thënë të vërtetën, ne ndihmojmë në shërimin e plagëve të thella të luftës. E krimet e kryera nga regjimi i atëhershëm serb duhet të quhen me emrin e tyre të vërtetë: gjenocid”, u shpreh ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat