Kërkesa e Hashim Thaçit për garanci nga Sllovenia për arrest shtëpiak? Deklarohet Qeveria sllovene

Aktuale

Kërkesa e Hashim Thaçit për garanci nga Sllovenia për arrest shtëpiak? Deklarohet Qeveria sllovene

Më: 13 korrik 2021 Në ora: 11:34
Hashim Thaçi

Dje në mediet sllovene dhe ato kosovare u raportua se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që po mbahet i paraburgosur nga Dhomat e Specializuara në Hagë, nën dyshimet për krime lufte dhe kundër njerëzimit, ka kërkuar t’i ndryshohet masa e paraburgimit në arrest shtëpiak. Siç u tha në medie, Thaçi e ka zgjedhur Slloveninë si vendin ku do të qëndronte në arrest shtëpiak gjatë vazhdimit të gjykimit të tij nga Gjykata Speciale.

Në një shkrim të medium slloven “Necenzurirano” thuhej se tashmë ish-presidenti kosovar ka kontaktuar zyrtarë brenda Qeverisë sllovene për të siguruar garanci nga ana e Sllovenisë për Specialen se Thaçi nuk do ta lë territorin e këtij vendi gjatë kohës sa gjykohet.

Por në një përgjigje Qeveria e Sllovenisë ka refuzuar të komentojë nëse Thaçi ka kërkuar garanci dhe nëse është e gatshme të ofrojë garanci për të dhe ish-ushtarët e tjerë të UÇK-së që po mbahen të Hagë.

“Zyra e Kryeministrit të Republikës së Sllovenisë nuk komenton pyetjet e juaja”, thuhet në përgjigjen e shkurtër, të Qeverisë së Sllovenisë.

Ndërkaq Dhomat e Specializuara thanë se të gjitha rastet pranë kësaj gjykate janë publike.

“Të gjitha rastet publike përfshirë kërkesat e bëra nga mbrojtja (dhe çfarëdo vendimi për to) janë të publikuara në webfaqen tonë”, thuhet në përgjigjen e Speciales.

Dokumentet e Gjykatës Speciale që janë publike tregojnë se Thaçi vërtetë kishte kërkuar lirim me kusht në dhjetor të vitit të kaluar, por pa specifikuar vendin e tretë që ish-udhëheqësi politik i UÇK-së e kishte përzgjedhur.

Por, në dokumentet publike të Speciales thuhet se Thaçi ishte pajtuar me mundësinë që të jetë në arrest shtëpiak gjatë gjykimit, në një vend “që është një shtet i tretë dhe që nuk është në kufi me Kosovën”.

Media ka dërguar pyetje edhe në adresë të Presidencës së Sllovenisë, por deri në publikimin e këtij lajmi, përgjigja e këtij organi ka munguar.

Kujtojmë që në nëntor të vitit të kaluar Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi u arrestuan nën dyshimet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës së fundit në Kosovë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat